Autoritetet gjermane i bëjnë thirrje popullatës të përgatitet për sasi të pamjaftueshme të gazit

gaziNisur nga droja se Rusia mund të ndërpresë tërësisht furnizimin me gaz natyror, kreu i Agjencisë Rregullatore gjermane për Energjinë Klaus Mueller, i bëri thirrje popullatës të shtunën të kursejë energjinë, e të përgatiten për dimrin, periudhë gjatë së cilës përdorimi i gazit rritet.

Zoti Mueller u bëri thirrje konsumatorëve familjarë të kontrollojnë dhe rregullojnë kaldajat si dhe radiatorët e gazit për të maksimizuar efikasitetin e tyre.

Mirëmbajtja, mund ta ulë konsumin e gazit me 10% deri në 15%“, tha ai për gazetën gjermane “Funke Mediengruppe”.

Apeli vjen ndërsa në fillim të këtij muaji Rusia reduktoi sasinë e gazit që eksporton drejt Gjermanisë, Italisë, Austrisë, Republikës Çeke dhe Sllovakisë dhe në një kohë kur vendet e Bashkimit Evropian po hasin në vështirësi për të siguruar sasi rezervë karburanti.

Kompania shtetërore ruse Gazprom bëri të ditur se shkaku i reduktimit të sasisë së gazit natyror ishte një problem teknik me tubacionin Nord Stream 1, një gazsjellës që kalon nën Detin Baltik, e transporton gaz nga Rusia në Gjermani.

Kompania tha se pajisjet që po riparohen në Kanada kishin ngecur atje për shkak të sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë lidhur me luftën e saj në Ukrainë.

Udhëheqësit gjermanë e kanë hedhur poshtë këtë pretendim dhe e kanë quajtur uljen e sasisë së gazit, një veprim politik, si reagim ndaj sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Moskës.

Zëvendëskancelari gjerman Robert Habeck, i cili është gjithashtu ministër i Ekonomisë dhe Klimës, si dhe përgjegjës për çështje të energjisë, ka paralajmëruar se një “bllokim” i tubacionit është i mundur duke filluar nga 11 korriku, kur dhe do të nisë procesi normal i mirëmbajtjes së tij. Në sezonet e mëparshme verore, ky proces ka çuar në mbylljen e Nord Stream 1 për rreth 10 ditë, tha ai.

Pyetja që ngrihet është nëse ai që duhet të jetë një proces mirëmbajtjeje i rregullt i gazsjellësit Nord Stream 1, do të shndërrohej në një “mirëmbajtje politike” më afatgjatë“, tha zoti Mueller.

Nëse sasia e gazit që vjen nga Rusia “do të ulej për një periudhë më të gjatë kohore, do të na duhet të mendojmë më seriozisht për kursime”, tha ai.

Sipas zotit Mueller, në rast të ndërprerjes së furnizimit me gaz, do të mbroheshin fillimisht konsumatorët familjarë sikurse spitalet apo shtëpitë e pleqve.

Ai tha se agjencia e tij nuk sheh ndonjë skenar sipas të cilit sasia e gazit që vjen në Gjermani do të ndërpritej tërësisht.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>