Ashpërsohen tonet mes Gjermanisë dhe Turqisë. Pas sulmeve të fundit verbale të Erdoganit ndaj Merkelit, edhe politika gjermane i dërgon sinjale të forta drejt Ankarasë.
Paralajmërimi më i fortë drejtuar presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan erdhi nga kryetari i komisionit të Bundestagut për Politikën e Jashtme, Norbert Röttgen. Ai kërcënoi Turqinë me ndërprerjen e bisedimeve të anëtarësimit, nëse ky vend fut sistemin presidencial.
Röttgen: “Puç i legalizuar shtetëror”
Turqit duhet të dinë para se të vendosin me referendum për një reformë kushtetuese në favor të presidentit aktual, se ata vendosin edhe për marrëdhënien e Turqisë me Bashkimin Europian, u shpreh Röttgen në televizionin e parë gjerman, ARD. Me këtë reformë Turqia largohet nga rruga e demokracisë liberale, gjë që nuk pajtohet me BE-në. Röttgen i quajti planet turke “një puç të legalizuar shtetëror”. Politikani i CDU-së nuk deshi t’u japë përgjigje krahasimeve të Erdoganit me nazizmin. “Nuk biem në këtë nivel”, tha ai.
Weber: Europa nuk lejon të provokohet
Kryetari i fraksionit parlamentar të Partive Popullore Europiane në Parlamentin Europian, Manfred Weber e paralajmëroi Erdoganin nga një shkallëzim tjetër i konfliktit me Gjermaninë dhe vendet e tjera europiane. “Krenaria e një vendi nuk mund të mbrohet me fyerje”, tha politikani kristiansocial për grupin mediatik “Funke Mediengruppe”. Sulmet e Erdoganit për çdo ditë e më shumë bëhen më “absurde”, tha ai duket theksuar Europa nuk do të lejojë të provokohet.
Schulz: Humbje e kontrollit të retorikës së vet
Kreu i sapozgjedhur socialdemokrat dhe kandidati për kancelar gjerman, Martin Schulz e quajti akuzën e Erdoganit për metoda naziste të Merkelit një “paturpësi të pamatë”. Në televizionin ARD, ai u shpreh se nëse kreu i një shteti fyen kryetaren e qeverisë të një vendi mik kjo mund të quhet vetëm paturpësi. Erdogan shkel me këmbë të gjitha rregullat e diplomacisë ndërkombëtare. “Zoti Erdogan po humb çdo lloj kontrolli të retorikës së vet”.
Lidhur me debatin për ndalimin e shfaqjeve elektorale të ministrave turq duhet zgjedhur një rrugë e mesme, theksoi kreu i komisionit të Bundestagut për politikën e Jashtme, Norbert Röttgen. Këto shfaje publike duhet të ndalohen, kur rrezikohet siguria. Ndërsa ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel i cilësoi sulmet e Erdoganit si “absurde”. “Ne jemi tolerantë, por nuk jemi budallenj” i tha ai gazetës “Passauer Presse”. Të dielën Erdogan akuzoi edhe Merkelin personalisht për “metoda naziste kundër vëllezërve turq në Gjermani dhe ministrave të tij” . Akuza të tilla ai i kishte bërë më parë ndaj Holandës. (dw)