Aksident me të vdekur në Bavari: “Një nga fatkeqësitë më të rënda hekurudhore”

Aksident hekurudhor në Bad Aibling: Shumë forca të ndihmës së shpejtë kujdesen për rreth 100 të plagosurit në vendin e katrastrofës në Bavari. Të paktën nëntë vetë kanë humbur jetën.

aksident treni gjermani

Fatkeqësi në Bad Aibling

Një numër i madh forcash të ndihmës së shpejtë me ambulanca dhe helikopterë shpëtimi ndodhen në vendngjarje, një rrëpirë në afërsi të Bad Aibling bavarez. Por forcat e shpëtimit arrijnë të depërtojnë me vështirësi. Sipas të dhënave të policisë janë nxjerrë deri në mesditë 8 viktima nga rrënojat e dy trenave mjaft të shkatërruar. Numri i viktimave me gjasë mund të rritet. Rreth 100 pasagjerë janë plagosur nga përplasja e dy trenave të transportit rajonal, 90 prej tyre me lëndime të lehta dhe 10 të plagosur rëndë.

Ministri i Brendshëm i Bavarisë, Joachim Hermann është i tronditur nga fatkeqësia. “Është një nga fatkeqësitë më të rënda hekurudhore të kohëve të fundit në Gjermani dhe veçanërisht në Bavari”, ka thënë ai. “Ende nuk e dimë nëse ka viktima të tjera në vagonët që kanë ngecur tek njëri-tjetri. Kjo është e tmerrshme.” Hermann sheh si parësore kujdesin e nxjerrjen e të lënduarve nga trenat. Megjithëse ende nuk dihet saktë shkaku i aksidentit ministri Hermann ka thënë se “çfarë nuk është komunikuar si duhet mes stacioneve startuese nga ku kanë ardhur trenat – kjo mbetet të hetohet tnai me kujdes”.

Sipas të dhënave të “Deutsche Bahn” hekurudhës gjermane të dy trenat “Meridian” u aksidentuan në itinerarin njëshinësh. Aksidenti ka ndodhur rreth orës 7 të mëngjesit, kohë kur shumë të punësuar përdorin trenin për në vendin e punës. Për fat nuk ka pasur asnjë nxënës, pasi në Bavari aktualisht fëmijët ndodhen me pushime. Një tren doli si pasojë nga shinat, disa vagonë u rrëzuan. Këta trena rajonalë i përkasin firmës franceze të transportit hekurudhor, Transdev. Nën emrin “Meridian” ata përshkojnë linjë Mynih-Rosenheim. Ndërkohë edhe landi austriak i Tirolit po i ofron Bavarisë trupa shpëtimi dhe helikopterë të ndihmës së shpejtë.

Ngushëllim për viktimat

Ndërsa përgjegjëse për itinerarin ku ndodhi fatkeqësia është Hekurudha e Bavarisë së Sipërme (BOB-Bayerische Oberlandbahn) -Kreu i saj, Bernd Rosenbusch u shpreh se “aksidenti është një tronditje e rëndë për ne. Po bëjmë gjithçka për të ndimuar pasagjerët, të afërmit dhe punonjësit.” Kreu i Hekurudhës Gjermane- Deutsche Bahn, Rüdiger Grube u ka shprehur të afërmve të viktimave ngushëllimet e tij. “Ne jemi në këtë moment me mendje tek të afërmit e vitkimave dhe të lënduarit”, ka thënë Grube.

Hanjo Wietersheim i ngarkuari i kishës protestante të Bavarisë për kujdesin e të lënduarve nga katastrofat shprehet se janë dërguar 600 kujdestarë të kishës për raste katastrofash në vendngjarje. “Kujdesi ynë në terren bëhet për aq kohë sa të kthjellohet situata. Por puna nuk përfundon këtu. Kur policia duhet të sjellë lajmin e vdekjes, janë kujdestarë të tillë që ofrojnë ndihmën psikologjike për të afërmit. Shumë më vonë bëhet fjalë për të punuar me forcat e shpëtimit dhe policinë që kanë ndihmuar në përballimin e katastrofës.” (dw)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>