Në shoqëritë me shumicë myslimane ajo ende konsiderohet si pjesë e një fushate legjitime, për çlirimin e grave nga tradita mbytëse
Tunis – Fotot e grave me mbulesa të gjata islame, fytyra të mbuluara dhe me fustane të gjata, pranë fotografive të vjetra të grave, me funde të shkurtra nga vitet 1950 dhe 1960 në Afrikën e Veriut dhe Lindjen e Mesme shpesh vendosen së bashku në mediat sociale për ta vënë në dukje një qëllim.
Mesazhi themelor është: “Shikoni se çfarë është bërë me shoqëritë arabe gjatë 50 viteve të fundit”.
Për ata që shpërndajnë foto të tilla, kjo është shenja më e dukshme sesi vendet e tyre kanë ngecur dhe kanë braktisur idealet e përparimit dhe modernitetit, shembull i të cilave është përshtatja e një stili jetese perëndimore.
Interpretim ndryshe
Por, për forcat konservatore, që kanë formësuar rajonin në dekadat e fundit, është krejt e kundërta: është një akt pozitiv i pohimit të identitetit mysliman në shoqëritë, që për një kohë të gjatë ishin të kolonizuara dhe kishin një stil jetese perëndimore të imponuar mbi ta, fillimisht nga sundimtarët kolonialistë, dhe më pas nga elitat e perëndimorizuara jashtë kontaktit me kulturën vendase.
Nga Maroku në Egjipt dhe më gjerë, çështja e “kodit të veshjes islame”, në veçanti mbulesës apo hixhabit, ka qenë një nga çështjet më të diskutueshme.
Sipas të gjitha llogarive, përhapja e saj brenda rajonit ka qenë kryesisht për shkak të një faktori: shfaqja dhe suksesi përfundimtar i islamit politik, fenomeni i njohur gjithashtu si islamizëm.
E gjithë Afrika e Veriut ka lëvizje të fuqishme islamike, që ose erdhën në pushtet ose pothuajse bënë si në rastin e Algjerisë në fillim të viteve 1990.
Edhe pasi u hoqën nga pushteti, ndikimi i tyre mbi shoqëritë ka mbetur i konsiderueshëm.
Por, kjo ka filluar të ndryshojë, sipas shumë vëzhguesve. Dhe një nga mënyrat më të dukshme për ta vlerësuar këtë është duke parë simbolin më të fuqishëm të ndikimit të islamizmit: hixhabin.
Shumë vëzhgues kanë vërejtur se vitet e fundit kanë parë një rënie të vazhdueshme të fenomenit në Afrikën e Veriut.
Në uebsajtin maroken të lajmeve “Al-Yaoum 24”, kolumnisti, Said El-Zaghouti shkroi kohët e fundit: “Nuk është e vështirë të vërehet se shkalla, në të cilën mbahej hixhabi në botën tonë arabe, dhe në veçanti në Marok, është ulur relativisht, dhe se tërheqja dhe rënia është në një masë të madhe, ka ardhur për shkak të rënies së asaj që njihet si rryma islame”.
Presioni social
Të rejat marokene kanë folur për mediat lokale për presionin social, madje edhe ngacmimin, që duhet ta durojnë kur heqin hixhabin. Por mesa duket kjo nuk i ka penguar.
Në Tunizi, ku mbajtja e hixhabit dikur ishte një akt sfide sepse ishte e ndaluar nga regjimet autokratike të njëpasnjëshme, ajo u bë e njohur për një periudhë të shkurtër pas Pranverës Arabe të vitit 2011, por ka filluar të bjerë sërish kohët e fundit.
Duke shkruar në “Arabic Independent”, gazetarja tuniziane, Huda Al-Trabulis, thekson motivet komplekse për shfaqjen e hixhabit në vend dhe rënien e tij të mëvonshme.
Hixhabi dikur ishte një akt rezistence dhe kundërshtimi ndaj laicizmit të imponuar nga lart, gjatë sundimit të autokratëve të postpavarësisë, Habib Bourguiba dhe Zine al-Abidine Ben Ali.
Më pas, ajo u bë e njohur në periudhën e shkurtër pas revolucionit në vitin 2011, që pa ngritjen në pushtet të lëvizjes islamike, Ennahda, deri në masën që gruaja e mbuluar u promovua si modeli për t’u ndjekur për publikun tunizian.
Por më pas pati rënie pasi parlamentet e njëpasnjëshme të dominuar nga islamistët nuk arritën t’i zgjidhnin problemet e shumta të vendit dhe Tunizia u zhyt në një krizë të thellë ekonomike dhe politike.
Edhe në Egjipt, ndoshta vendlindja e hixhabit siç e njohim ne sot, pamja dhe rënia relative është e lidhur me Vëllazërinë Myslimane.
Gratë egjiptiane filluan të hiqnin mbulesat tradicionale të fytyrës gati një shekull më parë dhe nga mesi i shekullit të njëzetë mbulesa ishte zhdukur pothuajse plotësisht.
Mungesë anketimesh serioze
Por hixhabi u rishfaq në mesin e viteve shtatëdhjetë kur presidenti i atëhershëm, Anwar Sadat, i dha dritën jeshile, Vëllazërisë Myslimane, për të operuar në kampuset universitare për t’i luftuar rivalët politikë nga e majta laike, që kishin zhvilluar ndikim të konsiderueshëm mbi shoqërinë në dekadat e mëparshme.
Përhapja e hixhabit vazhdoi pothuajse e pandërprerë deri në vitin 2013, kur presidenti i Vëllazërisë Myslimane, Mohammed Morsi, u hoq nga pushteti.
Armiqësia ndaj simboleve islamiste, hixhabi, kryesor në mesin e tyre, ishte i dukshëm.
Kishte raporte të vazhdueshme për restorante, që ua mohonin hyrjen grave të veshura me hixhab, ose pishina, që refuzonin hyrjen për gratë, që mbanin burkini, rroba banje, që supozohet se janë në përputhje me Sheriatin.
Sot ka një rënie të dukshme, që është e vështirë të matet për shkak të mungesës së anketave objektive.
Megjithatë, hixhabi mbetet një nga çështjet më përçarëse të vendit, një gabim kulturor dhe politik jo i ndryshëm nga ai, që lidhet me abortin në SHBA, me grindje kulturore dhe politike, që shpërthejnë në intervale të rregullta për këtë çështje.
Së fundmi në Egjipt, reagimet ndaj vrasjes me thikë të një studenteje të re universiteti në mes të ditës nga shoqëruesi i saj, pasi ajo refuzoi të martohej me të, ishin po aq tronditëse sa vetë krimi.
Për të gjithë krimi ishte i urryer dhe i dënuar siç duhet. Por, sapo u morr vesh se viktima ishte e zbuluar, reagimet filluan të diversifikoheshin.
Një telepredikues i famshëm u kërkoi grave, që të mbulonin trupin e tyre siç duhet për të shmangur një fat të ngjashëm. Ai në fakt tha: “Mbulo fytyrën me një shportë”.
Dhe kur universiteti i saj kërkoi t’i paguante dëmshpërblim, ai nxori një poster të saj me foton e saj të ndërhyrë me sa duket, kështu që dukej sikur ajo kishte veshur hixhab.
Reagime të ndryshme
Të dy reagimet shkaktuan një breshëri përgjigjjesh të zemëruara nga sektorët e laicizuar të shoqërisë.
I riu është dënuar me vdekje me varje. Por ka nisur një fushatë për të mbrojtur vrasësin e dënuar.
Askush nuk e di me siguri se kush qëndron pas kësaj, por shumë dyshojnë se islamistët e pasur në mërgim kanë punësuar avokatin më të paguar në vend për të mbrojtur fajtorin në procedurat e apelit.
Një ndërhyrje nga Al-Azhar, institucioni më i lartë fetar në Egjipt, për të qetësuar tensionin ka hedhur ironikisht, më shumë vaj në zjarr.
Imami i madh i Al-Azharit, Sheik Ahmed al-Tayeb, ka thënë se mosmbajtja e hixhabit nuk e bën gruan tradhëtare, por thjesht një grua që nuk iu bind Zotit.
Deklarata, që kishte për qëllim t’i qetësonte sektorët laikë të shoqërisë, tërboi edhe më shumë të drejtat e grave dhe grupet e tjera laike.
Edhe një herë, mediat sociale ishin plot me lutje të pasionuara për hixhabin si pjesë e patjetërsueshme e besimit dhe dënim po aq të zhurmshëm të veshjeve.
Megjithëse mbështetja për hixhabin duket se po pakësohet në rajon, veçanërisht te të rinjtë, perceptimi se ai është i pandashëm nga identiteti mysliman është rrënjosur shumë.
Aq sa, saherë që çdo qeveri, veçanërisht në Evropë, vendos kufizime për veshjen e saj në institucionet publike, kjo zakonisht denoncohet si një luftë kundër vetë Islamit.
Thjesht kritikimi i hixhabit në demokracitë perëndimore është bërë pothuajse sinonim i “islamofobisë” ose sulmeve ndaj të drejtave të pakicave.
Por në shoqëritë me shumicë myslimane ajo ende konsiderohet si pjesë e një fushate legjitime, për çlirimin e grave nga tradita mbytëse.
Përktheu: FJ