Grupi mercenar rus Wagner do të cilësohet si një organizatë terroriste nga qeveria britanike, tha të mërkurën ministria e Brendshme e Mbretërisë së Bashkuar, duke e bërë të paligjshëm anëtarësimin ose mbështetjen e grupit.
Ministria tha në një deklaratë se një dokument që do të dërgohet në parlament do të lejojë që pasuritë e Wagnerit të kategorizohen si prona terroriste dhe të konfiskohen.
Ministrja e Brendshme e Britanisë, Suella Braverman e përshkroi Grupin Wagner si “të dhunshëm dhe shkatërrues”, duke shtuar se ai “veproi si një mjet ushtarak i Rusisë së Vladimir Putinit jashtë shtetit”.
Gjithandej Ukrainës, në Lindjen e Mesme dhe në Afrikë, Wagneri është përfshirë në plaçkitje, tortura dhe “vrasje barbare”, thuhet në deklaratë, në të cilën grupi cilësohet një kërcënim për sigurinë globale.
Urdhri pritet të hyjë në fuqi më 13 shtator dhe pas asaj date t’i përkasësh ose të promovosh grupin, të organizosh ose të flasësh në takimet e tij dhe të mbash logon e tij në publik, do të cilësohet vepër penale e dënueshme deri në 14 vjet heqje lirie.
David Lammy, shefi i politikës së jashtme të Partisë Laburiste të opozitës, tha se masa ishte “e vonuar”.
“Tani qeveria duhet të bëjë trysni për një Gjykatë të Posaçme për të ndjekur penalisht (Vladimir) Putinin për krimin e tij të agresionit,” tha ai në rrjetin X, i njohur më parë si Twitter.
Grupi mercenar Wagner ka operuar në Siri, Libi dhe një numër vendesh në të gjithë Afrikën veriore dhe perëndimore. Ai rekrutoi mijëra të dënuar nga burgjet ruse për të luftuar në Ukrainë.
Në qershor të këtij viti grupi filloi një kryengritje të shkurtër në Rusi, që u dënua si tradhti nga presidenti Vladimir Putin, dhe më 23 gusht, shefi i tij Yevgeny Prigozhin dhe udhëheqësit kryesorë u vranë kur avioni më të cilin po udhëtonin u rrëzua.
Britania sanksionoi Prigozhinin në vitin 2020, grupin Wagner në tërësi në mars të vitit 2022 dhe në korrik të këtij viti sanksionoi individë dhe biznese që kishin lidhje me grupin në Republikën e Afrikës Qendrore, në Mali dhe në Sudan.
Ligjvënësit në Komitetin e Punëve të Jashtme të Parlamentit kërkuan në muajin korrik sanksione më të shënjestruara mbi atë që u tha se ishte një “rrjet entitetesh” nën grupin Wagner.
voa