Prej ditësh në media po qarkullojnë informacione të shërbimeve sekrete për mënyrën e përhapjes së virusit Corona. Sa është Kina fajtore për këtë virus?
Prej ditësh në media po qarkullojnë informacione të shërbimeve sekrete për mënyrën e përhapjes së virusit Corona. Sa është Kina fajtore për këtë virus?
Në një raport të aleancës së shërbimeve sekrete të pesë vendeve të mëdha anglishtfolëse (SHBA, Britania e Madhe, Kanadaja, Australia dhe Zelanda e Re, të quhtur si „Five Eyes“, flitet për një lakuriq, që është kontrolluar në një laborator në Wuhan. Raporti ka rënë në duart e gazetës ditore australiane “The Daily Telegraph”. Prej publikimit të këtij raporti janë shtuar dukshëm lajmet për mundësinë e “bërjes së virusit Corona nga njerëzit në laboratorin e Wuhanit”. Përveç kësaj, bota ka humbur kohë të vlefshme në luftën kundër virusit Corona, për shkak se mendohet që Kina ka fshehur informacione të rëndësishme. Fajësime të këtilla ka ngritur Presidenti amerikan Donald Trump, por edhe shtypi bulevardesk gjerman. Pra një skandal gjigand?
Tone të reja nga SHBA
Më e rëndësishmja është që virusi Corona nuk është prodhuar nga njeriu dhe nuk është përhapur qëllimisht dhe me plan. Për pohimet të tilla nuk ka kurfarë dëshmie në rapotin e shërbimeve sekrete. Drejtori i Shërbimeve Sekrete të SHBA-së, i cili ka nën vete 17 shërbime të ndryshme, ka lëshuar një komunikatë për shtyp ku thuhet se as shërbimet sekrete nuk kanë të dhëna të cilat dëshmojnë se Covid-19 është prodhuar nga njerëzit apo modifikimet gjenetike.
Por shërbimet sekrete po vazhdojnë me hulumtimet nëse virusi ka kaluar nga kafshët tek njeriu apo është paraqitur pas një incidenti në laboratorin në Wuhan.
Ambasadori Richard Grenell u shpreh së fundi me këto tone dhe nuk donte të komentonte pohimet sensasionaliste.
Nuk është projekt sekret
Vetëm disa ditë pas publikimit të kësaj kumtese zyrtare është publikuar edhe një raport në “Saturday Telegraph”. As në këtë raport, i cili u referohet burimeve sekrete australiane të shërbimit ASIS, nuk ka të dhëna se virusi Corona është bërë nga njeriu.
Aspekti më interesant deri tani janë informacionet për hulumtimet në zbardhjen e të dhënave për virusin Corona. Kjo sepse prej 15 vitesh, siç shkruan “Saturday Telegraph”, një ekip i virologëve kinez, i drejtuar nga Dr. Shi Zhengli, drejtor i Qendrës për Sëmundje Infektive në Institutin për Virologji në Wuhan, është duke studiuar virusin Corona tek lakuriqët. Virusë të tillë ka rreth 5.000 lloje, e Dr. Shi ka studiuar të paktën 50 prej tyre. Por ky nuk ka qenë në asnjë mënyrë ndonjë projekt sekret kinez. Ekipi ka bashkëpunuar për shembull edhe me “Commonwealth Scientific and Industrial Research Organisation CSIRO” në Australi. Dr Shi vet ka kaluar shumë vite si bashkëpunëtor i Peng Zhou në këtë institut. Një partner tjetër është edhe Universiteti North Carolina, në SHBA.
Qëllimi i studimeve ka qenë që të izolohen virusët e lakuriqëve dhe të hulumtohet mundësia e kalimit të tyre tek njeriu. Në nëntor të vitit 2015, Dr. Shi ka konstatuar në një studim në Universitetin North Carolina se virusët e ngjashëm me SARS, mund të kalojnë nga lakuriqët tek njeriu dhe se deri tani nuk ka ndonjë terapi kundër tyre. Me 2019 është botuar një studim tjetër ku thuhet se është shumë e mundur që virusët SARS apo MERS të kalojnë nga lakuriqët tek njeriu dhe se kjo do të mund të ndodhte në Kinë.
Përgënjeshtrimi i spekulimeve
Këtu është theksuar edhe rreziku i lartë i kalimit të virusëve tek studiuesit, nëse vie deri tek ndonjë fatkeqësi. Ndaj janë kërkuar masa më të larta sigurie në laboratori. Këtu janë paraqitur edhe raporte të diplomatëve amerikanë në Kinë, të cilët kanë pohuar në dhjetor të vitit 2019, se në Wuhan duhet të ngrihen masat e sigurisë, por këto pohime nuk janë konfirmuar deri tani.
Në raportin e shërbimit sekret australian thuhet se këto pohime nuk janë të vërteta. Ndaj qeveria autraliane ka pohuar se virusi ka ardhur, me një siguri prej 95 %, nga një treg në Wuhan. Por mbeten edhe 5% të mundësisë që virusi të ketë kaluar rastësisht gjatë studimeve tek njeriu. Pohimet australiane janë tërësisht në kundërshtim me ato të qeverisë amerikane dhe presidentit Trump.
Ministri i Jashtëm amerikan (ish-shefi i CIA) Mike Pompeo pohon se “ka shumë të dhëna se virusi ka ardhur nga laboratoria në Wuhan.”
Fshehja e të dhënave
Pjesa më brizante e raportit të shërbimit australian është fshehja dhe asgjësimi i të dhënave nga Kina, në dhjetor të vitit të kaluar, për këtë sëmundje. Shqetësues është edhe rasti i Huang Yan Ling, e cila ka bashkëpunuar në studimet e laboratorit Wuhan. Mendohet se ajo ka qenë paciantja e parë, pra „patient zero“, e virusit Corona. Pak kohë më pas, ajo është zhdukur, ndërsa biografia e saj online është zhdukur pa asnjë gjurmë.
Ndërsa në janar janë arrestuar shumë mejkë të Wuhanit, të cilët kanë forlur për këtë sëmundje, nën akuzat se “po përhapin spekulime”. Njëkohësisht, qeveria kineze ka fshirë nga interneti nocionet e kërkimit, si “SARS variation”, “Wuhan seafood market” dhe „Wuhan unknown pneumonia”. Të dhënë shumë të qarta pra se kemi të bëjmë me një cenzurë të regjimit komunist në Pekin, i cili pretendon të kontrollojë të gjitha të dhënat për pandeminë. Por kritika më e rëndë ndaj Kinës është ajo që ka të bëjë me pohimet se Kina e ka ditur që në dhjetor se virusi mund të kalojë nga njeriu tek njeriu, por për këtë e ka ifnormuar OBSH me 20 janar 2020.
Përgënjeshtrimet, arrestimet dhe cenzura janë reagime tipike të një regjimi diktatorial në krizat e paparashikueshme. Sëmundjet, katastrofat natyrore dhe fatkeqësitë janë gjithmonë të rrezikshme për monopolin e pushtetit në diktatura. Partia Komuniste nuk do të rrezikojë në rastet e tilla, siç dëshmon edhe rasti i Çernobilit në BRSS, në vitin 1986. Ngjarjet e atëhershme për BS sikur edhe ato të tanishmet për Kinën mund të kenë pasoja tepër të rënda.
Përgjegjësia
Shërbimet sekrete pohojnë se Kina nuk është fajtorja e vetme për përmasat e pandemisë. Rreziku nga virusët e këtillë është i njohur kaherë. Në Gjermani ka pasur edhe skenarë për mbrojtje nga pandemitë në vitin 2012, kur janë bërë analiza të ndryshme. Rezultati: mungojnë përgatitjet dhe kapacitetet për mbrojtje nga pandemitë e këtilla. Duket se Evropa, SHBA dhe vendet tjera nuk janë përgatitur me kohë për pandemi të këtilla. Pas përmasave tragjike të pandemisë në Itali u pa se masat duhet të ndryshojnë dhe duhet të jenë shumë më efikase. Ndaj nuk është e sigurt nëse suksesi do të ishte më i madh edhe sikur Kina të kishte njoftuar menjëherë në dhjetor për përmasat e rrezikut.
dw