Bisedimet për Sirinë: parimi shpresë

bisedimet siriSido që të jetë: përfaqësues të Assadit dhe të opozitës kanë shkuar për bisedime në Gjenevë. Por në një tryezë të dyja palët nuk do të ulen. Sa shanse për sukses do të kenë bisedimet me ndërmjetësimin e OKB-së?

 

Deutsche Welle: Përfaqësues të opozitës siriane do të shkojnë sot në Gjenevë. Çfarë synohet të arrihet në Gjenevë?

Günter Meyer: Rezoluta e miratuar njëzëri në dhjetor nga KS të OKB-së parashikon një plan kohor 18-mujor për qetësimin e krizës në Siri. Në gjashtë muajt e parë do të krijohet, pas pushimit të menjëhershëm të sulmeve ndaj objekteve civile një qeveri tranzitore e besueshme, që t’i përfshijë të gjitha palët dhe e cila nuk do të jetë e ndërtuar në bazë të parimeve fetare. Në fund të procesit politik do të zhvillohen zgjedhje të lira, nën mbikqyrjen e OKB-së.

A është realiste kjo?

Për qeveritë e huaja, të cilat e mbështesin regjimin e Assadit ose e luftojnë atë, ndërkohë është bërë e qartë se nuk mund të ketë një zgjidhje ushtarake të konfliktit. Njëkohësisht kriza e refugjatëve ka arritur një dimension të tillë, sa presioni ndaj të gjitha palëve, që t’i japin fund luftës është më i madh se kurrë më parë. Megjithatë është tepër e dyshimtë, nëse aktorët brenda Sirisë, ashtu edhe fuqitë e huaja që i mbështesin ata jashtë, do të jenë të gatshme që t’i lënë mënjanë interesat e tyre në dobi të një zgjidhje paqësore.

A ka në këtë luftë ende palë, të cilat besojnë se nuk duhet të zhvillojnë negociata, sepse kanë përparësi ushtarake?

Regjimi i Assadit besohet se ka pak interes për ndërprerje të menjëhershme të luftimeve. Kjo pasi ushtria siriane, me mbështetjen e trupave tokësore të Hizbollave dhe të Iranit, dhe para së gjithash në sajë të sulmeve ajrore ruse ka arritur javët e fundit përparime të konsiderueshme në vënien e territorit nën kontroll kundër grupeve të ndryshme kryengritëse.

Me siguri pak interes për pushimin e luftimeve kanë edhe grupet terroriste “Shteti Islamik” dhe fronti Nusra?

Organizata terroriste e Shtetit Islamik si dhe Fronti Nusra, pjesë e Al Kaidas janë gjithsesi të përjashtuar nga negociatat. Por edhe grupe të tjera si “Ahrar asch-Scham”, që bën pjesë në “Ushtrinë e pushtimit” të mbështetur nga Arabia Saudite, Katari dhe Turqia do të kenë pak interes t’i ulin armët.

A nuk duket atëherë me pak gjasa suksesi i bisedimeve të paqes?

Pengesat në rrugën e një zgjidhjeje paqësore, tani në fillim të negociatave duken si të pakapërcyeshme. Megjithatë ekziston të paktën një shans i vogël, që palët nacionale dhe rajonale, nën ndikimin e SHBA në njërën anë dhe të Rusisë nën anën tjetër, të detyrohen të ndryshojnë qendrim. Por e sigurtë kjo nuk është në asnjë mënyrë.

Profesor Günter Meyer jep mësim në Universitetin e Mainzit. Atje ai drejton Qendrën e Studimeve për Botën Arabe. (dw)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>