Pas përshkallëzimit të dhunës në Ukrainën lindore BE-ja planifikon zgjerimin e sanksioneve ndaj Rusisë. Por Greqia mund të dalë kundër.Tri ditë pas krijimit të qeverisë së re në Athinë, Bashkimi Evropian po përballet me sprovën e parë. Deri tani diplomatët e konsideronin unitetin e BE-së në qëndrimin ndaj Rusisë si suksesin e tyre më të madh në politikën e jashtme. Kjo mund të ndryshojë shpejt me qëndrimin e kryeministrit Aleksis Tsipras, i cili protestoi kundër një deklarate të përbashkët të qeverive evropiane për të zgjeruar sanksionet kundër Rusisë. Edhe në të kaluarën, uniteti ishte në rrezik sepse vende si Hungaria, Sllovakia apo dhe Italia janë shprehur për një qëndrim më të butë ndaj Moskës. Por deri tani pas dyerve të mbyllura ishte arritur gjithmonë të gjehej një konsesus i përbashkët.
Zgjerimi dhe zgjatja e sanksioneve
Ky konsensus mund të jetë tani në rrezik. Në takimin e tyre të posaçëm ministrat e Jashtëm të BE-së duan që deri në samitin e tyre në mes të muajit shkurt të kenë gati propozimet për zgjerimin e sanksioneve ndaj Rusisë, si kufizime shtesë në tregjet financiare apo zgjerim të listës së njerëzve dhe kompanive me të cilat Perëndimi nuk bën më biznese. Ministrat gjithashtu duan të përgatisin edhe zgjatjen e sanksioneve ekzistuese, të vendosura në pranverën e vitit 2014, deri në fund të vitit 2015. Të dy vendimet duhet të merren në parim me unanimitet, dhe qeveria e re në Athinë mund t’i rrëzojë që dyja.
Shtetet e BE-së duhet të reagojnë urgjentisht ndaj Moskës, sidomos pas sulmit ndaj qytetit Mariupol, gjë që sipas ministrit të Jashtëm gjerman Frank Walter Steinmeier, ka shpënë në një ndryshim cilësor të situatës.
Solidariteti nuk është një rrugë njëkalimshe
Eurodeputetja e të Gjelbërve, Rebecca Harms, anëtare e Komitetit për Ukrainën e Parlamentit Evropia, u shpreh e tmerruar nga sinjalet nga Athina dhe kërkoi që as Greqia as shtetet e tjera anëtare të mos e dobësojnë unitetin evropian ndaj Rusisë në lidhje me luftën në Ukrainën lindore. Ajo tha se Greqia ka gjetur gjithmonë mbështetje në Bruksel dhe tani nuk e merr në konsideratë solidaritetin e BE-s në një çështje tjetër, tha Harms..
Nuk është ende e qartë nëse Greqia do të krijojë vërtetë probleme në lidhje me sanksionet ndaj Rusisë, thotë Jan Techau nga Fondacioni Carnegie Europe: “Greqia është relativisht e izoluar me qëndrimin e saj. Vendi ka shqetësime dhe halle të tjera dhe ka nevojë për partnerët politikë në Evropë.” Por nëse grekët do të ngulin vërtetë këmbë për këtë çështje, atëhere ajo mund të marrë një “dinamikë zhvillimi interesante,” thotë Techau.
Gjithësesi ai mendon se Greqia nuk do të bëhen pengesë në çështjet e politikës së jashtme të BE-së.
Fusha të tjera rreziku
Por Jan Techau mendon se Greqia mund të shfaqet si faktor problematik në çështje të tjera, sepse Evropës i duhet votë e njëzëshme jo vetëm në çështjet politikës së jashtme, por edhe në ato që kanë të bëjnë me tregtinë apo financat.
Këtë vit, për shembull, marrëveshja transatlantike e tregtisë kalon në raundin vendimtar, dhe për këtë marrëveshje duhet të jenë dakord edhe grekët. Përveç kësaj shumë prej masave urgjente të marra üër shkak të krizës së euros duhet të shndërrohen në marrëveshje të vazhdueshme, si .sh. çështja e mbikëqyrjes bankare, dhe në koto pika ka shumë gjëra për të diskutuar. (dw)