Brexit e pasojat vështruar nga Gjermania

brexitDalja e Britanisë së Madhe nga BE ka sjellë në tryezë të gjitha krizat e pazgjidhura të komunitetit. BE nisi këtë javë rrugën për kapërcimin e tyre. Një informacion nga Auron Dodi, si sfond për bisedën me TV News 24.

Kancelarja gjermane orienton

Në fillim të kësaj jave kancelarja gjermane Angela Merkel ishte e para lidere evropiane që kërkoi t’i jepet fund “zisë” për largimin e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian. Ajo kërkoi që Bashkimi Evropian të mos bllokohet nga shoku e nga trishtimi për Brexit-in. Para Bundestagut Gjerman dhe më vonë para medieve, kancelarja kërkoi të martën (28.06.) të shtrëngohen radhët. Të pranohet realiteti pas votës britanike dhe të shihen interesat evropiane.

Kancelarja foli me një optikë të re për Britaninë e Madhe: duke e parë Britaninë si një vend të tretë, tashmë jashtë Bashkimit Evropian. Në unison edhe me Presidentin francez Hollande dhe me kryeministrin italian Renzi, me të cilët Merkel qe takuar të hënën në Berlin, Merkeli nuk la dyshim se Britania e Madhe duhet ta ndiejë “çdo të thotë të jesh jashtë BE”. Britania e Madhe nuk duhet të presë trajtim special në negociatat për marrëdhëniet e ardhshme, paralajmëroi kancelarja gjermane. Ajo nuk do të zgjedhë dot vetëm ato që i pëlqejnë te Bashkimi Evropian, në marrëdhënien e ardhshme.

Në një kohë që në opinionin publik gjerman Brexit konsiderohej ende i pabesueshëm; kur shumë disi shpresonin se në një mënyrë ose në tjetrën dalja e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian mund të kthehej mbrapsht, kancelarja gjermane tha qartë: “Dëshiroj të them fare hapur se…nuk shikoj ndonjë rrugë si mund të kthehet mprapsht kjo”. Deklarata e saj ishte orientuese dhe si e tillë ushtroi efekt qetësues ndaj ankthit të pakontrolluar te disa politikanë dhe medie.

Në samitin e Brukselit (28.06.-29.06.) u ndoq pak a shumë ajo linjë që parashtroi Merkeli para Bundestagut. Liderët e Evropës kërkuan që procesi pas Brexit të ecë sa më shpejt. Që dëmi ekonomik tek të dyja palët të jetë i kufizuar. Por ky proces do të jetë me dhimbje për Britaninë e Madhe, që të mos inkurajohen shtete të tjera për referendume të ngjashme. Kjo ka rëndësi, pasi mbështetja për Bashkimin Evropian në një nga vendet kryesore të Bashkimit Evropian, në Francë p.sh., është vetëm 38 përqind. Pra është edhe më e vogël se në Britaninë e Madhe, ku mbështetja ishte 44 përqind. Kryetarët e shteteve pranuan se për sigurinë, për vendet e punës dhe rritjen ekonomike duhet bërë më shumë. I vetmi propozim vërtet i ri që u bë në Bruksel ishte ai për një samit tjetër të Bashkimit Evropian në shtator, në Sllovaki, ku do të paraqiten plane më konkrete.

Janë britanikët të pazëndësueshëm për BE?

Dalja e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian konsiderohet moment kthese për komunitetin jo për shkak të rëndësisë së jashtëzakonshme të Britanisë së Madhe si anëtare. Sigurisht, sidomos në sektorin e shërbimeve të tregtueshme, britanikët kishin dhe kanë akumuluar aftësi të veçanta.

Që nga bankat dhe investorët, te gjykatësit dhe këshilltarët britanikë; te arkitektët dhe zhvilluesit e programeve dhe lojërave kompjuterike, britanikët qenë padyshim një vlerë e shtuar edhe për Bashkimin Evropian. Preferenca britanike për hierarki të rrafshta në BE, kundër centralizimit të preferuar nga Franca, ka lënë gjurmë dhe është kontribut që mbetet në këtë bashkësi. Kontribute me vlerë i kanë sjellë Bashkimit Evropian edhe shërbimi diplomatik britanik dhe ushtria britanike, të cilët konsiderohen nga më cilësorët në Evropë.

Por: britanikët hynë vonë në Bashkimin Evropian, rreth njëzet vjet pas fillimeve të komunitetit. Si pasojë ata gjithmonë ankoheshin se Bashkimi Evropian ishte ndërtuar si strukturë që më parë nga arkitektë francezë, gjermanë e italianë.

Në të vërtetë, Brexit u quajt moment vendimtar për Bashkimin Evropian, jo vetëm për shkak të largimit të Britanisë së Madhe. Por sepse Brexit solli në tryezë edhe krizat e mëparshme të komunitetit.

Cilat kundërshti e bllokojnë reformën pas Brexit

Ende nuk ka përgjigje të qarta e dakordim për çështje themelore të drejtimit të BE:

A duhet riparuar Bashkimi Evropian me kursime të forta, siç kërkojnë kryesisht gjermanët, apo duke investuar me para të marra borxh, siç kërkon Franca dhe shtetet jugore të Bashkimit Evropian ?

A duhet të jetë Bashkimi Evropian thjesht një zonë tregtie e lirë apo një bashkim gjithnjë e më i ngushtë?

Nga pikëpamja strukturore, çështja qendrore e shtruar për sqarim është: a duhet t’u kthehen disa funksione shteteve nacionale, dhe nëse po, cilat duhet të mbajë Bashkimi Evropian dhe Komisioni Evropian?

Të gjithë duan ndryshime. Por përfytyrimet për to i kanë shpesh të kundërta.

Gjermania, Franca dhe shtetet lindore të BE

Gjermania kërkon që Bashkimi Evropian të gjejë zgjidhje pragmatike për problemet brenda kornizës aktuale. Gjermania nuk e shikon Brexit si rast për të bërë një hap të madh drejt thellimit e centralizimit të Bashkimit Evropian. Por pikërisht këtë e kërkon Franca.

Ëndrra e Francës është një shtet federal evropian. Me një udhëheqje politike të vetën në personin e një ministri financash të Eurozonës dhe me buxhet të përbashkët. Një shtet që të investojë me para të përbashkëta evropiane, shumë prej tyre para gjermane. Një strukturë e tillë, do ta ringjallte lidershipin politik francez në Evropë. Dhe do të dobësonte dominancën ekonomike gjermane. Ky nuk është një koncept fair ndaj fuqisë së Gjermanisë. Ndaj gjermanët u thonë francezëve se i vetmi projekt që keni ju është si t’u merren paratë gjermanëve. Dhe gjithçka mbetet në vend.

Si një zë i veçantë në Bashkimin Evropian po përvijohen shtetet e Vishegradit. Polonia, Hungaria, Çekia e Sllovakia kërkuan këtë javë që Bashkimi Evropian të kthehet pas, në fillimet e tij. Që Bashkimi Evropian të kujdeset vetëm për liritë bazë dhe për tregun e përbashkët. Ky ishte pak a shumë koncepti britanik për Bashkimin Evropian. Shtetet e Vishegradit duan që të dobësohet Komisioni Evropian dhe të forcohet Këshilli Evropian, ku shtetet kanë përfaqësinë e tyre.

Deri këtu ky koncept është simpatik edhe për Gjermaninë, e cila nuk është e gatshme të transferojë kompetenca të reja në Bruksel. Por Polonia (dhe jo vetëm ajo) kërkoi këtë javë të hartohet madje një marrëveshje krejt e re për Bashkimin Evropian. Këtë e hodhi poshtë kancelarja Merkel. Kjo do të ishte e komplikuar, tha Merkeli. Kur qytetarët shpesh nuk e kanë të qartë pse e bën diçka Bashkimi Evropian dhe cilat janë objektivat, nuk sjell gjë një marrëveshje krejt e re, tha Merkel. Edhe Franca kërkoi që Bashkimi Evropian të ndërtohet më tej, jo të ndërtohet nga e para. Një marrëveshje krejt e re për Bashkimin Evropian do të kërkonte miratimin e saj edhe në referendume.

Problemi i referendumeve dhe Gjermania

A janë referendumet forma më demokratike për të vendosur për Evropën? Fati i kryeministrit britanik David Cameron, që me referendumin për Bashkimin Evropian donte të mposhtte kundërshtarët brenda Partisë së vet Konservatore – dhe që dështoi, duke e çuar në kaos vendin dhe përballë copëtimit, në rast se Skocia do të kërkojë pavarësinë, sugjeron që jo.

Të njëjtin fat si referendumi britanik pati referendumi për Kushtetutën Evropiane në vitin 2005 në Francë, me të cilin Presidenti Chirac donte të mposhtte kundërshtarët evropianë në vend. Referendumi i francez i nisur nga Chirac-u, për ta mbështetur Evropën, dështoi dhe çmimin e pagoi Evropa.

Referendumet si mjet në thelb janë vota besimi, “votes of confidence” për subjekte e personalitete politike. Problem del pasi ato i japin mundësi edhe shprehjes së urrejtjes e hakmarrjes dhe kjo e manipulon arsyen. Dhe në referendume për Evropën qytetarët kryesisht lajnë hesapet me qeveritë nacionale. Ose thjesht gjejnë rast të protestojnë, siç thanë se bënë shumë votues të “Leave” tani pas referendumit britanik. Por vota në një referendum nuk është si klikimi “pëlqej” në Facebook, që mund të anulohet kur kupton se të kanë mashtruar.

Gjermania është përsa u përket referendumeve në pozicionin më komod, në sajë të kushtetutës që ka. Kushtetuta gjermane lejon referendume vetëm kur duan të ndryshohen kufijtë e landeve, 16 republikave të Gjermanisë. Në këto raste, referendum mbajnë vetëm dy landet e prekura. Përvoja e keqe e vitit 1934, kur me referendum Adolf Hitleri shkriu postin e kancelarit me atë të presidentit të republikës, shpjegon pozicionimin e kushtetutës gjermane ndaj referendumeve.

Kryengritja e përfituesve kryesorë të Brukselit dhe globalizimi

Pse shtetet që përfitojnë më shumë nga Brukseli, si Polonia e Hungaria, duan ta dobësojnë atë? Një shpjegim mund të gjendet në qendrimin e këtyre shteteve jo thjesht ndaj Brukselit. Por ndaj globalizimit në tërësi, që ua ka afruar të gjitha shteteve problemet në derën e shtëpisë.

Disa vëzhgues janë të mendimit se kufiri midis Botës së Parë, më të pasur, dhe Botës së Tretë, më të varfër, për shkak të globalizimit, po bie. Globalizimi nuk ecën më vetëm nga Veriu në Jug, por kthehet tani edhe mbrapsht: me pamjen e refugjatëve dhe të terrorizmit. Kjo nxjerr në pah fort polarizimin dhe varfërinë. Globalizimi paraqitet edhe si konkurencë ekonomike, sidomos kineze. Kësaj situate shtetet i përgjigjen në forma të ndryshme.

Shtetet me udhëheqës autoritarë, por jo vetëm ato, kërkojnë mbyllje, për të ruajtur identitetin. Ngritje muresh kundër refugjatëve. Mospranim e dëbim myslimanësh. Një nga kërkesat kryesore të referendumit britanik ishte mbyllja e vendit ndaj migrantëve. Kjo pritet të vijë. Kundër interesave ekonomike britanike. Por pro identitetit britanik.

Ka edhe shtete që megjithë tronditjen nga globalizimi, e pranojnë atë. Kërkojnë kapërcim kufijsh e qëndrime konstruktive.

Problemi është se zërat e atyre që duan mbyllje janë më efektivë aktualisht. Kjo sepse mungon një zë i fortë vizionar, që ta pranojë revolucionin e pashmangshëm të globalizimit. Dhe të paraqesë zgjidhje revolucionare. P.sh., duke e transferuar një pjesë të pasurisë perëndimore tek vendet e varfra.

Ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schäuble tha në një intervistë këtë muaj (duke folur për Afrikën) se shtetet perëndimore “nuk kanë nevojë ende për një rritje shumë të madhe ekonomike”. Ato duhet të hapen, edhe duke ndihmuar fuqimisht financiarisht shtetet e Jugut. Po Schäuble ka mbetur i vetëm në thirrjen e tij për një revolucion edhe në shpërndarjen e pasurisë.

Si pritet të ecin punët pas Brexit

Kudo në vendet e zhvilluara të Bashkimit Evropian po rritet skepticizmi si për objektivin, ashtu edhe për meritat e Bashkimit Evropian. Që Bashkimi Evropian është një organizatë unikale që i shërben paqes, edhe duke zhvilluar institucionet, si p.sh. në Ballkan, kjo harrohet në shumë vende.
Të gjithë janë dakord se Bashkimi Evropian perceptohet si i distancuar nga qytetarët, pa legjitimim demokratik. Parlamenti Evropian, që u themelua pikërisht për ta dhënë legjitimimin, nuk ka të drejtë p.sh. të propozojë ligje për Evropën. Gjetja e një zgjidhjeje që të kënaqë 27 shtetet anëtare të BE e më gjerë është objektivisht e vështirë.

Interesante është ideja e hedhur në medie edhe nga politologët këto ditë. Ata thonë se detyra për të gjetur zgjidhje është kaq e madhe, sa ajo duhet t’i besohet një konvente ekspertësh dhe zyrtarësh. Me të paktën gjashtë muaj kohë në dispozicion, për të paraqitur zgjidhje. Me interes vlen të pritet samiti i shtatorit i BE, nëse do të paraqiten propozime konkrete. Për momentin emëruesi i përbashkët është i vogël. Ky emërues u evidentua këtë javë në takimin e treshes Merkel, Hollande dhe Renzi në Berlin, që para samitit dyditor të Brukselit.

Emëruesi më i vogël i përbashkët i BE

Së pari, dakordim ka që kufijtë e jashtëm të BE duhen mbrojtur së bashku. Për të luftuar terrorin dhe për të ndalur refugjatët. Dakordim ka për zhvillimin e mbrojtjes evropiane. Të operacioneve të përbashkëta të BE. Përsa i përket ekonomisë: kancelarja Merkel tha se mirëqënia evropiane nuk mbërrin si duhet tek të gjithë qytetarët. Në qytete duhet të investohet kundër varfërisë, që i margjinalizon njerëzit. Pra në Berlin u kërkuan investime strategjike të BE.
Dhe së treti, dakordim ka që një fokus i veçantë të jetë te rinia, e papunë në shumë vende të BE. Në Berlin u kërkua të shtohen inisiativat evropiane për trajnime e për punësim në të gjithë Evropën.Tri liderët evropianë thanë se presin në shtator projekte konkrete të BE, në këto fusha. Dhe kjo është e re.

Brexit dhe Ballkani

A do ta ngadalësojë Brexit afrimin e Ballkanit me Bashkimin Evropian? Kjo është një frikë e artikuluar këto ditë jo vetëm nga shtetet ballkanike. Edhe Uashingtoni druhet se Bashkimi Evropian tani do të merret vetëm me veten.

Shanset janë që Ballkani të mos harrohet. Jo vetëm sepse perspektiva evropiane po sjell ndryshime paqësore në marrëdhëniet midis vendeve. Si p.sh. mes Shqipërisë, Serbisë dhe Kosovës.

Por edhe për faktin se Bashkimi Evropian sheh me shqetësim afrimin e rusëve dhe të kinezëve në Ballkan. Dhe këta nuk janë thjesht konkurentë. Por janë shtete që investojnë para edhe për ta dobësuar Evropën. Siç bën me sukses Rusia në Serbi ose Bosnjë. Ose investojnë para në Ballkan, pa kërkuar zhvillim institucionesh demokratike, siç bëjnë kinezët. Mënyra veprimi, që nuk garantojnë paqe afatgjatë në Evropë . (dw)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>