Vdes mbreti Abdullah i Arabisë Saudite

Arabia Saudite është një nga anëtarët kryesor të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara për luftë kundër Shtetit Islamik të Irakut dhe Sirisë.Arabia Saudite do të varrosë mbretin Abdullah të premten, pak orë pasi ajo emëroi mbretin e ri dhe princin e ri të kurorës, në një veprim që synon të shuajë frikën për paqëndrueshmërinë e dinastisë në një kohë trazirash në rajon.

Mbreti Abdullah, një aleat i Shteteve të Bashkuara në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit islamik, vdiq të premten në moshën 90 vjeçare dhe pas një sëmundjeje të gjatë.

Vëllai i tij, princi Selman do ta trashëgojë atë. Mbreti i ri që besohet të ketë 79 vjet, ishte kurorëzuar princ dhe ministër i mbrojtjes që në vitin 2012. Vëllai tjetër, Mokreni, është emëruar princ i ri i kurorës.

Presidenti amerikan Barack Obama u shprehu sauditëve dhe familjes mbretërore ngushëllimet e tij dhe të popullit amerikan. Ai tha se mbreti ishte gjithmonë i sinqertë, kurajoz në bindjet e tij, duke përfshirë edhe marrëdhëniet SHBA- Arabi Saudite për forcimin e sigurisë dhe qëndrueshmërisë.

Mbreti Abdullah u ngjit në fron zyrtarisht në vitin 2006, por ai realisht ka mbretëruar që nga viti 1995 kur pararendësi i tij mbreti Faud, pësoi goditje në tru.

Mbreti Abdullah besohet se është lindur në Riad në vitin 1924 në një familje ultra-konservatore në të cilën traditat dhe mikpritja Islame ishin gjithmonë të theksuara.

Ndërsa po rritej, nafta u zbulua në shkretëtirën arabe dhe vendi u shndërrua në eksportues të madh të naftës, duke i sjellë pasuri të madhe familjes mbretërore.

Pas mori kontrollin e shtetit, Mbreti Abdullah filloi veprime të pashembullta për të modernizuar mbretërinë konservatore. Grave u janë dhënë mundësi dhe ato do të lejohen të votojnë për herë të parë në zgjedhjet lokale këtë vit.

Ai hapi edhe një universitet sipas modelit perëndimor ku studentët e të dyja gjinive mësojnë në klasë të përbashkëta. Muzika e ndaluar në të kaluarën mund të dëgjohet në radiot dhe televizionet saudite.

Abdullahu kishte një qasje të pazakonshme në politikën e jashtme. Ai kishte propozuar një marrëveshje paqeje sipas së cilës vendet e ligës Arabe do të njihnin Izraelin nëse Palestinezët do të fitonin shtetin e tyre.

Në një notë diplomatike që ka rrjedhur në opinion, Mbreti Abdullah u bënte thirrje forcave amerikane të sulmojnë Iranin “për t’i prerë kokën gjarprit” në mënyrë që të ndalojë prodhimin e armëve bërthamore.

Arabia Saudite është një nga furnizuesit kryesor më armë të kryengritësve që luftojnë për rrëzimin e qeverisë siriane dhe një nga anëtarët kryesor të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, për luftë kundër Shtetit Islamik të Irakut dhe Sirisë.

Arabia Sauditë është pjesë e grupit ekonomik G 20 dhe e Organizatës Botërore të Tregtisë.

Pavarësisht reformave, grupet për të drejtat e njeriut vazhdojnë të kritikojnë Arabinë Saudite. Ata thonë se grave vazhdojnë t’u mohohen shumë të drejta themelore.

Mbreti refuzoi të mbështesë lëvizjet e pranverës arabe që rrëzuan diktaturat në Tunizi, Egjipt, Liban e Jemen. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>