Bolton: “Trumpi ka kërkuar ndihmë nga Kina!”

BoltonIsh-këshilltari i sigurisë i presidentit Trump, John Bolton, po rrezikon “sigurinë kombëtare”. Autoritetet e sigurisë po përpiqen të evitojnë publikimin e këtij libri shumë interesant.

Publikimi i veprës më të re të John Boltonit me titull “The Room Where It Happened” (“Dhoma ku ka ndodhur”) duhet të evitohet, të paktën shikuar nga dëshira e autoriteteve qeveritare të afërta me presidentin Donald Trump. Ministria e Drejtësisë pohon se në këtë libër ka dokumente sekrete qeveritare, të cilat, nëse publikohen, mund të cënojnë “sigurinë nacionale” të vendit.

Një ditë më parë qeveria ka ngritur aktpadi kundër autorit, me qëllim që të evitojë publikimin e librit, të planifikuar për ditën e martë. Qeveria argumenton se ish-këshilltari për siguri i presidentit Trump, John Bolton, do të botojë librin pa e pritur përgjigjen e qeverisë. Qeveria duhet të japë mendimin nëse në këtë libër ka edhe dokumente të ndaluara për publikim. Qeveria ende nuk e kishte përfunduar vlerësimin e saj dhe nuk e ka dhënë lejen për publikimin e dokumenteve dhe informacioneve.

Kritika të rënda kundër Trumpit

Në këtë libër ka fajësime të rënda ndaj presidentit Trump. Ish-këshilltari për siguri Bolton pohon, se Trumpi e ka lutur shumë herë Kinën që ta ndihmojë ate që të rizgjidhet në postin e presidentit amerikan.

Trumpi e ka hapur këtë temë në shumë takime me presidentin kinez Xi Jinping, thuhet në disa fragmente të librit, të cilat janë publikuar paraprakisht. Për shembull, Trumpi ka apeluar para një viti tek presidenti Xi që të importojë më shumë prodhime bujqësore amerikane, në mënyrë që presidenti amerikan të fitojë më shumë mbështetje tek prodhuesit bujqësorë.

Trumpi i shqetësuar tejmase

Presidenti Trump ka sulmuar ashpër ish-këshilltarin e tij në shumë intervista. Për televizionin Fox News ai tha se Boltoni ka shkelur ligjin me shkrimin e këtij libri dhe me pohimet që mund të lexohen atje. Trumpi e quajti Boltonin “gënjeshtar”, në një bisedë me gazetarët e revistës “Wall Street Journal”, duke shtuar se Boltonin “e kanë urrejtur të gjithë në Shtëpinë e Bardhë”.

Boltoni në këtë libër, nga i cili janë publikuar deri tani vetëm fragmente, ka prekur edhe “aferën e Ukrainës”, që ishte shkak për nisjen e procedurës së shkarkimit të Trumpit. Demokratët në opozitë kërkonin që Boltoni të ftohet në procesin e Impeachment-it si dëshmitarë, por këtë kërkesë e ka bllokuar shumica republikane e presidentit Trump.

Trumpi në fund është shpallur i pafajshëm ndaj akuzave për keqpërdorimin e postit në këtë aferë, por mbeten dyshimet se kritikat dhe akuzat nuk janë sqaruar deri në fund. Trumpi akuzohej se ka bërë presion ndaj presidentit të Ukrainës, që të nisë hetimet për korrupsion kundër kandidatit demokrat për presiden Joe Biden dhe të birit të tij, si kundërshpërblim për ndihmat amerikane.

Boltoni ka qenë prej prillit të vitit 2018 deri në shtator 2019 këshilltar i Trumpit për siguri nacionale. Ai është shkarkuar nga ky post për shkak të mosmarrëveshjeve të shumta me presidentin Trump, ndër tjerash edhe për qëndrimin amerikan ndaj Koresë së Veriut.

bc/mak/ww (afp, ap, rtr)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>