A mund të kërkojë Greqia dëmshpërblim nga Gjermania?

naci

Greqia i përmendi me shifra kërkesat për dëmshpërblim, që ka ndaj Gjermanisë që prej Luftës II Botërore: 278,7 Milliarden Euro llogariti një komision parlamentar. Por cila janë shanset që Greqia t’i realizojë kërkesat?

Që prej ndërrimit të qeverisë në Greqi, janë thelluar mosmarrëveshjet mes Berlinit dhe Athinës dhe janë shtuar zërat të cilët kërkonjë dëmshpërblime nga koha e Luftës së Dytë Botërore. Bëhet fjalë për dy pika: kërkesat për reparacione për shkak të krimeve të Gjermanisë hitleriane në Greqi si dhe huaja e detyrueshme, të cilën Greqia ia dha në periudhën prej vitit 1942 – 1944. Shuma e saj: 476 milionë marka të atëhershme – vlera e tyre sot, nuk dihet. Sipas disa vlerësimeve, këto hua kanë sot vlerën e rreth 11 miliardëve euro (me përqindjet e interesit).

Për çfarë krimesh është fjala?

Në pranverë të vitit 1941 nisën bombardimet e ashpra gjermane në veri të Greqisë. Më pas trupat gjermane i pushtuan territoret greke dhe ishujt më të rëndësishëm. Vitet e ardhshme pasoi kryengritja partizane greke. Ndërkohë që forcat naziste u përgjigjën me vrasje barbare të civilëve dhe me masakra. Wehrmachti Gjerman shkatërroi gjatë luftës rreth 1700 fshatra greke.

Huaja e detyrueshme

Mes viteve 1942 – 1944, Banka Kombëtare greke emetoi dhe u dha nazistëve një hua në vlerë prej 476 miliona marka të Rajhut. Greqia ishte detyruar të paguante edhe rezervat e devizave, në formën e huasë. Gjermania deri tani nuk i ka kthyer këto para.

Për qeverinë e sotme gjermane, situata është e qartë: edhe kërkesat për huanë e detyrueshme janë pjesë e reparacioneve. Ndërkohë që kërkesa të tilla nuk mund të ketë më. Kjo me shpjegimin se Gjermania i ka paguar në masë të madhe kërkesat për reparacione. Sipas saj, të gjitha pretendimet e Greqisë janë shlyer ose kanë skaduar. Për shembull, në fillim të viteve 1960 Gjermania nënshkroi marrëveshje dëmshpërblimi me 12 vende të ndryshme perëndimore, për mbulimin e të padrejtësive specifike nga koha e nazizmit. Në këtë kontekst, Gjermania lidhi edhe me Greqinë një marrëveshje të posaçme. Dhe pagoi në llogari të Greqisë 115 milionë marka gjermane.

Më e vonta që me marrëveshjen 2+4 të vitit 1990, me të cilin rregullohet ribashkimi i Gjermanisë dhe sovraniteti i Gjermanisë, janë shuar kërkesat për reparacione.

Çështjet kryesore

Së pari duhet sqaruar karakteri i huasë greke: nëse ishte fjala për një hua të zakonshme apo për një faj lufte. Në rast të një kredie, ajo mund të kërkohet më lehtë që të kthehet. Në rast se kemi një faj lufte, shtrohet çështja nëse Greqia ka të drejtë të kërkojë reparacione, apo nëse ato janë shlyer. Nëse të gjitha këto nuk vlejnë duhet sqaruar edhe çështja nëse Greqia ka të drejtë të kërkojë dëmshpërblime lufte nga Gjermania, 70 vjet më vonë.

Nëse bëhet fjala për një kredi të zakonshme, duhet të bëhet fjalë për një marrëveshje të vitit 1942 mes dy vendeve sovrane, që është kontestuese, thonë ekspertët gjermanë. Megjithatë pyetja vendimtare është nëse kërkesat greke janë shlyer me marrëveshjet e mëparshme dhe nëse ato mund të kërkohen pas një periudhe kaq të gjatë.

Marrëveshja mes Gjermanisë dhe Greqisë

Ajo është nënshkruar në mars të vitit 1960 dhe me këtë Gjermania qe e detyruar t’i paguante Greqisë 115 milionë marka gjermane. Kjo marrëveshje nuk nënkupton domosdoshmërisht që Greqia nuk ka të drejtë të kërkojë dëmshpërblime të tjera për huanë e detyruar. Në vetë titullin e marrëveshjes sugjerohet se këtu bëhej fjalë për dëmshpërblimin e qytetarëve për shkak të krimeve gjatë Luftës.

Marrëveshje 2+4, si deklaratë për heqje dorë nga kërkesat

Në vitin 1990, SHBA-ja, Bashkimi Sovjetik, Franca dhe Britania e Madhe nënshkruan të ashtuquajturën Marrëveshje 2+4 me Gjermaninë Federale dhe Gjermaninë Lindore. Titulli zyrtar i saj është: “Marrëveshja për rregullimin përfundimtar në lidhje me Gjermaninë”. Në këtë Marrëveshje paqeje thuhet qartë se Gjermania mund të shkëputet përfundimisht prej aleatëve dhe mund të ribashkohet dhe të jetë një shtet sovran si Republikë Federale. Në tekst nuk përmenden shprehimisht reparacionet dhe kërkesat e tjera. Por vullneti i palëve ishte që të përjashtojnë kërkesat për reparacione të tjera. Edhe Gjykata Kushtetuese në Karlsruhe, në një vendim të vitit 2003, ka konstatuar se Marrëveshja përjashton kërkesat për reparacione.

Mbetet pyetja, çfarë do të thotë kjo për Greqinë si vend që nuk është partner në këtë Marrëveshje? Ajo nuk ishte nënshkruese e Marrëveshje 2+4. Por shtetet e OSBE-së kanë nënshkruar edhe Kartën e Parisit, e ndër këto vende ka qenë edhe Greqia. Qeveria gjermane argumenton se Greqia në këtë mënyrë ka rënë dakord me Marrëveshjen, që të mos ketë kërkesa të tjera për dëmshpërblime. Ndërsa të tjerët thonë se në këtë marrëveshje thuhet se palët “janë njoftuar” dhe nuk thuhet se “janë dakorduar” me këtë Marrëveshje. Ndërkohë që sipas tyre, në Marrëveshje nuk përmendet qartë se palët heqin dorë nga mundësia e kërkesave për reparacione. Ndaj Greqia me nënshkrimin e Kartës së Parisit nuk është dakorduar që të heqë dorë nga reparacionet.

Tek e fundit, mbetet detyrë e gjykatës të japë një shpegim. Por natyrisht, nëse Greqia këtë kërkesë e bën vërtet zyrtare. Kompetente në këtë rast do të ishte Gjykata Ndërkombëtare në Hagë. Këtu natyrisht duhet shpjeguar edhe fakti nëse Greqia i njeh negociatat dhe përmbajtjen e Marrëveshjes së vitit 1990.

Kërkesat pas 70 vitesh

Është e mundur që Greqia të mos ketë të drejtë kërkese, edhe për shkak se prej Luftës së Dytë Botërore kanë kaluar 70 vite. Argumentimi: Ai që nuk ka bërë kërkesë për kaq shumë kohë, e ka humbur edhe këtë të drejtë. Gjykata në Hagë ka refuzuar edhe kërkesa të një periudhe prej më pak se 20 vitesh. Por deri tani nuk ka pasur ndonjë kërkesë për reparacione dhe dëmshpërblime në kohëzgjatje prej më shumë se 70 vitesh. Ekspertë gjermanë thonë se një vendim i tillë do të mund të hapte “Kutinë e Pandorës”, sepse do të ishte e mundur që dikush të kërkojë dëmshpërblime lufte edhe nga koha e Napoleonit apo dhe luftërat e Mesjetës. Megjithatë duhen pritur vendimet e organeve kompetente, sepse deri tani asnjëra palë nuk ka sjellë argumentet vendimtare për këtë proces. (dw)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>