Autopiloti i Teslës, autoritetet amerikane nisin hetimet

makina teslaAutoritetet amerikane kanë nisur hetimet për vdekjen e parë që mund të jetë shkaktuar nga teknologjia automatike për drejtimin e mjeteve. Drejtuesi i një makine Tesla humbi jetën në Florida në maj, pasi u përplas me një kamion. Në qendër të vëmendjes është opsioni i autopilotit në makinat Tesla, i cili ndërron korsitë automatikisht dhe reagon ndaj trafikut.

Në një komunikatë për shtyp, kompania Tesla tha për rastin në hetim se makina Modeli S nuk mund të bënte dallim mes rimorkios së bardhë të një kamioni dhe qiellit të shndritshëm. Sipas kompanisë, vdekja e drejtuesit të mjetit ishte një humbje tragjike. Viktima ishte piloti testues i Teslës, Xhoshua Braun, 40-vjeçar.

Kompania gjithashtu theksoi se makinat Tesla me autopilot kanë bërë deri më sot 210 milionë kilometra pa asnjë problem.

Rregullatorët amerikanë do të hetojnë nëse opsioni i autopilotit funksionoi siç duhet apo kishte defekt. Ekspertët thonë se ky incident mund të shndërrohet në një goditje të fortë për reputacionin e teknologjisë autonome, në një kohë kur autoritetet në të gjithë botën po përpiqen ta fusin në qarkullim në rrugët publike.

Opsioni i autopilotit u prezantua nga Tesla tetorin e shkuar dhe gjatë konferencës për shtyp, shefi ekzekutiv i kompanisë Elon Musk tha se duhet kujdes në përdorimin e kësaj teknologjie dhe se shoferi nuk mund të çlirohet nga përgjegjësitë.

/ Top Channel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>