Në samitin e javës së kaluar të Bashkimit Evropian në Sofje u bë e qartë se vendet e Ballkanit Perendimor nuk mund të presin një rrugë të shpejtë anëtarësimi. Por vonesat e Bashkimit Europian për zgjerim, pas daljes së Britanisë dhe pasojat e krizave të borxhit dhe imigracionit, kanë bërë që rajoni i Ballkanit Perendimor të kthehet në një fushë loje për pushtet mes BE-së,Turqisë, Rusisë dhe Kinës që konkurrojnë gjithashtu për ndikim.
Ivan Isailoviç, kryebashkiaku i qytetit të vogël serb të Krupanjës, është duke kërkuar investitorë jo në Mynih apo Paris, por në Stamboll – një shenjë e ndikimit në rritje të Turqisë në të gjithë Ballkanin Perëndimor, që shqetëson disa shtete të BE-së.
Isailoviç kërkon punë për komunitetin e tij të varfër dhe të izoluar që shtrihet në kodrat e pyllëzuara pranë kufirit perëndimor të Serbisë me Bosnjën. Dhe preferenca e tij se ku të kërkojë për kompani që mund të jenë të interesuara, pasqyron gatishmërinë e Turqisë për të investuar dhe shtrirë ndikimin e saj në e vendet e Ballkanit, dikur pjsë e Perandorisë Osmane.
“Investimet turke në Krupanj dhe në përgjithësi në Serbi janë shumë të rëndësishme. Në territorin e Serbisë ekzistojnë më shumë se 100 biznese turke. Njëra prej tyre është ‘Jeanci’, një kompani që unë mendoj se është më e mira, pasi punësoi 150 njerëz pas përmbytjeve që kishim”, thotë kryetari i bashkisë së Krupanjit, Ivan Isailoviç.
Ndërkohë po rritet perceptimi se qeveritë dhe investitorët e Evropës Perëndimore po shpërfillin tregjet e vogla dhe të ndara të një rajoni shumë pranë tyre.
Udhëheqësit e BE-së u takuan javën e kaluar me homologët e tyre nga Serbia, Shqipëria, Bosnja, Mali i Zi, Maqedonia dhe Kosova, duke rënë dakord të ndërtojnë më shumë lidhje për energjinë dhe të punojnë më ngushtë për çështjet që nga kundërshtimi i radikalizmit e deri tek kontrolli i migracionit.
Por ky ishte takimi i parë i këtij lloji në 15 vite dhe BE-ja e bëri të qartë se vendet nuk mund të prisnin një rrugë të shpejtë të anëtarësimit në bllok.
Sipas Dhomës serbe të Tregtisë, 20 uzina turke u hapën vitin e kaluar ose janë në ndërtim e sipër në vend, e cila ka gjithashtu lidhje historike me Rusinë.
“Investitorët turq deri tani kanë investuar më shumë se 100 milionë euro dhe punësojnë rreth 8,000 punëtorë. Ajo që është interesante me investitorët turq është se ata investuan kryesisht në zonat e pazhvilluara në Serbi, që do të thotë në zonat ku nuk ka punë”, thotë Marko Cadez, kreu i Dhomës serbe të Tregëtisë.
Vëllimet e tregtisë mes Turqisë dhe gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, që aspirojnë të hyjnë në BE, janë rritur vazhdimisht, duke u rritur nga 435 milionë dollarë në 2002 në 3 miliardë dollarë në vitin 2016.
Me 340 milionë euro të investuara në Kosovë, shumica për të blerë një aeroport dhe rrjetin e shpërndarjes së energjisë, Turqia është investitori i tretë më i madh në vend.
Vehbi Kajtazi është kryeredaktor i portalit “Insajder”:
“Mendoj se Turqia do të vazhdojë presionin e saj politik. Nuk e di se sa shumë janë në gjendje autoritetet e Kosovës dhe institucionet e saj të brishta t’i rezistojnë presionit politik nga Turqia. Së dyti, mendoj se influenca e Turqisë dhe presioni do të vazhdojnë përmes fesë”.
Në Bosnje, një vend etnikisht i ndarë në të cilin myslimanët përbëjnë shumicën, Turqia ka shpenzuar 300 milionë euro në projekte, duke përfshirë rindërtimin e xhamive dhe monumenteve të periudhës osmane.
Disa evropianë janë të zhgënjyer që rajoni mund të rrësshqasë nën sferën e influencës së Turqisë, pasi Ankaraja po projekton fuqinë e saj përmes kulturës si dhe marrëveshjeve të biznesit. (voa)