Blinken: 10 mijë militantë janë vrarë në fushatën kundër ISIS-it

Zëvendës sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, tha se militantët kanë pësuar humbje që nga fillimi i fushatës në gusht të vitit të kaluar.

BlinkenZëvendës sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken tha të mërkurën se mbi 10 mijë militantë të grupit Shteti Islamik, janë vrarë gjatë fushatës kundër tij.

Ai i bëri këto komente në një intervistë për median franceze, një ditë pasi që ai dhe zyrtarë të tjerë të koalicionit u takuan në Paris me kryeministrin irakian Haider al-Abadi për të diskutuar strategjinë për luftë kudër grupit Shteti Islamik.

Shtetet e Bashkuara drejtuan një fushatë sulmesh ajrore kundër Shtetit Islamik në gusht të vitit të kaluar për të mbështetur forcat tokësore irakiane, dhe një muaj më vonë sulmet u zgjeruan edhe në Sirinë fqinje.

Ato sulme, mesatarisht 14 në ditë, i kanë ndihmuar forcat pro qeveritare që të rimarrin disa zona, por militantët kanë vazhduar përparimet, përfshirë edhe pushtimin e Ramadit, qytet në perëndim të Irakut muajin e kaluar.

Blinken tha të martën se me gjithë disa humbje, kombinimi i fushatës ajrore me stërvitjen, pajisjen dhe ndihmën e forcave lokale është “strategji e fitores”.

Kryeministri irakian Abadi, megjithatë tha se forcat pro qeveritare nuk po marrin ndihmën e mjaftueshme nga koalicioni ndërkombëtar.

Abadi tha para takimit të së martës, se ka nevojë për më shumë veprime zbulimi dhe se numri i luftëtarëve të huaj që shkojnë në Irak nuk është zvogëluar më gjithë synimet e koalicionit që të pengojnë bashkimin e tyre me grupin Shteti Islamik.

Duke ju drejtuar konferencës nëpërmjet telefonit nga Shtetet e Bashkuara, ku u kthye pas lëndimeve që pësoi në një aksident me biçikletë gjatë fundjavës në Francë, sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, u tha pjesëmarrësve se pushtimi i Ramadit ka përshpejtuar dërgimin e raketave anti tank në Irak për të ndihmuar forcat irakiane në luftën kundër makinave që po përdoren për sulme vetëvrasëse. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>