Ndërkohë që mbështetja ndaj kandidaturës së Jeb Bushit për zgjedhjet presidenciale amerikane është zbehur, një libër biografik kushtuar babait të tij, ish-presidentit George HW Bush po tërheq vëmendjen e mediave. Kjo është një biografi e autorizuar, botim i autorit Jon Meacham, fitues i çmimit Pulitzer. Libri, që do të dalë në qarkullim së shpejti është kritika e zotit Bush ndaj disa prej figurave kyçe në administratën e djalit të tij, George W. Bush. Por një analist i tha Zërit të Amerikës se fajësimi i të tjerëve për ndërhyrjen e të birit në Irak nuk do të sjellë ndonjë përmirësim, qoftë në trashëgiminë politike të djalit të tij president apo në fushatën e djalit tjetër që synon Shtëpinë e Bardhë.
Në biografinë që do të publikohet javën e ardhshme, presidenti i 41-të i SHBA kritikon ashpër zëvendëspresidentin e djalit të tij, Dick Cheney, dhe sekretarin e të tij të Mbrojtjes, Donald Rumsfeld. Ai thotë se arroganca dhe vija e tyre e ashpër, i bëri një shërbim të keq presidentit.
Prej kohe dyshohej se Bushi i vjetër nuk i kishte miratuar disa nga veprimet e të birit. Pyetja është pse u desh të priste ai aq shumë vite për të folur hapur. Një arsye është mosha e madhe ngutja për të përmirësuar imazhin e djalit tjetër, Jeb Bush, thotë analisti Klaus Larres:
“Ai e sheh me shqetësim të madh atë që po ndodh në Irak, në Lindjen e Mesme, kaosin dhe trazirat e atjeshme dhe ai e di natyrisht se të gjithë ia hedhin fajin ndërhyrjes së të birit në Irak në vitin 2003, për trazirat në këtë moment. Bushi i vjetër dëshiron ta bëjë të qartë se fajtor është jo vetëm djali i tij.”
Zoti Larres thotë se t’ia hedhësh pjesën më të madhe të fajit Cheney-t dhe Rumsfeld-it është e padrejtë, sepse Presidenti mban përgjegjësi për vendimet e tij.
As zoti Cheney dhe as zoti Rumsfeld nuk kanë pranuar se është bërë gabim në justifikimin e ndërhyrjes në Irak. Në fakt, dy muaj më parë, zoti Cheney kritikoi administratën e tanishme se po kërkonte një marrëveshje bërthamore me Iranin për të shmangur luftën:
“Kjo nuk është, siç thotë Presidenti Obama, e vetmja alternativë ndaj luftës. Kjo është çmenduri,” tha zoti Cheney.
Biografia, “Fati dhe Pushteti: Odisea amerikane e George Herbert Walker Bushit“, botohet ndërkohë që djali i dytë i tij, Jeb, po përpiqet të përmirësojë shanset për të fituar emërimin e Partisë Republikane për president. Analisti Larres i tha Zërit të Amerikës se libri nuk do ta ndihmojë atë:
“Jeb Bush ka qenë shumë i paqartë kur gazetarët e kanë pyetur në lidhje me ndërhyrjen në Irak në vitin 2003. Ai nuk e ka dënuar atë hapur, por as e ka miratuar. Pra, ai është përpjekur të qëndrojë diku në mes. Tani, babai i tij po e kritikon ndërhyrjen në Irak tërthorazi, duke ia hedhur fajin zotit Cheney dhe zotit Rumsfeld. Kjo e bën atë të duket keq, sepse ai vetë nuk po mban një qëndrim të qartë.”
Larres thotë se në ditët e ardhshme, Jeb Bush mund të ndihet i detyruar të deklarojë se lufta në Irak ishte një ide e keqe, dhe nëse e bën këtë, ka shumë gjasa që të mohojë përgjegjësinë e vëllait të tij. (voa)