Partitë e koalicionit të ardhshëm qeveritar ranë dakord për të formuar qeverinë e re të Gjermanisë. Marrëveshjen e re ata e njoftuan të mërkurën pasdite.
Rreth dy muaj pas zgjedhjeve federale, SPD, të Gjelbrit dhe FDP prezantuan sot marrëveshjen e tyre të koalicionit për një qeveri të përbashkët. Deri tani, ata kishin heshtur për shumë detaje.
Kandidati i partisë socialdemokrate gjermane, Olaf Scholz tha se tre parti kishin arritur një marrëveshje për të formuar një qeveri të re të Gjermanisë. Kjo qeveri do t’i japë fund epokës së kancelares Angela Merkel.
Scholz, i cili do të zëvendësojë Merkelin, tha se qeveria e re nuk do të kërkojë “sa më pak të jetë e mundur”. Kjo qeveri nuk do të kërkojë “emëruesin më të vogël të përbashkët, por politikën e ndikimeve të mëdha”. Ai tha se pret që anëtarët e partive të japin mbështetje për marrëveshjen e koalicionit në 10 ditët e ardhshme.
Gjermania pioniere në mbrojtjen e klimës
SPD, të Gjelbrit dhe FDP paraqitën pikat e forta të marrëveshjes së tyre të koalicionit. Kandidati për kancelar i socialdemokratëve Scholz tha se aleanca trepalëshe dëshiron ta bëjë Gjermaninë pioniere në mbrojtjen e klimës. Sipas marrëveshjes së koalicionit, Gjermania synon marrë 80 për qind të energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme deri në vitin 2030.
Fillimisht, Scholz mbajti një deklaratë për gjendjen e pandemisë së Coronas në Gjermani. Scholzi u shpreh në favor të një vaksinimi të detyrueshëm kundër koronas në disa institucione që strehojnë grupe me rrezik të lartë. “Vaksinimi është zgjidhja për të dalë nga kjo pandemi”, tha ai në Berlin. “Në institucionet ku ka veçanërisht grupe vulnerabël, duhet ta bëjmë të detyrueshëm vaksinimin”.
Qeveria e ardhshme, e cila do të drejtohet nga SPD, me partnerë Të Gjelbrit dhe Demokratët e Lirë, do të formojnë një organ këshillues ekspertësh, i cili do të informojë çdo ditë administratën për pandeminë, u tha Scholz gazetarëve.
Punonjësit e shëndetësisë dhe personeli kujdestar do të marrë gjithashtu një ngritje të posaçme page. Për këtë partitë e koalicionit të ri kanë rezervuar një miliard euro.
Politika e jashtme në marrëveshjen e koalicionit
Politika e jashtme në tërësi zuri pak vend në konferencën e shtypit.
Koalicioni i ri qeveritar do ta vendosë mbrojtjen e një “Evrope sovrane” në qendër të politikës së tij të jashtme, tha kancelari i ardhshëm Olaf Scholz.
“Evropa sovrane është çelësi dhe është një detyrë për politikën tonë të jashtme”, deklaroi socialdemokrati Olaf Scholz. Ai dëshiron “të bëjë të mundur këtë Evropë sovrane, ta nxisë dhe ta bëjë të përparojë”.
Në deklaratën qeveritare Olaf Scholz tha se politikën e jashtme Gjermania do ta zhvillojë në miqësi me Francën dhe në partneritet me SHBA.
Zgjerimin e BE me shtetet e Ballkanit Perëndimor e mbështesin edhe partitë e koalicionit. Veçanërisht Të Gjelbrit dhe socialdemokratët e patën këtë edhe pjesë të programit të tyre elektoral.
Pyetjes së DW, pse politika e jashtme është pas faqes 100 në marrëveshje, Scholz-i tha se është i ndërgjegjshëm për vendin e Gjermanisë në politikën botërore. Ai tha se Gjermania nuk do të jetë në pozicionin e atyre që vetëm japin komente.
Veçanërisht bashkëpunimit me SHBA i kushtojmë rëndësi të madhe, në botën që është bërë multipolare tha kancelari i ardhshëm i Gjermanisë.
Bisedime me pak informacione publike
Partitë respektuan afatin që kishin shpallur, përkatësisht formimin e koalicionit të parë federal me ngjyrat e semaforit deri në Krishtlindje. Qëllimi i përbashkët është zgjedhja e Ministrit aktual të Financave Olaf Scholz (SPD) si Kancelar Federal.
Negociatat e koalicionit filluan më 21 tetor. Ato u zhvilluan rreth një tryeze kryesore të rrumbullakët të përbërë nga shtatë përfaqësues të nivelit të lartë nga secila parti dhe 22 grupe pune. Në këtë të fundit, ekspertë partiakë negociuan detajet e marrëveshjes së koalicionit.
Kandidati për kancelar i SPD, Olaf Scholz, vlerësoi atmosferën e negociatave.
Por të Gjelbërit, në veçanti, kanë shprehur ditët e fundit kritika. “Ndonjëherë ishim vërtet të ngopur, sepse patëm ndjesinë se vetëm të Gjelbrit ishin përgjegjës për mbrojtjen e klimës”, u shpreh para disa ditësh Annalena Baerbock, bashkëkryetare e të Gjelbërve.
Neutraliteti klimatik duhet të jetë udhërrëfyesi për çdo fushë politike – jo vetëm për një ministri mjedisi, por edhe për bujqësinë, transportin dhe mbi të gjitha për ekonominë dhe industrinë, u shpreh Baerbock-u.
Scholz nuk e sheh koalicionin si një aleancë të thjeshtë për një periudhë zgjedhore, njësoj si kreu i FDP-së, Christian Lindner. Po të shikoni platformat zgjedhore si një pikënisje, koalicioni tripartiak padyshim filloi si një aleancë për një synim të caktuar, por mund të rezultojë më shumë në të ardhmen, është shprehur Lindneri. “Një koalicion duhet të fillojë punën me synimin për t’u rizgjedhur së bashku”.
dw