Bernie Sanders fitoi të shtunën zgjedhjet brenda partisë në garën për zyrtarizimin e kandidatit demokrat që do të garojë kundër presidentit Trump në zgjedhjet e nëntorit.
Me fitoren në Nevada zoti Sanders ka forcuar pozitat e tij si kryesues i garës mes demokratëve. Këto zgjedhje pasojnë proceset e ngjashme të mbajtura në Ajoa dhe Nju Hepshër në fillim të këtij muaji. Në dallim nga këto dy të fundit, me një popullsi dërrmuese të bardhë, Nevada është një shtet etnikisht i larmishëm. Popullsia është afërsisht gjysmë e bardhë ndërsa pjesa tjetër janë rreth 30 për qind hispanike, 10 për qind afro-amerikane dhe 10 për qind aziatike.
Pas senatorit Sanders u rendit ish-Nënpresidenti Joe Biden, në vend të tretë u rendit ish-kryetari i bashkisë së South Bendit Pete Buttigieg dhe në vend të katërt senatorja Elizabeth Warren.
Sipas sondazheve kujdesi shëndetësor ishte një çështje thelbësore e fushatës në Nevada. Më shumë se 40 për qind e votuesve thanë se kjo ishte çështja më e rëndësishme për ta në zgjedhjen e një kandidati, ndjekur nga rreth një e katërta, të cilët përmenden ndryshimin e klimës si shqetësimin e tyre më të madh.
voa