Sipas një studimi të ri në Britani, një humbje e ndjesisë së nuhatjes mund të jetë një simptomë që tregon se një pacient mbart koronavirusin e ri.
ENT UK, një grup mjekësh otolaringologë në Britani, publikoi një studim me numër të kufizuar pacietësh që tregon se anosmia, humbja e nuhatjes, mund të vërehet ndonjëherë tek pacientët që mbajnë COVID-19, edhe nëse nuk shfaqin simptoma të tjera.
“Dëshmitë nga Koreja e Jugut, Kina dhe Italia sugjerojnë se një numër i konsiderueshëm i pacientëve me COVID-19 kanë zhvilluar anosminë / hiposminë,” thuhet në studimin e përbashkët nga ENT UK dhe Shoqëria Rinologjike e Britanisë.
“Në Korenë e Jugut, ku testimi ka qenë më i përhapur, 30% e pacientëve që janë testuar pozitivë kanë pasur anosminë si simptomën e tyre kryesore në rastet e buta,” thuhet më tej në studim.
Akademia Amerikane e Otolaringologjisë e mori në konsideratë studimin dhe ka propozuar që anosmia dhe humbja shoqëruese e shijes të shtohen në listën e simptomave që shfaqin të prekurit nga COVID-19.
“Dëshmitë po grumbullohen me shpejtësi nga vende të ndryshme në të gjithë botën se anosmia dhe disgeuzia janë simptoma domethënëse të shoqëruara me pandeminë COVID-19,” shkruan Akademia në faqen e saj të internetit.
Aktualisht në Shtetet e Bashkuara, pacientët që duan të testohen për COVID-19 duhet të kenë qenë në kontakt me një bartës të njohur të virusit, si dhe të shfaqin simptoma që përfshijnë ethe dhe kollë të thatë.
voa