Gara botërore e armatimit vazhdon. Kina ja kalon Gjermanisë si eksportuesja e tretë më e madhe e armëve në botë.Sipas raportit të fundit të Institutit të Studimeve për Paqen në Stokholm, SIPRI tregtia ndërkombëtare e armëve ka shënuar në periudhën 2010-2014 një rritje me 16% krahasim me periudhën 2005-2009. SHBA është në krye të vendeve eksportuese me 31% të eksporteve të armëve, dhe një rritje prej 23 për qind. Kina parakalon Gjermaninë dhe renditet e treta në botë. Kurse eksportet evropiane në përgjithësi kanë shënuar rënie.
Në raportin e tij instituti përmbledh të gjithë informacionet mbi shpenzimet ushtarake, që ndodhet në dispozicion të publikut: jo vetëm shpenzimet për armatimin, por edhe për trupat, personelin dhe shpenzimet administrative, ato kërkimore, të mirëmbajtjes dhe për ndërtimet.
Shtohen eksportet kineze
Sipas raportit të fundit të Institutit të Studimeve për Paqen në Stokholm, SIPRI, Kina ja ka kaluar Gjermanisë si eksportuesja e tretë më e madhe e armëve në botë. Në periudhën 2010 – 2014 eksporti i armëve nga Kina është dyfishuar në krahasim me pesë vjet më parë. Për shkak të rritjes prej 143 për qind tani Kina është eksportuesja e tretë më e madhe pas Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë. Kina pasohet nga Gjermania dhe Franca.
Gati 70 për qind e eksporteve kineze kanë pasur si destinacion Pakistanin, Bangladeshin dhe Mianmarin. Në Afrikë ka 18 vende që blejnë armë kineze, thuhet në raportin e SIPRI-t.
Sipas Institutit të Studimeve për Paqen armët kineze shiten para së gjithash në vende që kanë tensione me Shtetet e Bashkuara. Nga ana tjetër sipas SIPRI-t, importet e pajisjeve ushtarake nga Kina kanë shënuar në këtë periudhë pesëvjeçare një rënie prej 42 për qindësh.
Kina si superfuqi aziatike
Ministria e Jashtme Kineze deklaroi se Kina është jashtëzakonisht e kujdesshme dhe e përgjegjëshme për eksportet e armëve. Kina vetë nuk jep të dhëna në lidhje me eksportet e saj të armëve. Megjithatë vitet e fundit Kina i ka rritur çdo vit në nivele dyshifrore shpenzimet e saj ushtarake.
Gjatë këtij viti Republika Popullore e Kinës synon t’i rrisë shpenzimet ushtarake me 10.1 për qind. Por meqenëse shifrat nga Kina janë shumë të paqarta, është e vështirë të thuhet se ku shkojnë shpenzimet ushtarake kineze. Rritja e shpenzimeve ushtarake të Kinës do të thotë ndër të tjera edhe më shumë para dhe strehim më të mirë për ushtarët, por edhe për armë dhe stërvitje dhe trajnime. (dw)