Themelet e BE-së po thërrmohen

Asnjë vend i BE-së nuk mund t’i mbrojë më interesat e tij i vetëm në botë, por vetëm në bashkëpunim me anëtarët e tjerë, mendon Christoph Hasselbach.Në Athinë fituesi i majtë të zgjedhjeve mendon se mund të bëjë shantazh ndaj pjesës tjetër të Evropës me kërkesat e tij financiare. Në Budapest, një kryeministër i djathtë nacionalist shpreh admirimin e tij për presidentin rus Putin. Dhe një kryeministër konservator britanik po e zgjeron sa më tepër Kanalin e La Manshës. Tre vetë – Aleksis Tsipras, Viktor Orban dhe David Cameron – janë përfaqësues të anulimit të pjesëve më të rëndësishme të një konsensusi evropian. Se ku do të çojë ky zhvillim, nuk është ende e qartë. Por e qartë është se ai është dramatik.
Ndihmë kundër reformave
Sipas radhës: në politikën ekonomike ka qenë deri tani konsensus se BE-ja e ndihmon një vend me shumë borxhe në qoftë se ky konsolidon buxhetin dhe e bën përmes reformave ekonominë e tij konkurruese. Vendet që i kanë pranuar këto kushte, kanë paguar një çmim të lartë në formën e papunësisë dhe shkurtimeve në fushën sociale. Megjithatë, ata i kanë bërë këto – vullnetarisht madje. Askush nuk i ka detyruar. Ata i kanë bërë duke e ditur se kjo është e vetmja mënyrë për të dalë nga mizerja dhe për të rifituar pavarësinë. Dhe donatorë qënë të gatshëm për ndihmë vetëm nëse plotësoheshin kërkesat për sakrifica.
Kjo politikë është shoqëruar me shumë ankesa, demonstrata, greva dhe debate të forta. Por në thelb konsensusi ekonomik mbeti, ndryshe uniteti i BE-së do të thyhej gjatë krizës së euros. Kur Alexis Tsipras mendon se mund të ketë gjithçka, pra mbështetjen e evropianëve të tjerë pa sakrifica nga Greqia, ai largohet nga baza e përbashkët. Eurozona mund ta përballojë tani ekonomikisht një largim të Greqisë. Por politikisht kjo do të ishte një katastrofë. Kjo do të thotë se evropianët do të lejojnë kalbjen e tyre. Por që tani imitues të ndryshëm në vende të tjera besojnë gjithashtu se mund t’i bëjë për vete votuesit e tyre me shpresa jorealiste për një shkurtim të rrugës së vështirë. Në rast se ndonjë qeveri ia arrin kësaj, solidariteti menjëherë do të merrte fund.
Gëzim në Kremlin
Edhe konsensusi për qëndrimin ndaj Rusisë është në rrezik akut. Sipas tij edhe nëse sanksionet nuk mund ta prapësojnë presidenti Putin nga politika e tij imperialiste dhe madje mund të dëmtojnë ekonomikisht vendet e BE-së, sanksionet janë të rëndësishme si një shenjë se Evropa nuk e pranon një zhvendosje të dhunshme të kufijve. Interesante është se si i majti Tsipras në Greqi dhe i djathti nacionalist Orban në Hungari, mendojnë se BE duhet të tregojë më shumë mirëkuptim ndaj Moskës.
Të paktën Orbani, por jo vetëm ai, shpreh madje edhe simpati të hapur për Putinin dhe stilin e tij politik, pra se si sillet Putini me opozitën, me 35t, me homoseksualët apo refugjatët. Dhe kjo nga ana e vet e stimulon Putinin, i cili përpiqet në mënyrë aktive për përçarjen e BE-së. Sepse një BE e përçarë ka pak mundësi për ta kundërshtuar Putinin.
Nëse çahen të gjitha digat
Së fundi, veçantitë e britanikëve. Ata e vënë në përgjithësi në pikëpyetje gatishmërinë Evropian për kompromis. Sado të justifikuara të jenë disa pretendime nga Londra për një ndarje të re të pushteteve në BE ose një politikë ekonomike më liberale – David Cameron dhe partia e tij i shtrojnë ato shpesh në mënyrë aq të ashpër dhe ultimative sa që të tjerët vetëm se mund mund t’i refuzojnë, nëse duan të ruajnë respektin për veten e tyre.
Fronte janë ngurtësuar plotësisht. Ndërkohë, nuk duket e pamundur që Britania do të dalë nga BE-ja pas një referendumi. Kjo në vetvete do të ishte një katastrofë. Sepse pas kësaj pritet që dhe në pjesën tjetër të BE-së të çahen të gjitha pengesat dhe digat. Vende të tjera mund të ndjekin menjëherë shembullin britanik apo të vendosin si kusht për anëtarësimin rritjen e kërkesave për përjashtime deri sa në fund vështirë se do të gjehet dot më një bazë e përbashkët.
Konsensusi nuk është vlerë në vetvete
Konsensusi nuk është vlerë në vetvete. Ka konsens të detyruar, të rehatshëm ose pa interes dhe për këtë arsye vetëm konsensus sa për sy e faqe. Por nëse evropianët luftojnë për të, e gjejnë më në fund dhe pastaj e përdorin atë për një qëllim të përbashkët, ajo është shumë e vlefshme. Asnjë vend i BE-së nuk mund t’i mbrojë më interesat e tij i vetëm në botë, por vetëm në bashkëpunim me anëtarët e tjerë. Kjo vlen si për vendet e mëdha si Gjermania dhe Britania e Madhe dhe për vendet e vogla si Greqia dhe Hungaria. Por për këtë është e nevojshme një bazë e përbashkët. Kushdo që e vë në pikëpyetje atë duhet të thotë, se cila mund të ishte alternativa. (dw)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>