Pas rikthimit të shpejtë në pushtet të talibanëve, NATO dhe BE kryesisht kanë heshtur. Janë qeveritë e vendeve të BE që shprehen aktualisht dhe marrin vendime.
Shërbimin Diplomatik të BE e gjeti me sa duket të papërgatitur marshimi i shpejtë i talibanëve dhe dorëzimi i shpejtë i qeverisë afgane. Vetëm të enjtën e kaluar, krydiplomati i BE, Josep Borrell shkroi, se talibanët duhet të kthehen në tryezën e bisedimeve në Doha, të bien dakord për një armëpushim dhe një qeveri me pjesëmarrjen e të gjitha palëve. Të shkruash këtë dy ditë para rënies së Kabulit, do të thotë të mos e njohësh gjendjen.
Të hënën në mëngjes pasoi lutja që të garantohet tërheqja e rregulluar dhe e sigurtë e të gjithë të huajve dhe afganëve që kanë punuar për forcat e huaja. Kjo lutje është nënshrkuar nga përfaqësues të BE dhe pjesë të bashkësisë ndërkombëtare. Skenat kaotike në Kabul tregojnë, se është i mundur vetëm evakuimi ushtarak. Të martën pasdite është planifikuar takimi i posaçëm i ministrave të Jashtëm të BE.
Paralajmërime dhe ankesa nga Parlamenti Europian
Presidenti i Parlamentit Europian kërkon një reagim të përbashkët të BE. Kush përndiqet, ai duhet të ketë mundësi të marrë azil, tha David Sassoli. Afganistani ka nevojë për një zgjidhje politike të qëndrueshme që mbron të drejtat e grave dhe u lejon afganëve të jetojnë në siguri dhe dinjitet. Zëdhënësit për politikën e jashtme tek Partitë Popullore Europiane, paralajmërojnë, se duhen evakuuar njerëzit atje. “Krahas forcave afgane të punës së Bundeswehrit, pishtarin e lirisë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut e kanë mbajtur edhe mjeket, kryebashkiaket, aktivistet për të drejtat e grave në Afganistan.” Të Gjelbrit kërkojnë që BE të evakuojë të paktën 600 forca lokale bashkë me familjet e tyre të misionit të policisë së BE, EUPOL, të delegacionit të BE në Kabul, të misionit të ndihmës, ECHO. “Europa duhet të përmbushë përgjegjësinë për forcat lokale të misioneve të BE. Në vend të veprojnë shpejt, Komisioni i BE dhe qeveritë kombëtare grinden për kompetencat”, kritikon zëdhënësi i të Gjelbërve dhe eurodeputeti, Sven Giegold.
Reagime të NATO-s
Në disa vende europiane, anëtare të NATO-s, të hënën u zhvilluan takime të komiteteve të sigurisë, si në Britaninë e Madhe, Belgjikë, Francë. Shtabi qendror i NATO-s në Bruksel heshti. Ministri britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace bëri të ditur një procedurë të përshpejtuar për punonjësit civilë. “Aty ku rregullat mund të zbuten kjo do të bëhet.” Britania e Madha planifikon evakuimin e 1200 deri në 1500 njerëzve në ditë, sa kohë që Kabuli ende ka kontroll perëndimor. Si datë e fundit është përcaktuar 31 gushti. “Disa nuk do t’ia dalin”, tha Wallace. Kjo është e trishtueshme. Vetëm afganët që ia kanë dalë të vijnë deri në Kabul kanë shans të evakuohen.
Në Berlin zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme deklaroi, se është e paqartë, sa kohë mund të vazhdojnë evakuimet nga Kabuli. Kancelarja Merkel bëri fjalë të hënën për “orë të hidhura”. Qeveria gjermane ka identifikuar para muajsh 2500 forca lokale, kësaj i shtohen 2000 aktivistë për të drejtat e njeriut e avokatë së bashku me familjet e tyre, gjithsej rreth 10.000 vetë. Gjermania aktualisht evakuon në bashkëpunim me SHBA. “Pa ndihmën e SHBA ne nuk mund ta kryejmë një mision të tillë”, tha Merkel. Për femrat e ata që u angazhuan për lirinë këto janë “ngjarje të hidhura.” Kandidati i CDU për kancelar, Armin Laschet u shpreh, se zhvillimi në Afganistan është “dështimi më i madh që nga themelimi i NATO-s”.
Në Paris u zhvillua të hënën një takim i posaçëm i Këshillit të Mbrojtjes me presidentin Macron. Në një fjalim televiziv, Macron u shpreh se Franca do të pranojë aktivistë të kërcënuar të shoqërisë civile, artistë, gazetarë “Ne do t’i mirëpresim ata, sepse është nder për Francën të jetë në krah të atyre që luftojnë për lirinë.” Për mes një ure ajrore në Abu Dhabi do të evakuohen krahas personelit të ambasadave edhe punonjës afganë e aktivistë. Tek qeveria franceze ashtu si edhe në mjaft qeveri të BE ekziston frika e një krize të re refugjatësh, në rast se miliona afganë marrin rrugën drejt BE. Ministri grek i Migracionit, Notis Mitarakis e bëri ndërkohë të ditu se Greqia nuk do të shërbejë si “portë hyrëse për një valë të re refugjatësh”.
dw