Në SHBA, krerët e agjencive të zbulimit paralajmëruan se kërcënimi i Rusisë, pas përpjekjeve të saj për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale amerikane, nuk ka të ngjarë të pakësohet. Përkundrazi, thanë ata, Moska pritet të bëhet më agresive dhe më e paparashikueshme.
Nëse kishte ndonjë shpresë se marrëdhëniet amerikano-ruse mund të përmirësoheshin pas takimeve të nivelit të lartë të kësaj jave, ajo u shua shpejt nga zyrtarët më të lartë amerikanë të zbulimit.
“Është e qartë se rusët e kanë intensifikuar lojën e tyre, duke përdorur mediat sociale dhe mjete të tjera me mënyra që nuk i kemi parë më parë. Ky është një kërcënim i madh për procesin tonë demokratik”, - thotë Dan Coats, Drejtor i Zbulimit Kombëtar.
Gjatë një seance me pyetje-përgjigje në Senat, drejtori në detyrë i FBI-së shkoi deri aty sa të kundërshtonte pohimet e Shtëpisë së Bardhë se hetimi i kësaj agjencie rreth ndërhyrjes ruse në zgjedhjet amerikane dhe bashkëpunimi i mundshëm me njerëzit e fushatës së zotit Trump, është “një ndër gjërat më të vogla” në axhendën e saj.
“A është ky një hetim i vogël krahasuar me gjithë punën tjetër që po bëni?” pyeti senatori Angus King.
“Ne e konsiderojmë atë një hetim shumë të rëndësishëm,” u përgjigj Andrew McCabe, drejtor në detyrë i FBI-së.
Përgjigjja ishte në të njëjtën linjë me paralajmërimet e mëparshme të zyrtarëve të lartë, përfshirë sekretarin e mbrojtjes Jim Mattis, i cili në seancën e tij të konfirmimit e quajti Rusinë kërcënimin më të madh për stabilitetin amerikan dhe atë global.
Por nën Presidentin Donald Trump, kjo pikëpamje ka ndryshuar. Krerët e zbulimit u thanë ligjvënësve të enjten se kërcënimi që vjen nga një Kore Veriore me armë bërthamore është tani përparësia e tyre kryesore.
“Nuk do të thosha se, pavarësisht se nuk është më në titujt kryesorë, rreziku që lidhet me kërcënimin e Kim Jong Unit ka ndonjë rënie”, tha Mike Pompeo, drejtor i CIA-s.
Zyrtarët refuzuan të thonë se sa afër është Koreja e Veriut nga aftësia për të goditur SHBA me një raketë bërthamore. Por ata vunë në dukje se çdo provë me raketë, qoftë edhe e dështuar, e sjell Penianin më afër këtij objektivi.
“Ata janë në këtë rrugë dhe të vendosur ta bëjnë këtë,” - tha gjeneral Vincent Stewart, drejtor i Agjencisë së Zbulimit të Mbrojtjes.
Mes kërcënimeve kryesore, sipas zyrtarëve, është edhe grupi terrorist Shteti Islamik. Zyrtarët paralajmërojnë se ISIS-i po përgatitet të riorganizohet në Irak dhe Siri dhe ende është i aftë të organizojë dhe frymëzojë sulme në të gjithë botën, pavarësisht humbjeve të mëdha në fushën e betejës.
Është pastaj Irani, i cili megjithëse deri tani po e respekton marrëveshjen bërthamore, vazhdon të luajë rol aktiv në Siri, Irak dhe gjetkë, duke përhapur ndikimin tij. Sipas zyrtarëve, ai ka në komandë rreth 10 mijë luftëtarë milicie në të gjithë rajonin. (voa)