Vrapuesi xhamaikian Usain Bolt siguroi një medalje tjetër të artë olimpike, duke fituar garën prej 200 metrash, që ai thotë se do të jetë e fundit në këtë distancë që ai bën në Lojrat Verore.
Koha prej 19.78 sekondash që atij iu desh të përshkonte 200 metrat në Rio, ishte më shumë se gjysmë sekonde më e gjatë sesa rekordi i vendosur prej tij, por gjithsesi afro një çerek sekonde përpara Andre De Grasse-t nga Kanadaja që doli në vend të dytë.
Pas garës, Bolt tha se ishte i kënaqur me medaljan e artë, por se do të kishte dashur të vraponte më shpejt.
Bolt ka fituar deri tani tre medalje të arta në këto lojra. Sot ai synon fitoren e tretë radhaz në stafetën 4X100 me ekipin e tij nga Xhamaika.
Po të enjten, amerikani Ashton Eaton mbrojti titullin e tij olimpik në dekathlon, duke lënë pas francezin Kevin Mayer. Eaton mban rekordin botëror për këtë garë që është vendimtare për të përcaktuar atletin më të mire të botës në të gjitha disiplinat.
Amerikanët fituan tre medalje të tjera në atletikë. Delilah Muhammad u bë e para atlete femër amerikane që fiton garën 400 metra me pengesa. Kerron Clement fitoi garën 400 metra me pengesa për meshkuj dhe Ryan Crouser vendosi një rekord olimpik në hedhje gjyleje për meshkuj me një distance prej 22.52 metrash.
Jordania fitoi një medalje për herë të pare një medalje olimpike me Ahmad Abughaushin në taekwondo në kategorinë 68 kilogramë. (voa)