Austria kërkon që itinerari ballkanik të mbetet i mbyllur

Qëllimi i publikuar i Ministrisë së Brendshme të Austrisë: që itinerari ballkanik të mbetet i mbyllur për refugjatë. Lidhur me këtë kanë biseduar në Vjenë shefat e policive të vendeve ballkanike.

refugjatetAutoritetet e Austrisë duan të përgatiten mirë për valët e reja të mundshme të refugjatëve. Ministri i Brendshëm austriak Wolfgang Sobotka (ÖVP) thotë se një prej parakushteve është bashkëpunim i ngushtë me vendet fqinje. Javën e kaluar ai ka takuar disa nga kolegët e tij për të biseduar për rrugët e kalimit të refugjatëve dhe parandalimin e imigrimit ilegal. Më parë ai ka takuar homolgun italian Angelino Alfano, atë të Hungarisë Sandor Pinter, e tani bisedoi edhe me shefat e policive të shteteve ballkanike. Në takim janë propozuar masat për parandalimin e kalimeve ilegale të kufirit.

“Vala e refugjatëve, migrimet dhe lëvizjet në itinerarin e Ballkanit ende shkaktojnë shqetësime. Ne duhet të shikojmë me shumë kujdes rrugët nëpër Rumani, Bullgari, Serbi dhe vendet tjera”, tha Sobotka.

Takimi me krerët e policive

Në Vjenë ishin shefat e policisë nga Bullgaria, Greqia, Kroacia, Maqedonia, Polonia, Rumania, Serbia, Sllovakia, Çekia dhe Hungaria, si dhe përfaqësuesit e Europolit dhe Frontexit. Pas takimit nuk u dhanë shpjegime të hollësishme për masat e propozuara. “Austria është e prekur me valët e fundit të refugjatëve nga Ballkani por edhe nga Deti Mesdhe. Ne do të jemi syçelë, sepse migracionin ilegal mund ta luftojmë me sukses, vetëm nëse i harmonizojmë qëndrimet”, tha Konrad Kogler, drejtori i përjgithshëm i sigurisë publike në Austri. Ky takim konsiderohet si pjesë e përgatitjeve për konferencën ballkanike për refugjatë, e cila do të mbahet në Vjenë në mes të korrikut. Ministri i Brendshëm Sobotka tha se qëllimi kryesor është që rrugët e Ballkanit të mbeten të mbyllura.

Rrugët e reja edhe më të rrezikshme

Fabrice Leggeri, shef i Frontexit, ka shprehur shqetësim me zhvillimet e fundit. Në veçanti Italia është e ngarkuar me refugjatë, sepse kohët e fundit në Itali kanë ardhur nga Libia 13 -14 herë më shumë njerëz se sa numri i atyre që kalojnë nga Turqia në Greqi. Kjo rrugë shfrytëtzohet më së shumti prej refugjatëve nga Afrika perëndimore dhe Briri i Afrikës. Në Eritre, Senegal, Gambi, Bregun e Fildishtë dhe Nigeri po mbretëron një gjendje e rëndë dhe nuk ka një perspektivë të duhur ekonomikel. Por këto rrugë po i shfrytëzojnë edhe persona të tjerë, thotë Liggeri.

Austria ka shprehur gatishmër që të mbështesë me ekspertë për përballjen e kësaj vale dhe hapjen e “Hotspots”, në mënyrë që të ardhurit të regjistrohen që në anije. “Ata që nuk kanë nevojë për mbrojtje duhet të kthehen, ndërsa të tjerët mund të futen në Itali”, thotë Sobotka.

Itinerari ballkanik

Me mbylljen e itinerarit ballkanik dhe nënshkrimin e Marrëveshjes mes BE dhe Turqisë, numri i refugjatëve që kalojnë nga ky vend në Greqi ka rënë në mënyrë dramatike. Këtë konfirmojnë edhe të dhënat e fundit. Por gjendja e atyre që kanë mbetur në Ballkan është shumë e rëndë, mendon Armina Galijas nga Qendra për Studime Juglindore në Graz. “Ata po përpiqen të kalojnë në vendet perëndimore, ndërsa kontrabandistët kërkojnë tani shumë edhe më të mëdha parashë“. Ajo kritikon edhe sjelljet e përfaqësuesve të BE. “Shumë politikanë në Ballkan konsiderohen si autoritar dhe nacionalistë. Por kur u përgjigjen kërkesave për ndalimin e refugjatëve, atëherë trajtohen si partner të rëndësishëm“, thotë Galijas.

Tani edhe Austria ka plane të reja me partnerët në Ballkan. “Bashkëpunimi i mirë mes vendeve tona ka qenë çelësi i ndalimit të valës së refugjatëve”, pohon Konrad Kogler. Takimi në Vjenë kishte për qëllim që ky bashkëpunim të vazhdojë. (dw)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>