Britania ka lëshuar një autorizim të kushtëzuar për ilaçin antiviral që lufton koronavirusin të kompanisë Merck, pilula e parë që ka treguar efektivitet kundër COVID-19-s. Britania bëhet vendi i parë që miraton ilaçin, por mbetet ende e paqartë se sa shpejt do të vihen në dispozicion pilulat për popullatën.
Ilaçi është licencuar për përdorim nga personat 18 vjeç e lart, të cilët rezultojnë pozitivë për COVID-19 dhe kanë të paktën një faktor që përbën rrezik për t’u prekur rëndë nga sëmundja, sikurse obeziteti apo sëmundjet e zemrës.
Ilaçi, i njohur si molnupiravir, parashikohet të merret dy herë në ditë, për pesë ditë me radhë, nga ata persona të cilët trajtohen në shtëpi dhe nuk paraqesin simptoma të rënda të COVID-19-s.
Një pilulë antivirale që zbut simptomat dhe përshpejton shërimin shihet si novatore, e që do t’i shërbente lehtësimit të ngarkesës në spitale duke ndihmuar dhe në frenimin e infeksioneve në vendet më të varfra e me sisteme të brishta shëndetësore. Ilaçi gjithashtu do të forconte qasjen e dyanshme për të luftuar pandeminë: e para nëpërmjet trajtimit me anë të ilaçeve dhe e dyta nëpërmjet parandalimit, kryesisht falë vaksinimit.
SHBA, Bashkimi Evropian e disa vende të tjera po shqyrtojnë mundësitë për dhënien e autorizimit për përdorim të pilulës. Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave njoftoi në tetor se do të mblidhte një panel ekspertësh të pavarur për të shqyrtuar sigurinë dhe efektivitetin e pilulës në fund të muajit nëntor.
Por furnizimet fillestare me këtë ilaç pritet të jenë të kufizuara. Kompania farmaceutike Merck ka thënë se mund të prodhojë 10 milionë pilula deri në fund të vitit, por pjesa më e madhe e kësaj sasie është blerë tashmë nga disa vende të ndryshme.
Në muajin tetor, zyrtarët britanikë njoftuan se kishin siguruan 480,000 pilula molnupiravir dhe prisnin që duke filluar nga ky dimër mijëra britanikë në rrezik për shëndetin të kishin qasje tek ky trajtim.
voa