Presidenti amerikan Joe Biden deklaroi të martën se i përmbahet afatit të 31 gushtit për të përfunduar nxjerrjen me rrugë ajrore të amerikanëve, afganëve të rrezikuar dhe të tjerëve që kërkojnë të ikin nga Afganistani i kontrolluar nga talebanët. Vendimi nuk përfill thirrjet e aleatëve, të cilët duan t’i japin më shumë kohë evakuimit dhe ka gjasa të pasohet me kritika në adresë të Presidentit Biden se ai është dorëzuar përballë kërkesave të talebanëve për largimin nga vendi brenda gushtit.
“Çdo ditë që jemi në këtë vend është një ditë tjetër kur e dimë se dega e ISIS-it në Afganistan përpiqet të mësyjë aeroportin dhe të na sulmojë ne dhe forcat aleate si dhe civilët e pafajshëm,” tha zoti Biden në komente në Shtëpinë e Bardhë të martën pasdite.
Ai shtoi se talebanët po bashkëpunojnë dhe se siguria është ruajtur, megjithë një numër incidentesh të dhunshme. “Por është situatë e brishtë,” tha ai, duke shtuar, “Jemi në një rrezik serioz që të mos arrijmë ta ruajmë dot sigurinë në rjedhën e ditëve”.
Presidenti Biden i bëri komentet pas një takimi virtual me udhëheqësit e Grupit të Shtatëshes. Kryeministri Boris Johnson tha pas takimit se G-7 kishte rënë dakord për një plan mbi mënyrën se si do të silleshin me talebanët, me kushtin parësor që ky grup ekstremist të lejonte kalim të papenguar për afganët që donin të iknin edhe pas datës 31 gusht.
Zoti Johnson tha se G-7 kishte mjete të konsiderueshme presioni, pasi talebanët morën nën kontroll vendin por fonde të konsiderueshme të thesarit janë të ngrira jashtë kufijve të Afganistanit.
Ndërkaq, Shtetet e Bashkuara kanë intensifikuar evakuimet gjatë ditëve të fundit duke shtuar numrin e avionëve. Kjo ndodh mes raportimeve të reja për abuzime të të drejtave të njeriut që kanë nxitur shqetësim për fatin e mijëra njerëzve, të cilët i tremben ndëshkimit nga talebanët dhe po përpiqen të largohen nga vendi.
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se nga ora 3 e mëngjesit deri në 3 pasdite të së martës, afro 12,000 vetë ishin evakuuar nga Kabuli me 19 avionë luftarakë amerikanë, që transportuan afro 6,400 vetë si dhe 31 avionëve të forcave të koalicionit që nxorën 5,600 të tjerë nga vendi.
“Që nga 14 gushti, SHBA ka evakuuar ose ndihmuar në evakuimin e afro 70,700 vetëve. Që nga fundi i korrikut kemi sistemuar jashtë Afganistanit afro 75,900 vetë,” tha zyrtari i Shtëpisë së Bardhë.
Presidenti Biden tha se i kishte kërkuar Pentagonit dhe Departamentit të Shtetit të hartonin plane alternative evakuimi duke shtuar se afati i tërheqjes së plotë mund të modifikohet nëse do të bëhej e nevojshme.
Zyrtarët e Pentagonit shprehën besimin se përmes operacioneve ajrore do të mund të nxirrnin nga Afganistani të gjithë amerikanët deri të martën e ardhshme, afati që kiishte deklaruar Presidenti Biden për tërheqje disa javë para se talebanët të merrnin në dorë vendin.
Në komentet për shtyp të martën në Pentagon, zëdhënësi John Kirby tha se afati i 31 gushtit lejon kohë të mjaftueshme për evakuimin e të gjithë shtetasve amerikanë, por shprehu dyshime se mund të realizohej evakuimi i afganëve të rrezikuar.
voa