Një aeroplan që funksionon tërësisht me energji diellore u ul sot në mëngjes në Sevilje të Spanjës, pas një udhëtimi prej 71 orësh nga Nju Jorku.
Avioni Impulsi Solar 2, i cili ka vetëm një ndënjëse, u nis nga aeroporti John Kennedy i Nju Jorkut të hënën në mëngjes, për fazën e 15-të udhëtimit të tij rreth botës.
Avioni fluturon me një shpejtësi mesatare prej 70 kilometrash në orë.
Solar Impulse 2 është i ndërtuar me fibër karboni dhe peshon pothuajse sa një automobil. Krahët e tij arrijnë një gjatësi të përgjithshme prej 72 metrash, më shumë se sa ato të një Boeingu 747.
Në krahë janë montuar 17 mijë qeliza diellore, të cilat shfrytëzojnë energjinë e diellit për të ngarkuar bateritë në bord. (voa)