Tregjet e aksioneve dhe borxhi grek

Greqia dhe partnerët e saj të Bashkimit Evropian pritet të arrijnë kompromis mbi programin e ndihmës për borxhin e Athinës, pavarësisht bisedimeve të vështira dhe një ultimatumi të hënën në Bruksel.Të martën, të dyja palët i ulën tonet, duke thënë se janë të gatshme për të rifilluar bisedimet.

Ministri holandez i Financave Jeroen Dijsselbloem, i cili kryeson grupin e eurozonës, tha se Greqia ka afat deri ditën e premte për të kërkuar vazhdimin e ndihmës, por shprehu gatishmëri për të punuar me qeverinë greke në arritjen e një marrëveshjeje.

Ministri grek i Financave Yanis Varoufakis, i cili ishte në Bruksel për një takim rutinë të ministrave të financave të eurozonës, shprehu besim se një marrëveshje me kushte të ndryshuara është e mundur brenda pak ditësh.

Paketa e shpëtimit financiar prej 300 miliard eurosh që Greqia mori nga vendet e eurozonës dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar skadon më 28 shkurt.

Nëse nuk arrihet një kompromis apo një zgjidhje e përkohshme, Greqia mund të detyrohet të dalë nga eurozona.

Bursa në Greqi pësoi sot rënien më të madhe në tregjet evropiane të aksioneve, një reagim negativ ky i investitorëve ndaj dështimit të bisedimeve të djeshme mes Athinës dhe kreditorëve të saj. Eurozona ka deklaruar se Greqia duhet të kërkojë zgjatjen e programit të shpëtimit financiar deri të premten, si kusht që bisedimet për borxhin të vazhdojnë. Megjithatë, sot të dyja palët duket se i ulën tonet.

Bisedimet e djeshme në Bruksel për borxhin e Greqisë u mbyllën para kohe me deklaratat e Eurozonës që kishin formën e një ultimatumi.

Eurozona prej 19 vendesh tha se Athina duhet të pranojë një kusht kryesor para fundit të kësaj jave, përndryshe do t’i duhet ta përballojë vetë pagimin e borxhit. Në thelb, Greqia duhet të kërkojë një zgjatje të programit të shpëtimit financiar.

Shumë ekspertë të tregjeve financiare thonë se nëse Greqia nuk pranon, kjo mund ta detyronte atë të largohej nga eurozona.

Në Athinë, Nick Kafkas, kreu i firmës financiare Merit Securities, tha se nuk ishte fjala për një ultimatum dhe se ende ka hapësirë për të arritur marrëveshje.

“Pati trysni nga evropianët, kaq mund të thuhet. Ultimatumi ka tjetër kuptim dhe bisedimet nuk do të ndalen,” tha zoti Kafkas.

Tensionet u shfaqen pas deklaratës së Eurozonës, e cila tha se Athina duhet të kërkojë një zgjatje të programit të shpëtimit financiar deri të premten, përndryshe bisedimet për kursin e ardhëm financiar dhe ekonomik të Greqisë nuk mund të vazhdojnë.

Investitorët shqetësohen se dy palët janë shumë larg në qëndrimet e tyre, sidomos në kushtet kur qeveria e re e partisë së krahut të majtë Syriza e ka bërë eliminimin e masave shtrënguese financiare themelin e programit të saj.

Më 28 shkurt përfundon faza e tanishme e paketës së shpëtimit financiar dhe gjatë muajve të ardhshëm Greqia do të zhytej në vështirësi për të paguar obligimet e saj siç janë këstet e borxhit.

Robert Halver, analist tregu në Baader Bank të Frankfurtit, tha se gjasat janë që Greqia dhe Eurozona të arrijnë një marrëveshje.

“Tregu i sheh bisedimet me Greqinë si një lojë të madhe pokeri nga të dyja palët dhe shpreson se do të ketë bisedime deri ditën e fundit.”

Por ai tha gjithashtu se nëse mosmarrëveshjet vazhdojnë deri në mes të marsit, atëhere Eurozonës do të t’i duhet të përgatitet për daljen e Greqisë dhe kjo do të bënte që edhe vende të tjera si Portugalia dhe Qiproja të largoheshin nga blloku i euros. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>