Udhëheqësit e Bashkimi Evropian pritet të diskutojnë javën e ardhshme rreth asaj që blloku e ka denoncuar si një akt sabotazhi, duke iu referuar dëmtimit të tubacioneve nënujore të gazit Nord Stream. Lajmi u njoftua të enjten nga një zyrtar i BE-së, sipas të cilit incidentet kishte ndryshuar rrënjësisht natyrën e konfliktit në Ukrainë.
Gazi vazhdon të rrjedhë në Detin Baltik për të katërtën ditë që prej konstatimit për herë të parë të dëmtimeve. Ndërkohë vazhdon të mbetet e paqartë se kush qëndron pas këtyre akteve të qëllimshme në gazsjellës, për ndërtimin e të cilave, Rusia dhe vendet evropianë kanë shpenzuar miliarda dollarë.
Rusia tha se incidentet ngjanin me “një akt terrorist”. Po kështu Kremlini ka thënë se rrjedhjet në brigjet e Danimarkës dhe Suedisë kanë ndodhur në territorin që është “plotësisht nën kontrollin” e agjencive të amerikane të zbulimit.
Lufta e Rusisë kundër Ukrainës dhe përplasja mes Moskës dhe Evropës mbi çështje të energjisë, pritet të dominojnë takimin e nivelit të lartë të BE-së që mbahet më 7 tetor në Pragë.
Bashkimi Evropian paralajmëroi të mërkurën për një “përgjigje të fuqishme dhe të bashkuar” në rast të sulmeve të reja dhe theksoi nevojën për të mbrojtur infrastrukturën e saj energjetike. Por zyrtarët evropianë e kanë shmangur komentet mbi autorët e mundshëm të atij që e kanë quajtur akt sabotazhi.
Ndërkohë NATO tha sot se do të kundërpërgjigjej ndaj çdo sulmi mbi infrastrukturën kritike të vendeve anëtare të saj, duke shtuar se dëmtimet e dy tubacioneve ishin një akt sabotazhi i qëllimshëm dhe i papërgjegjshëm. Po sot roja bregdetare suedeze konfirmoi një rrjedhje të katërt në tubacionet Nord Stream në jug të këtij vendi.
voa