A mund të arrihet një marrëveshje me Putinin?

PutinNdërsa sulmi i Rusisë kundër Ukrainës hyn në muajin e tretë, vazhdojnë të shtrohen pyetje nëse është e mundur arritja e një zgjidhjeje të negociuar me presidentin rus Vladimir Putin?

Kenneth Dekleva, një psikiatër që ka punuar më parë me Departamentin e Shtetit, hedh poshtë çdo spekulim se Putini është i paqëndrueshëm dhe për këtë arsye është e pamundur të bisedohet me të.

“Ai nuk ka probleme mendore. Ai është një aktor racional dhe në mendjen e tij, ai e di saktësisht se çfarë po bën”, thotë zoti Dekleva. “Ai është një udhëheqës jashtëzakonisht i zgjuar, shumë inteligjent dhe i pamëshirshëm, i cili ka më shumë se 22 vjet në pushtet”.

Zoti Dekleva, një bashkëpunëtor i lartë në Fondacionin George H. W. Bush për Marrëdhëniet SHBA-Kinë, e ka studiuar ish-agjentin e zbulimit rus për 20 vjet. Ai e përshkruan Putinin si njeri me mendje të palëkundur, të fortë, mjeshtër të manipulimit të njerëzve dhe të tejet të përqendruar, si rezultat i përgatitjeve të tij në KGB.

Presidenti Putin është 69 vjeç dhe veprimet e tij të fundit mund të sugjerojnë një stil udhëheqjeje më pak elastike, që në disa raste vihet re tek udhëheqësit e moshuar.

“Bëhesh më i ngurtë. I sheh gjërat më shumë bardhë e zi, dhe ke më pak tolerancë ndaj nuancave dhe alternativave. Sigurisht që është një mundësi, megjithëse nuk mund të thuhet vetëm nga vendimi i tij i fundit në lidhje me luftën në Ukrainë. Ai duket se është qëllimisht shumë i përqendruar dhe një njeri në nxitim”, thotë zoti Dekleva.

Çelësi për të negociuar me dikë si Putini, thotë zoti Dekleva, është përpjekja për ta kuptuar dhe aftësia për ndarë mentalitetin e tij edhe kur nuk jeni dakord me të.

Për Jason Pack, analist në Fondacionin e Kolegjit të Mbrojtjes të NATO-s në Itali, arritja e një marrëveshjeje me Putinin kërkon veprim bindës.

“Mendoj se duhet të jemi jashtëzakonisht të guximshëm, deri në pragun e atyre situatave që mund të mendojmë se do të shkaktonin një shkallëzim të madh … si përfshirja në një luftë kibernetike të ashpër”, thotë zoti Pack. “Për shembull, të bëjmë të fiken dritat në Shën Peterburg për dy orë dhe më pas do të negociojmë … Herën tjetër, do të kalojnë dy ditë (pa drita) nëse nuk i plotësoni kërkesat tona”.

Zoti Pack thotë se Putini kishte çdo arsye për të besuar se Perëndimi do të tërhiqej nëse ai do të sulmonte Ukrainën, pavarësisht se Perëndimi ka “më shumë fuqi ushtarake dhe ekonomike”.

Ai thekson ndërhyrjen ruse në Gjeorgji në vitin 2008, dikur pjesë e Bashkimit Sovjetik dhe tani republikë e pavarur. Rusia pushtoi 20% të territorit të atij vendi. Në vitin 2014, Putini i rrëmbeu Ukrainës rajonin jugor të Krimesë.

“Duket se ai respekton forcën, dhe nuk respekton vetëm dialogun. Madje, ai nuk mendoi se do t’i vihesin sanksionet (me të cilat e kërcënoi Perëndimi) nëse ai do të sulmonte. Në mendjen e tij, ishin thjeshtë fjalë”, thotë zoti Pack, duke shtuar se nuk beson se Putini do të ndërmarrë ndonjë veprim katastrofik bërthamor.

“Ai dëshiron të jetojë. Ai është i tmerruar nga COVID. Ai qëndron 6 metra larg këshilltarëve të tij (në foto). Pra, nuk mendoj se ekziston rreziku që ai të minojë botën për sa kohë që ne i përmbahemi rregullave që NATO-ja të mos luftojë në Ukrainë”.

Putini e kundërshton ashpër anëtarësimin e Ukrainës në NATO. Ai vend ka qënë pjesë e Bashkimit Sovjetik. Ai është ankuar se Perëndimi është shumë pranë kufijve të Rusisë.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>