Atentati ndaj ish-presidentit; a do të ndryshojë trajektorja e garës presidenciale?

Biden

Atentati ndaj ish Presidentit Donald Trump ka larguar vëmendjen nga debati mbi të ardhmen politike të Presidentit Joe Biden. Por, ndërsa zoti Trump hodhi një hap përpara të hënën, duke bërë një paraqitje në Kuvendin Kombëtar të Partisë Republikane dhe duke shpallur kandidatin për nënpresident, Presidenti Biden po përgatitet për vazhdimin e fushatës me ndalesa të tjera këtë javë, në këtë fazë të paqartë të garës presidenciale.

 

Dallimet e thella mes dy kandidatëve u rikthyen në qendër të vëmendjes të hënën, me skena të nxehta dhe energjike ndërsa republikanët zyrtarisht emëruan ish presidentin Donald Trump si kandidat të tyre për president në Milluoki.

“Presidenti më i mirë në historinë e vendit, Donald J. Trump”, tha Eric Trump, djali i ish presidentit Trump në Kuvendin Kombëtar të republikanëve.

Ndërkohë, Presidenti Joe Biden i bëri thirrje amerikanëve që të përmbahen nga retorika e ashpër politike pas atentatit tronditës të fundjavës ndaj zotit Trump.

Gjatë një interviste në kanalin NBC të hënën, ai tha se ende e kundërshton retorikën “nxitëse” dhe “të mbrapshtë” të zotit Trump dhe bazës së mbështetësve të tij.

Ai u pyet nëse atentati ndaj zotit Trump do të ndryshonte trajektoren e garës presidenciale.

“Nuk e di dhe as ju nuk e dini”, tha ai.

Por duket se kjo ka zgjidhur problemin e fundit politik, paraqitjen e dobët të zotit Biden në debat, që çoi në thirrjet për tërheqjen e tij nga gara për president.

“Mendoj se Joe Biden ka tejkaluar stuhinë e thirrjeve për largimin e tij nga gara për president. Por, ai duhet të bëjë paraqitje të mira”, thotë Jim Kessler nga organizata “Third Way”.

Zoti Trump, në paraqitjen e parë publike pas atentatit, u prit me brohoritje nga mbështetësit e tij në sallën, ku po mbahet Kuvendi Kombëtar i republikanëve, me thirrjet “luftoni, luftoni, luftoni”.

Presidenti Biden kritikoi zotin Trump.

“Unë nuk kam thënë se dua të bëhem diktator që në ditën e parë në detyrë, nuk kam thënë se nuk do të pranojë rezultatin e zgjedhjeve dhe nuk jam ai që ka thënë se nuk do ta pranojë rezultatin e këtyre zgjedhjeve”, tha Presidenti Biden.

Dy kandidatët kanë bërë thirrje për unitet pas atentatit ndaj zotit Trump.

Por analistët thonë se thirrja mund të ketë kuptime të ndryshme për kandidatët.

“Ata po bëjnë thirrje për unitet. Por unë mendoj se dallimet e tyre rreth konceptit të kësaj thirrjeje janë thelbësore. Mendoj se këtu qëndron problemi. Pra, ata po e bëjnë thirrje për këtë, por, në fakt, kjo mund të jetë një formë e maskuar e një mesazhi partiak”, thotë John Greer nga Universiteti Vanderbilt.

Askush nuk e di se çfarë do të ndodh tani, në këtë garë mes dy kandidatëve të moshuar, të cilët do të konkurrojnë deri në fund të kësaj gare presidenciale rraskapitëse, të ashpër, dhe emocionale.

JD Vance

as muajsh spekulimesh, ish-Presidenti Donald Trump shpalli kandidatin e tij për nënpresident.

Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Tina Trinh njofton se J.D. Vance i bashkohet garës presidenciale republikane si një nga kandidatët më të rinj për nënpresidentë që nga ish Presidenti Richard Nixon në vitin 1952. Ky emërim nga Partia Republikane vë në provë statusin e Senatorit Vance si një politikan i ri dhe pa përvojë politike.

Zonja dhe zotërinj, jam krenar të njoftoj se senatori JD Vance ka mbështetjen dërrmuese të këtij kuvendi për të qenë nënpresidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara”.

Ky njoftim në ditën e parë të kuvendit të Partisë Republikane në Miluoki u dha fund muajve të tërë spekulimesh. Ish-presidenti Donald Trump zgjodhi senatorin 39 vjeçar nga Ohajo, si kandidat për postin e nënpresidentit.

Ish Presidenti Trump shkroi në ‘Truth Social’ se zoti Vance është personi “më i përshtatshëm” për të marrë postin në fjalë.

Identiteti politik i Senatorit lidhet me një pjesë të Amerikës që ka përjetuar rënie industriale dhe me fabrika të braktisura dhe ndjenjat e tij populiste përputhen me politikat e zotit Trump për të bardhët e klasës së mesme punëtore.

“Nga kandidatët që ish-Presidenti kishte në dispozicion, senatori Vance ka lidhjet me të forta me filozofinë e Presidentit Trump të njohur me sloganin ‘Ta Bëjmë Amerikën Madhështore përsëri”, thotë Joel Goldstein, historian që ka shkruar për disa presidentë dhe nënpresidentë.

Ai thotë se kjo është e pazakontë pasi shumica e kandidatëve për nënpresident përzgjidhen në përpjekje për të bërë për vete votuesit që nuk janë pjesë e mbështetësve besnikë.

“Presidenti Trump ndoshta shpreson se ai do të ndihmojë në aktivizimin e disa votuesve, të cilët nëse do të zgjidhte një kandidat tjetër nuk do të votonin. Ai shpreson që Senatori Vance të nxisë njerëzit që kanë të kaluar të ngjashme me të, që të votojnë”, thotë historiani Goldstein.

JD Vance

Cili është JD Vance, kandidati për nënpresident i republikanëve? 

Senatori Vance u bë i njohur në vitin 2016 me librin autobiografik, “Hillbilly Elegy”, i cili tregonte me detaje varfërinë e fëmijërisë së tij dhe rënien industriale dhe ekonomike të qytetit të lindjes, Midëltaun të Ohajos.

Prindërit e tij u ndanë kur ai ishte fëmijë. Ai u rrit kryesisht nga gjyshërit e tij, pasi nëna e tij u përball me varësinë nga droga.

Senatori Vance, pas shkollës së mesme u shërbeu në ushtri si marins. Pas kësaj, ai u diplomua në Universitetin Shtetëror të Ohajos dhe studioi në Fakultetin e Drejtësisë së Universitetit Yale.

Ai punoi në San Francisko për sipërmarrësin Peter Thiel në ‘Silicon Valley’, rajonin ku janë të vendosur shumica e kompanive gjigante të teknologjisë. Zoti Thiel më pas e ndihmoi me 10 milionë dollarë fushatën e zotit Vance për Senat.

Senatori Vance më herët e kishte kritikuar ashpër ish Presidentin Trump, duke e quajtur atë “Hitleri i Amerikës”. Më pas ai u bë mbështetës i vendosur i zotit Trump. Megjithatë ai mbetet kandidati me më pak përvojë nga pretendentët e tjerë për postin nënpresidentit nga Partia Republikane.

“Unë mendoj se për shkak të moshës së dy kandidatëve për President dhe për shkak të atentatit ndaj ish-Presidentit Trump, disa votues mund të ngrenë shqetësimin nëse Senatori Vance do të jetë i gatshëm për të qenë president që në ditët e para në detyrë. Shqetësimi ka të bëjë me përvojën relativisht të shkurtër të Senatorit Vance në poste të larta qeveritare”, thotë historiani Joel Goldstein.

Në një mjedis politik gjithnjë e më të polarizuar, ndërsa zoti Trump bën thirrje për unitet, shkalla në të cilën kandidati i tij për nënpresident do të ndihmojë në zbutjen ose thellimin e ndasive, mbetet për t’u parë.

Disa orë pas atentatit ndaj ish Presidentit Trump, Senatori Vance fajësoi retorikën e fushatës së Presidentit Biden, si shkak për atentatin.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>