Misionet e njeriut në hapësirën e thellë janë ende larg, por agjencitë e hapsirës po testojnë procedurat, paisjet dhe qendrueshmërinë e njeriut për të vepruar në kushte ekstreme. Grupe të vogla astronautësh po trajnohen në një laborator nënujor në brigjet jugore të Floridës, duke simuluar misione të së ardhmes në hapësirën e largët.
Në parapërgatitjet për misionet e planifikuara në Hënë, në një asteroid dhe në Mars, agjencitë perëndimore të hapësirës po trajnojnë astronautët në një laborator nënujor, 20 metra poshtë sipërfaqes së oqeanit në Key Largo të Floridës. Mes provave të shumta është edhe toleranca mes astronautëve brenda një hapësire të vogël. Luca Parmitano është astronaut nga Italia.
“Duhen njerëz që mund të përshtaten, të qetë dhe të gatëshëm të japin dhe zbatojnë urdhëra. Duhet një balancë e mirë në kushte të tilla për të drejtuar një mision me kujdes.”
Luca Parmitano me Agjencinë Evropiane të Hapësirës, astronautët e NASA-s Serena Aunon dhe David Coan, dhe astronauti japonez Norishige Kanai, janë grupi i 20-të i që trajnohen në bazë të programit NEEMO për kushtet ekstreme.
Një ekip i madh në sipërfaqe që mbështet operacionet si dhe dy polumbarë që jetojnë në laborator, i ndihmojnë astronautët të trajnohen në kushte të ndryshme. Përsëri italiani Parmitano:
“Në oqean përdorim paisjet që kontrollojnë pluskimin për të krijuar kushte specifike që i përshtaten gravitetit që duam duke simuluar kështu ndjesinë e të qënit në një planet, asteroid apo në hënë.”
Testimi i procedurave të reja merr shumicën e kohës thotë Luca.
“Artificialisht imitojmë vonesën kohore, pra lidhjet e komunikacionit janë të vonuara për të studiuar se çfarë mund të ndodhë nëse jemi në sipërfaqen e Marsit dhe nuk kemi përgjigje direkte.”
Ndodh që paisjet e ndërtuara për hapsirën të mos funksionojnë mirë nën ujë, thotë astronauti japonez Norishige Kanai.
“Po përpiqemi të shfrytëzojmë metodat tona për kërkimet shkencore por ndodh që ndonjëherë nuk funksionojnë mirë. Në këtë rast duhet të përdorim paisjet e zakonshme që përdorin shkecëtarët për mbledhjen e mostrave.”
Kampionet mblidhen për Universitetin Ndërkombëtar të Floridës që zotëron edhe laboratorin e nënujshëm. Shkencëtarët e universitetit do t’i përdorin mostrat në studimet e tyre. (voa)