Marrëdhëniet ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Izraelit u përkeqësuan të hënën, në prag të njohjes së shtetit palestinez nga vendet anëtare të BE-së, Irlanda dhe Spanja dhe këmbënguljes të Madridit që ndaj Izraelit të vendosen sanksione pas sulmit të përgjakshëm në Rafah.
Si kundërpërgjigje ndaj këtij propozimi, ministri i Jashtëm izraelit Israel Katz njoftoi autoritetet spanjolle se nuk do të lejojë më ofrimin e shërbimeve për palestinezët në konsullatën spanjolle në Jerusalem.
Ndërkohë Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikën e Jashtme, Josep Borrell përkrahu plotësisht Gjykatën Ndërkombëtare Penale, prokurori i së cilës kërkon lëshimin e një urdhër-arresti për Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe persona të tjerë, përfshirë udhëheqësit e grupit militant Hamas.
“Prokurori i gjykatës është shantazhuar dhe akuzuar për anti-semitizëm – si gjithnjë kur dikush ndërmerr ndonjë veprim që nuk i pëlqen qeverisë së Netanyahut,” deklaroi zoti Borrell. “Fjala antisemitizëm është shumë e rëndë. Është shumë e rëndësishme”.
Fjalë të rënda u shkëmbyen të hënën. Ministri izraelit Katz akuzoi Spanjën se “po shpërblen terrorizmin” duke njohur shtetin palestinez dhe duke thënë se “ditët e Inkuizicionit kanë marrë fund”. Ai iu referua një politike famëkeqe spanjolle të shekullit 15 që i detyroi hebrenjtë dhe myslimanët të largoheshin nga Spanja, të konvertoheshin në katolicizëm, apo në disa raste të përballeshin me vdekjen.
“Askush nuk do të na detyrojë të konvertojmë fenë tonë apo të kërcënojë ekzistencën tonë – ata që na dëmtojmë, do t’i dëmtojmë”, tha zoti Katz.
Ministri i Jashtëm i Spanjës, Jose Manuel Albares i kritikoi këto komente dhe tha se homologët e tij nga Irlanda dhe Norvegjia, që nuk është anëtare e BE-së, “ishin pre e provokimeve plotësisht të pajustifikuara dhe të papranueshme nga kolegët izraelitë” për shkak të planeve të tyre për ta njohur shtetin palestinez.
“Uniteti i evropianëve është thelbësor për të dërguar një mesazh shumë të fuqishëm përballë atyre që duan të na përçajnë përmes propagandës shantazhuese”, tha ai.
Ndonëse BE-ja dhe shtetet anëtare të saj e kanë dënuar fuqishëm sulmin e Hamasit më 7 tetor kur u vranë 1,200 njerëz dhe u morën peng 250 persona, blloku po ashtu ka kritikuar njësoj edhe ofensivën e Izraelit si kundërpërgjigje ndaj sulmit, që ka lënë mbi 35,000 palestinezë të vrarë, sipas ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e kontrolluar nga Hamasi, që nuk bën dallimin midis civilëve dhe personave të armatosur.
Ministri spanjoll Albares tha se Spanja dhe shtetet e tjera kanë kërkuar nga zoti Borrell “listën e masave që BE-ja mund t’i zbatojë” për ta shtyrë Izraelin që të respektojë vendimin e GJND-së dhe të shpjegojë se çfarë ka bërë në situata të ngjashme në të kaluarën “kur kishte shkelje të rëndë të ligjit ndërkombëtar”.
Spanja, Irlanda dhe Norvegjia planifikojnë ta bëjnë zyrtar vendimin e tyre për ta njohur shtetin palestinez të martën. Vendimi i tyre i përbashkët për një hap të tillë nxiti një kundërpërgjigje të ashpër nga Izraeli, duke thirrur ambasadorët e këtyre vendeve në Ministrinë izraelite të Punëve të Jashtme në Tel Aviv, ku ata u filmuan ndërkohë që po shikonin pamjet e sulmit të Hamasit me 7 tetor dhe rrëmbimin e pengjeve.
Ndonëse dhjetëra vende e kanë njohur shtetin palestinez, asnjëra nga fuqitë perëndimore nuk e ka bërë një gjë të tillë dhe mbetet e paqartë se sa do të ndikojë në praktikë vendimi i tre shteteve. Njohja, megjithatë, është një arritje e rëndësishme për palestinezët, të cilët besojnë se ky veprim i jep legjitimitet ndërkombëtar betejës së tyre.
Ministri Albares kritikoi trajtimin e ambasadorëve evropianë nga ana e Izraelit. “Kundërshtojmë diçka që nuk është pjesë e kortezisë diplomatike dhe rregullave të Konventës së Vjenës mbi Marrëdhëniet Diplomatike”, tha ai.
“Por njëkohësisht duhet të pajtohemi që nuk do të biem pre e provokimeve që na largojnë nga qëllimi ynë”, shtoi ai. “Qëllimi ynë është të njohim shtetin e Palestinës nesër, të bëjmë të gjitha përpjekjet për të arritur një armëpushim të përhershëm sa më shpejt që është e mundur dhe që gjithashtu, në fund, të arrijmë paqen e plotë”.
voa