Presidenti amerikan Joe Biden siguroi të martën në mbrëmje emërimin e tij si kandidat i demokratëve, dhe ish presidenti Donald Trump siguroi delegatët e nevojshëm për emërimin republikan, duke hapur rrugën për një përsëritje të garës së vitit 2020.
Të dy fituan në zgjedhjet paraprake në Xhorxhia, Misisipi dhe në Uashington, duke siguruar shumicën e mjaftueshme të delegatëve në partitë e tyre.
Presidenti Biden hyri në zgjedhjet e së martës me 102 delegatë më pak nga 1,968 që i nevojiteshin për t’u bërë zyrtarisht kandidati demokrat, ndërsa ish presidenti Trump kishte 137 delegatë më pak nga 1,215 që i nevojiteshin për të fituar emërimin republikan.
Presidenti Biden është përballur vetëm me opozitë ‘formale” e për t’u bërë kandidat i demokratëve.
Ndërkohë, ish presidenti Trump fitoi përballë disa republikanëve në zgjedhjet paraprake, duke përfshirë ish ambasadoren amerikane në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley dhe guvernatorin e Floridës, Ron DeSantis. Kandidatë të tjerë, përfshirë ish zëvendëspresidentin e tij, Mike Pence, u tërhoqën nga gara muaj më parë, për shkak të mungesës së mbështetjes së votuesve përballë zotit Trump që ka një mbështetje të madhe të votuesve republikanë.
Edhe pa emërimet zyrtare të partive, të dy kandidatët janë në fushatë tetë muaj përpara zgjedhjeve, duke goditur njëri-tjetrin sa herë që kanë mundësi.
Në fjalimin e tij për gjendjen e kombit javën e kaluar, presidenti Biden përçmoi “paraardhësin” 13 herë, duke mos përmendur kurrë zotin Trump me emër, por duke përshkruar një pikëpamje “të së keqes” mbi një mandat të dytë presidencial të zotit Trump.
Ish presidenti Trump tallet me moshën e presidentit Biden, 81 vjeç, ndonëse është vetëm katër vjet më i ri.
“Unë besoj se ai do të jetë kandidat”, tha zoti Trump për presidentin Biden në rrjetin CNBC të hënën. “Unë jam kundërshtari i tij i vetëm përveç jetës, vetë jetës”.
Shumica e anketave të hershme kombëtare tregojnë se zoti Trump ka një përparësi të lehtë ndaj zotit Biden në disa prej shteteve kryesore të fushëbetejës politike, që ka të ngjarë të përcaktojnë rezultatin kombëtar në votimet e 5 nëntorit. Por zoti Trump po përballet gjithashtu me katër padi penale të pashembullta që përfshijnë 91 akuza, ndërsa një proces gjyqësor pritet të fillojë me 25 mars.
Nuk dihet nëse ndonjë nga rastet e tjera do të hidhet në gjyq para zgjedhjeve, por disa votues u kanë thënë anketuesve se nuk do të votojnë për zotin Trump nëse ai dënohet për ndonjë nga akuzat.
Shtetet e Bashkuara nuk e zgjedhin presidentin me votën popullore, por në zgjedhjet shtet pas shteti në secilin prej 50 shteteve dhe në votimet pasuese në Kolegjin Zgjedhor.
Me disa përjashtime, fituesi i votave në secilin shtet fiton të gjitha votat e Kolegjit Zgjedhor, ndërsa shtetet më të mëdha kanë më shumë vota elektorale dhe ushtrojnë ndikim më të madh në rezultatin kombëtar.
Ndonëse të dy kanë siguruar delegatët për të qenë të emëruarit e partive, emërimet nuk do të jenë zyrtare derisa secila parti të mbajë kuvendin e saj. Republikanët pritet të mbajnë konventën e tyre në korrik, ndërsa demokratët në muajin gusht.
voa