Amerikanët po votojnë të martën në gjithë vendin në zgjedhjet presidenciale, pas një fushate të gjatë dhe të ashpër, pas apeleve të fundit për votuesit të kandidates demokrate Hillary Clinton dhe atij republikan, Donald Trump.
Zonja Clinton i quajti zgjedhjet “sfida e kohës sonë”, ndërsa zoti Trump deklaroi se “sot është dita jonë e Pavarësisë”. Ata folën në orët e para të së martës, ndërsa dita e tyre e fundit e fushatës, shkoi përtej mesnatës.
Tubimet, në Karolinën e Veriut për zonjën Clinton dhe në Miçigan për zotin Trump, po vazhdonin kur dolën rezultatet e para të votimeve nga Dita e Zgjedhjeve. Zonja Clinton mori shumicën e votave në qytetin e vogël Dixville Notch në shtetin New Hampshire, duke fituar ndaj zotit Trump me katër vota ndaj dy të tijave.
Radhë të gjata votuesish prisnin në shtete si Virxhinia dhe Nju Jork, ndërsa hapeshin qendrat e votimit.
Rezultatet nga 50 shtete dhe kryeqyteti Uashington, nuk do të shpallen deri pasi të mbyllen qendrat e votimit në secilin prej tyre. Në orën 8 të mbrëmjes, sipas kohës së Uashingtonit, qendrat e votimit do të jenë mbyllur në pjesën më të madhe të zonave lindore dhe qendrore të vendit, të cilat përfshijnë mbi gjysmën e 538 votave elektorale.
Në fjalimin e fundit në Karolinën e Veriut, zonja Clinton foli për bashkim, duke u thënë përkrahësve të saj se dëshiron të jetë Presidente si për ata që votojnë në favor të saj, edhe ata që votojnë kundër.
“Vite më pas, kur fëmijët dhe nipërit e mbesat, t’ju pyesin se si vepruat në vitin 2016 kur vendosej fati i vendit, do të mund t’u thoni se votuat për një Amerikë më të fortë, më të drejtë dhe më të mire. Një Amerikë ku ndërtojmë ura, jo mure dhe ku mund ta vërtetojmë përfundimisht se dashuria fiton mbi urrejtjen”.
Zoti Trump u tha mbështetësve të tij në Miçigan se fitorja e tij do të sillte “ndryshim të vërtetë” në vend dhe do t’i jepte mundësi klasës së mesme që të “refuzojnë” ata që ai I quajti politikanë të korruptuar dhe grupet e interesave që kanë mbizotëruar në vend.
“Prandaj, e para gjë që duhet të bëjmë është të heqim qafe Hillarinë. Ky do të ishte një hap i pare shumë pozitiv”, tha ai.
Zoti Trump bëri gjitahshtu fushatë në Karolinën e Veriut, Florida, Miçigan dhe Pensilvani, të gjitha shtete që do të jenë vendimtare për garën.
Zonja Clinton mbajti një tubim në Filadelfia, e shoqëruar nga bashkëshorti i saj, ish-preisdenti Bill Clinton, e bija Chelsea. Presidenti Barack Obama dhe Zonja e Parë Michelle Obama.
Sondazhet e fundit para ditës së zgjedhjeve, tregonin se zonja Clinton kishte një epërsi prej 2-3 për qind ndaj zotit Trump.
Dhjetra-miliona amerikanë përfituan nga mundësia për të votuar herët në shtetet e tyre. (voa)