Shërbimet sekrete gjermane nuk kanë gjetur ndonjë dëshmi për përpjekjet e Rusisë për të influencuar opinionin gjerman, shkruan gazeta Süddeutsche Zeitung. Raporti nuk është prezantuar publikisht.
Në janar të vitit të kaluar, 13-vjeçarja Lisa F. u zhduk në Berlin, por u gjet papritur një ditë më pas. Gjermania e re me origjinë ruse më pas i tregoi policisë një rrëfim – që më vonë u konstatua si i rremë – për rrëmbimin e saj nga tre meshkuj që “në pamje dukeshin si jugorë”, që nënkptonte origjinën e tyre nga vendet arabe. Policia verifikoi të dhënat nga telefoni i saj dhe konstatoi, se rrëfimi ishte i rremë dhe se Lisa F. e kish kaluar me dëshirën e vet natën tek një 19-vjeçar.
Ivan Blagoj, gazetar i televizionit rus shtetëror “Prvi kanal”, ishte i pari që e bëri publik versionin e vajzës dhe gjoja dhunimin e saj nga arabët. Pasuan demonstratat e rreth 700 gjermanëve me origjinë ruse para selisë së kancelares në Berlin. Më pas ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov i përsëriti akuzat e dëgjuara në këtë rrëfim dhe akuzoi institucionet gjermane për fshehjen e këtij rasti.
„Kursi i konfrontimit”
Rasti i Lisa F. është vetëm një nga shembujt e shumtë të informacioneve të shtrembëruara, ndaj disa politikanë gjermanë kanë filluar të flasin për përzierjen e Kremlinit në politikën e brendshme gjermane dhe për krijimin e një atmosfere kundër autoriteteve gjermane, në veçanti kundër kancelares Angela Merkel, duke e quajtur politikën e saj ndaj refugjatëve si totalisht të dështuar. Këto deklarata janë bazuar edhe tek pohimet amerikane për përzierjen e Rusisë në fushatën elektorale dhe ndihmën e fitores së Trumpit në zgjedhje. Në Gjermani është shfaqur frika, se Rusia po përhap qëllimisht informacione të rreme dhe me sulme të hakerëve ndaj organizatave politike dhe partive duke u përpjekur të influencojë zhvillimet në këtë vend. Kjo fiton peshë veçanërisht kur dihet se në shtator në Gjermani do të zhvillohen zgjedhjet parlamentare.
Por për këtë nuk ekziston asnjë dëshmi konkrete, konstatojnë gazetarët e mediave Süddeutsche Zeitung, WDR dhe NDR. Në tavolinën e ministrit pranë kabinetit të kancelares, Peter Altmeier, që nga vjeshta e kaluar ekziston një raport 50 faqesh, ku thuhet se nuk ka të dhëna konkrete për përzierjen e Kremlinit në këto punë. Raporti nuk është prezantuar publikisht.
„Shtrohet pyetja: a kanë lidhje autoritetet ruse me këto ngjarje? Apo autoritetet gjermane nuk kanë mundur t’i dëshmojnë manipulimet sistematike ruse?”, shkruan gazeta.
Në analizat e shërbimeve sekrete gjermane thuhet se Kremlini prej vitit 2014 është në “kursin e konfrontimeve” me Perëndimin. Por aktivitetet ruse i kanë organizuar personat jashtë shërbimeve dhe jo shërbimet sekrete ruse. Por të gjithë ata së bashku ende nuk luajnë ndonjë rol të rëndësishëm në cënimin e interesave gjermane. Puna në zbardhjen e deklarimeve të tilla do të vazhdojë.
Dëshmia e vetme – influenca përmes mediave shtetërore
Ngjashëm është edhe me raste të tjera. Për shembull, në shkurt të vitit të kaluar, shumë gjermanë me origjinë ruse kanë marrë këtë mesazh përmes WhatsApp: „Myslimanët janë duke u përgatitur që me 14 shkurt të bëjnë një xhihad seksi”. Janë planifikuar gjoja dhunime masive nëpër Gjermani. Mendohet se qëllimi i këtij aksioni ishte rezistenca masive ndaj refugjatëve, por shërbimet mendojnë se një aksion i tillë është tepër banal për të fajësuar Kremlinin. Shërbimet gjermane nuk kanë ende të dhëna as për financimin e populistëve të partisë radikale të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) nga Rusia. Nuk janë konfirmuar as pohimet për sulmet e hakerëve ndaj organizatave gjermane, ndër to edhe ndaj Bundestagut.
Ajo që deri tani është dëshmuar është se mediat shtetërore ruse, si RT dhe Sputnjik, të cilat raportojnë edhe në gjermanisht, raportojnë në frymën e së keqes. Gazeta Süddeutsche Zeitung shkruan se niveli i tyre profesional, thënë me eufemizëm, është “kontestues”. (dw)