Problemet politike dhe strukturore në Turqi pengesë për qëllimet ambicioze të Erdoganit që Turqia të jetë në vitin 2023 në mesin e dhjetë vendeve kryesore ekonomike të botës.Dekadën e kaluar ekonomia turke ishte në zhvillim të plotë. Nën udhëheqjen e presidentit Rexhep Tajip Erdogan Turqia u shndërrua në një fuqi rajonale. Në vitet 2004 dhe 2005 ekonomia turke kishte një rritje prej 9,4 dhe 8,5 për qind dhe qe një nga ekonomitë me rritje më të shpejtë në botë.
Nxitja vinte kryesisht nga industria e ndërtimit. Në mesin e projekteve të mëdha ishte aeroporti më i madh në botë, ura e tretë mbi Bosfor, një rrjet i gjerë metrosh dhe një kanal i dytë në Bosfor. Ekonomia turke shkëlqente nga krenaria dhe vendi po ndiqte qëllimin ambicioz të Erdoganit që Turqia të bënte pjesë në vitin 2023 në mesin e dhjetë vendeve kryesore ekonomike të botës.
Por vitet e suksesit kanë marrë fund. Bumi i ndërtimeve duket se qe i mjaftueshëm për të siguruar zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë turke. Borxhet e vendit janë në rritje dhe investitorët e huaj po i tërheqin paratë e tyre. Për vitin 2014 qeveria turke kishte parashikuar një normë rritjeje prej rreth katër për qind. Por në gjysmën e parë të vitit ajo ishte vetëm 3,3 për qind. Dhe parashikimet për vitin 2015 nuk janë të mira.
Perspektiva pesimiste
Sejfetin Gursel, Drejtor i Fakultetit Ekonomik të Universitetit Bahçesehir të Stambollit tha në bisedë me DW-në se është pesimit dhe se kjo ka disa arsye. “Së pari, ka trazira në Lindjen e Mesme dhe së dyti Turqia kufizohet me vende ku ka luftë dhe prandaj situata për mendimin tim nuk do të përmirësojnë këtë vit.
Për shkak të këtyre rrethanave për Turqinë do të jetë e vështirë që të shtojë eksportet, por që të stimulojë ekonominë, Turqia duhet të eksportojë domosdoshmërisht më shumë, mendon Gursel. “
BE-në ai e konsideron si një treg i rëndësishëm për eksportet turke. Por dhe në këtë pikë ai është pesimist. “Unë nuk besoj se ekonomia evropiane do të zhvillohet në mënyrë të konsiderueshme këtë vit.” Po ashtu sipas Gursel “Shumë besojnë se në Turqi po vendoset një regjim autoritar dhe të gjithë këta faktorë nuk u japin investitorëve të huaj ndjenjën e besimit.”
Krahasime të papërshtatshme
Sipërmarrja amerikane e investimeve Goldman Sachs e konsideron Turqinë si një nga ekonomitë në zhvillim “më të mira” në botë, së bashku me Indinë dhe Tajvanin dhe mendon se në kët vend duhet investuar. Po ashtu sipas Goldman Sachs edhe çmimi në rënie i naftës është një mundësi për Turqinë që të ndreqë deficitin e saj.
Sejfetin Gursel mendon se Turqia ka probleme strukturore dhe se rënia e çmimit të naftës mund të përmirësojë vetëm pak deficitin momental të bilancit. Turqia sipas tij ka nevojë për investime të drejtpërdrejta.
Mustafa Sonmez, ekonomist dhe gazetar ekonomik, thotë se Turqia nuk mund të krahasohet me vende të tilla si India dhe Tajvani. “Situata e Turqisë është e ndryshme. Deficit i bilancit të saj është shumë më i lartë se ai i Indisë dhe Tajvanit”, thotë Sonmez në bisedë me DW. “Ekonomia turke ka dhe pika të tjera të dobëta, përfshirë dhe rreziqet politike dhe gjeopolitike.”
Fundi i viteve të arta
Ekonomia turke është e orientuar brenda vendit, kryesisht në sektorin e ndërtimit, thotë Sonmez. Prandaj deficiti i saj është ende rreth pesë dhe gjashtë për qind të prodhimit të brendshëm bruto. “Edhe inflacioni është një rrezik. Ashtu si dhe papunësia,” thotë ekonomisti. Një e treta e afro 12 milion turqve nën 24 vjeç janë të papunë. “Për investimet e huaja këto janë të gjithë faktorë që duhen marrë në konsideratë.” Dhe këto janë të gjithë tregues se vitet e arta të ekonomisë turke kanë marrë fund, mendon Sonmez. “Për këtë vit, unë parashikoj një rritje prej rreth tre për qind ose më pak.” – thotë ai. (dw)