A është ende domethënëse incidenca?

Coronavirus Symbolfoto ImpfprivilegienIncidenca në Gjermani aktualisht po rritet me shpejtësi, të lidhura me të janë kufizime të mundshme. Por a ka ende kuptim të përdorësh incidencën si orientuese? Një pasqyrë e fakteve.

E ashtuquajtura incidencë 7-ditore ka shkuar lart e poshtë që nga fillimi i pandemisë. Shifra tregon se sa njerëz kanë rezultuar pozitivë për COVID-19 në shtatë ditë, bazuar në 100.000 banorë.

Incidenca e fundit në Gjermani ishte 48.8 (20.08.2021). Por shkalla e vaksinimit po rritet gjithashtu në mënyrë të qëndrueshme, në Gjermani janë vaksinuar plotësisht deri tani 57.8 përqind e njerëzve (deri në 17 gusht 2021). Pra, a është incidenca ende një orientuese e dobishme për masat dhe kufizimet?

Çfarë do të thotë incidenca në Gjermani?

Në varësi të incidencës, merren masa për të luftuar pandeminë. Deri tani, në varësi të situatës janë mbyllur shkolla ose restorante janë mbyllur ose kontaktet ose janë kufizuar kontakte. Nga 23 gushti,do të zbatohet në të gjithë Gjermaninë rregulli i testuar/i shëruar/i vaksinuar – që prej një shifre të qëndrueshme të incidencës 35. Kështu vetëm personat e vaksinuar, të shëruar ose të testuar do të lejohen të marrin pjesë në aktivitete të caktuara shoqërore – për shembull, të vizitojnë shtëpitë e pleqve, të hyjnë brenda në restorante ose të shkojnë në floktore.

Pse rritet incidenca në vendet me shifra të larta të vaksinuarish?

Izraeli u pa shpejt në pararojë kur erdhi puna te vaksinimi. Ndërkohë atje janë vaksinuar plotësisht 58.4 përqind e popullatës (deri në 19 gusht 2021), por numri i infektimeve po rritet me shpejtësi edhe atje. Sipas OBSH-së, në Izrael u raportuan kohët e fundit 1,267 infeksione të reja me korona në Izrael (që nga 19 gusht 2021). Por si mund të jetë kjo pavarësisht nga niveli i lartë i vaksinimit?

Numri i njerëzve në mbarë botën që ende nuk janë vaksinuar vazhdon të jetë relativisht i lartë, shpjegon Berit Lange, Shefe e Epidemiologjisë Klinike në Departamentin e Epidemiologjisë në Qendrën Helmholtz për Studimin e Infeksioneve në Braunschweig. Variante virusi si Delta, që transmetohen më lehtë, kanë çuar në rritjen e numrit të infeksioneve, thotë Lange në një intervistë për DW.

Sipas Institutit Robert Koch, në mënyrë që të kontrollohet dhe përmbahet vërtet procesi i infektimeve kërkohet një shkallë shumë e lartë e vaksinimit. Të paktën 85 përqind e dymbëdhjetë deri në 59 vjeçarëve dhe 90 përqind e moshave mbi 60 vjeç duhet të vaksinohen plotësisht, për të qenë në gjendje të kontrollohet situata e koronas vetëm në Gjermani – veçanërisht në lidhje me variantin Delta të virusit. Në kombinim me masat higjienike dhe me kontakte pak të reduktuara, nuk pritet të ketë një rritje të madhe të zënies së shtretërve të kujdesit intensiv me pacientët me korona në vjeshtë/dimër, sipas raportit të korrikut të RKI.

Asnjë nga vaksinat e miratuara deri tani nuk siguron 100% mbrojtje kundër infektimit me korona – këtë e kanë treguar studimet që nga futja e vaksinimeve. Njerëzit e vaksinuar me sëmundje të mëparshme, në veçanti mund të infektohen, megjithëse me një rrezik të ulët.

“Kushdo që është plotësisht i vaksinuar mbrohet në mënyrë efektive nga një rrjedhë e rëndë e infeksionit korona,” thekson Gernot Marx, President i Shoqatës Ndërdisiplinore Gjermane për Kujdesin Intensiv dhe Mjekimin Emergjent (DIVI), në një intervistë për DW. Në Gjermani pothuajse nuk ka pacientë të kujdesit intensiv, të cilët të kenë qenë të vaksinuar plotësisht më parë.

Prandaj, vaksinimet vazhdojnë të mbrojnë njerëzit e vaksinuar plotësisht nga një rrjedhë e rëndë; ato kanë rrallë rrjedha të rënda të sëmundjes ose vdesin. Një incidencë e lartë nuk do të thotë që gjithashtu shumë njerëz sëmuren rëndë.

Sidoqoftë, rezultatet e studimeve nga Britania e Madhe tregojnë se efektet e vaksinave zbehen pas një periudhe të caktuar kohe. Prodhuesit e vaksinave të BioNTech/Pfizer-it e theksojnë këtë gjithashtu në një deklaratë për shtyp. Vaksinimet e para në Izrael u bënë në dhjetor të vitit të kaluar. Kjo është arsyeja pse në vende si Izraeli dhe Gjermania tashmë po bëhen vaksinimet e treta për grupet veçanërisht të brishta, siç janë njerëzit me sëmundje të mëparshme.

Kush infektohet?

Sipas raportit aktual javor të Institutit Robert Koch (gjendja 19 gusht 2021), në Gjermani po fillon vala e katërt. Aktualisht ka 1.707 infeksione të reja (20.08.2021). Prej disa javësh tani janë infektuar gjithnjë e më shumë të rinj me koronavirus, mosha mesatare prej pesë javësh ka qenë rreth 27 deri në 28 vjeç. Mosha mesatare e rasteve të shtruara në spital është 48 vjeç – në fillim të vitit ishte 77 vjeç.

Kjo ndodh edhe sepse tani janë vaksinuar më shumë të moshuar. Pothuajse 83 përqind e personave mbi 60 vjeç janë plotësisht të vaksinuar, nga personat nën 60 vjeç të rritur janë vaksinuar 61 përqind. nga fëmijët dhe të rinjtë e moshës dymbëdhjetë deri në 17 vjeç janë vaksinuar plotësisht vetëm rreth 16 përqind.

A është incidenca ende një vlerë orientuese e dobishme?

Incidenca nuk duhet të hidhet poshtë si orientues – për këtë pajtohen ekspertët e anketuar. “Vlera e incidencës jep një përshtypje të hershme të dinamikës së epidemisë,” shpjegon epidemologu Lange. Përveç kësaj, duhet t’i kushtohet vëmendje vlerës R, shtrimeve në spitale, shtrimeve të reja në njësitë e kujdesit intensiv dhe shfrytëzimit të kapaciteteve të shtretërve të kujdesit intensiv me pacientë me COVID-19, thonë Lange, Marx dhe gjithashtu fizikanti Andreas Schuppert nga RWTH Aachen në një intervistë për DW.

Studimi aktual modelit i Schuppert tregon se zënia e shtretërve të kujdesit intensiv është proporcionale me incidencën. Ai konfirmon: “Në javët e fundit mund të shihej qartë se sëmundjet serioze, domethënë shtrimet në kujdesin intensiv, ishin akoma të lidhura me incidencën. Për fat të mirë, megjithatë, jo aq fort sa në valët e dyta dhe të treta.”

Ai gjithashtu thotë se incidenca nuk duhet të shpërfillet plotësisht, por që gjithashtu duhet të shikohen më nga afër shtrimet në spitale dhe rrjedhat e rënda.

Sipas Schuppert-it, rreth dhjetë milionë njerëz në Gjermani ende as nuk janë vaksinuar dhe as e kanë kaluar Covid-19 – mbi 100.000 prej tyre janë gjithashtu në rrezik të vuajnë nga sëmundje të rënda dhe të përfundojnë në kujdes intensiv.

dw

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>