Imigracioni kryeson listën e problemeve më të rëndësishme me të cilat përballet Presidenti Trump dhe Kongresi, sipas një sondazhi të rrjetit CBS news.
15 për qind e amerikanëve të pyetur thonë se imigrimi është problemi më i rëndësishëm. Ekonomia dhe punësimi janë çështjet e dyta më të rëndësishme sipas 13 për qind të të pyeturve. Ndërsa shërbimi shëndetsor zë vendin e tretë, sipas 11 për qind të të anketuarve.
Shumë amerikanë sipas sondazhit mendojnë se qeveria duhet të bëjë më shumë për të garantuar se të huajt që hyjnë në SHBA nuk do të përbëjnë një rrezik për sigurinë e vendit.
Tre në 4 republikanë besojnë se nuk është bërë sa duhet për të trajtuar problemin.Pavarësisht shqetësimeve mbi rreziqet e mundshme të sigurisë, 6 në 10 amerikanë mbështesin programin që u jep shtetësi amerikane emigrantëve të paligjshëm që ndodhen tashmë në Shtetet e Bashkuara.
13 për qind besojnë se emigrantët duhet të lejohen të qëndrojnë dhe se nuk ka nevojë të aplikojnë për shtetësi. 23 për qind kërkojnë largimin e tyre nga vendi.
Pjesa më e madhe e anketimeve janë kryer para se administrata e zotit Trump të nxirrte memorandumin për emigracionin e paligjshëm dhe deportimin. (voa)