Në Serbi, situata është qetësuar pas protestave kundër një ndalim-daljeje të re të planifikuar për shkak të përhapjes masive të virusit Corona.
Policia në Beograd ka shpërngulur sot në mëngjes rreth 100 demonstrues të dhunshëm nga zona e godinave qeveritare, bën të ditur agjencia shtetërore e lajmeve Tanjug. Ata u përpoqën të sulmonin parlamentin. Autoritetet përdorën gaz lotsjellës kundër demonstruesve.
Dhjetra protestues dhe policë u plagosën në trazirat e natës në Beograd. Drejtori i policisë Vladimir Rebic tha të mërkurën se janë plagosur 43 policë dhe 17 protestues. Janë arrestuar 23 protestues.
Sipas të dhënave të medieve gjermane, në protesta morën pjesë mijëra vetë. Pamjet e përplasjes së protestuesve me policinë në Beograd u transmetuan edhe nga kanali publik gjerman, ARD. Pamjet tregonin policinë që godiste me
shkopinj gome protestuesit. Ata i sulmonin policët me gurë dhe me shishe. Protestuesit kërkuan dorëheqjen e Presidentit Aleksandar Vuçiç
Përballë shtimit të numrit të infektimeve, Presidenti Aleksandar Vuçiç pati njoftuar një ndalim-daljeje gjatë natës për fundjavën e ardhshme. Takimet e më shumë se pesë personave ndalohen. Qeveria thotë se mungesa e disiplinës sanitare në popull është arsyeja e rritjes së rasteve të infektimeve.
Vuçiçi tha se spitaleve po u mbarojnë kapacitetet për të mjekuar pacientët. Partitë e opozitës, shumë prej të cilave bojkotuan zgjedhjet e fundit që i fitoi Partia Progresive e Vuçiçit thonë se ai i përdor pandeminë dhe bllokimet për të forcuar një sundim autokratik, akuza të cilat Vuçiç mohon.
Pas një bllokimi të rreptë, Serbia kohët e fundit i ka hequr kufizimet pothuajse plotësisht.
aud (rtr/afp/dlf)