Shtëpia e Bardhë hodhi poshtë të mërkurën kritikat se kishte bërë dekleratë çorientuese lidhur me vendndodhjen e aeroplanmbajtëses amerikane, për të cilën u tha se po shkonte drejt Koresë së Veriut por në realitet po lundronte në drejtim të kundërt.
Qëllimi ishte demostrimi i vendosmërisë amerikane përballë kërcënimeve nga udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un.
Por në fakt u bë shkas i një tjetër polemike të brendëshme politike për Shtëpinë e Bardhë, e kësaj rradhe me ndërlikim ndërkombëtar.
Gjithçka filloi javën e shkuar kur ushtria amerikane publikoi një deklaratë duke thënë se i kishte dhënë urdhër formacionit luftarak “Carl Vinson” të lundronte në veri, nga Singapore drejt Gadishullit Korean. Një ditë më pas, shefi i Pentagonit, Jim Mattis, dha shpjegime rreth arsyetimit të vendimit.
“Aeroplanmbajtësja lundron lirshëm përgjatë Paqësorit dhe ajo lëvizi atje sepse kështu menduam se do të ishte veprimi më i matur në atë kohë.”
Gazetarët i nënkuptuan dekleratat se formacioni luftarak ishte drejtuar menjëherë për në ujrat koreane.
Nënkuptimi u përforcua edhe më tej nga Presidenti Donald Trump gjatë një interviste të njëjtën ditë, me kanalin televiziv “Fox Business”
“Po dërgojmë një armatë shumë të fuqishme. Kemi nëndetëse shumë të fuqishme.”
Por problemi qëndron se, një javë më pas doli se, grupi i luftanijeve po shkonte në drejtim të kundërt, larg Koresë, mbi 5 mijë kilometra larg gadishullit.
Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë, duke folur në mënyrë anonime, thanë se kishte patur komunikime të gabuara. Por të mërkurën, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë hodhi poshtë se zoti Trump kishte mashtruar publikun.
“Presidenti tha se kemi një armatë që po shkon drejt gadishullit. Ky është fakt. Dhe faktikisht po ndodh.”
Ai fajësoi gazetarët, duke thënë se ata duhet ta kishin konfirmuar me Pentagonin lajmin.
“Po pyesni se përse nuk ishit të informuar. Nuk e di. Kjo është një pyetje që duhet t’i kishit bërë Komandës së Paqësorit ose Departamentit të Mbrojtjes.”
Ndërkohë në Pentagon, zyrtarët konfirmuan se aeroplanmbajtësja Carl Vinson përfundimisht po shkon drejt Koresë, dhe duhet të mbërrijë atje nga fundi i prillit. (voa)