Bashkimi Europian është partneri më i madh tregtar i Turqisë: anasjelltas, Ankaraja zë vendin e gjashtë në renditjen e BE-së për tregtinë. Suksesi ka një emër: Unioni doganor. Por këtu shfaqen probleme.
Para 20 vjetësh Turqia u bë pjesë e unionit doganor europian. Gati të gjitha produktet turke mund të hyjnë pa doganë në BE dhe anasjelltas. Kjo tregti pa dogana ka luajtur rol vendimtar në rritjen ekonomike të Turqisë deri në shpërthimin e krizës financiare. Atëherë u anashkalua një problem: Asimetria e marrëveshjes për tregtinë e lirë mes BE-së dhe shteteve të tjera të treta. Kështu për shembull SHBA, pas miratimit të marrëveshjes TTIP do t’i shiste produktet e veta me zero tarifë, në një kohë që Turqia do të paguante për produktet e saj, sepse Turqia nuk është anëtare e BE-së. “Eksportuesit turq janë në disavantazh në tregun amerikan, sepse prodhuesit europianë nuk paguajnë doganë, ndërsa ata turq po”, thotë Erdal Yalcin nga Instituti i Mynihut për Ekonominë, Ifo.
Turqia i trembet humbjeve nga TTIP
Yalcin ka përllogaritur me kolegët se disa sektorë në Turqi do të eksportonin deri në 10% më pak, në rast të hyrjes në fuqi të TTIP. Pas 10 -12 vitesh, kjo asimetri do t’i sillte Turqisë një humbje deri në 18-20 miliardë dollarë. Prandaj Ankaraja ka qenë kundër TTIP dhe kërcënoi me pezullimin e unionit doganor.
Si u anashkalua ky aspekt kaq i rëndësishëm? Sipas Yalcin ka dy arsye për këtë: “Turqia asokohe ka besuar se anëtarësimi në unionin doganor ka qenë një hap i ndërmjetëm në rrugën drejt anëtarësimit të plotë.” Arsyeja tjetër qëndron në atë që askush në ato vite nuk e kishte parashikuar numrin e madh të marrëveshjeve bilaterale për tregtinë e lirë. Me Organizatën Botërore të Tregtisë mendohej se rruga multilaterale për tregtinë botërore është e pakthyeshme. Një vlerësim i gabuar: Sot Turqia është më shumë larg se afër anëtarësimit të BE-së, po ashtu nuk dihet se kur do të përmirësohen marrëveshjet tregtare multilaterale brenda OBT.
Forcim i asimetrisë
Jo pak vetë e quajnë të dështuar marrëveshjen e tregtisë së lirë mes BE dhe SHBA (TTIP). Normalisht Ankaraja nuk ka pse të shqetësohet. Por sipas Erdal Yalcin kjo nuk vlen: “Aktualisht ne zhvillojmë negociata me shumë vende dhe rajone.” Marrëveshjet me Japoninë kanë ecur përpara, sepse nuk janë tematizuar në opinon. Marrëveshja e tregtisë së lirë mes BE dhe Japonisë do të godiste rëndë industrinë turke të furnizimit të automobilëve, është i bindur eksperti. Këtë problem nuk e njeh Zvicra për shembull, që nuk është anëtare e BE-së por ka një marrëveshje të tregtisë së lirë me unionin.
A do ta ndihmonte Turqinë shndërrimi i unionit doganor në marrëveshje të tregtisë së lirë? Jo, thotë Erdal Yalcin. Studimet e ifo-s të thonë se një marrëveshje e tregtisë së lirë do të sillte më shumë disavantazhe për Turqinë. Ndryshe nga Zvicra, shumë sektorë të ekonomisë turke janë të lidhur me prodhimin në BE.
Rekomandimi: Thellim i unionit doganor
Ekonomistët e Ifo-s rekomandojnë për Turqinë thellimin e unionit doganor, duke zgjeruar degën e shërbimeve dhe produktet agrare. Të gjithë do të përfitonin: Turqia nga rritja e tregtisë me BE, konsumatorët e BE-së edhe “shërbimet europiane, sepse do të kishin një treg prej 80 milionë vetësh në Turqi”, thotë Yalcin. Sipas ekspertit gjendja e vështirë politike e ka bërë edhe më të rëndësishme për BE-në, zgjidhjen e problemeve brenda unionit doganor europiano-turk- kjo sepse një Turqi e destabilizuar si nga ana politike ashtu edhe ekonomike, nuk është në interesin e BE-së. (dw)