Zyrarët britanikë besojnë se autoritetet ruse ishin organizatorët e një komploti në tetor të vitit të kaluar për të vrarë kryeministrin pro-perëndimor të Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, siç njofton gazeta Telegraph e cila citon burime të qeverisë britanike.
Gazeta britanike njoftonte të dielën se zyrtarë të lartë britanikë besonin se kishte pasur një komplot për vrasjen e Gjukanoviçit dhe se Rusia e kishte organizuar në një mënyrë të tillë që nëse zbulohej, të fajësoheshin nacionalistë rusë.
“Bëhet fjalë për një komplot për të shkatërruar ose marrë nën kontroll një qeveri, në një mënyrë ose një tjetër. Është e vështirë të imagjinohet që të mos ketë pasur një proces autorizimi”, citonte gazeta një zyrtar të paidentifikuar.
Gazeta shkruante se agjencitë britanike dhe amerikane të zbulimit kishin mbledhur prova të përfshirjes ruse të niveleve të larta në komplotin kundër qeverisë malazeze.
Grupi i shtetasve serbë, që u arrestua nën dyshimet për përgatitje të sulmeve terroriste ka nënshkruar marrëveshjen mbi pranimin e fajësisë. Grupi prej 13 vetëve ka pranuar dënimet prej tre deri në pesë muaj burgim, ndërkaq që fjalën përfundimtare mbi marrëveshjet do ta japë Gjykata Supreme.
Bratislav Dikiqin, ish-shefin e xhandarmërisë serbe, e pret gjykimi, sepse sipas autoriteteve të vendit, ai është koordinatori kyç i aksionit para ndërtesës së Kuvendit ne Podgorice dhe ishte drejtperdrejt i lidhur me qarqet ruse per realizimin e grushtit të shtetit në Mal te Zi ne ditën e zgjedhjeve presidenciale.
Një prokuror i posaçëm në Mal të Zi tha në nëntor se një grup “nacionalistësh rusë” kishte planifikuar vrasjen e kryeministrit Gjukanoviç, për të sjellë në pushtet një parti opozitare, gjë që Moska e ka mohuar.
Sipas prokurorisë, ne grupin kriminal, kanë marrë pjesë dy shtetas rus Eduard Sirokov dhe Vladimir Popov per te cilët Mali i Zi kërkon ekstradimin.
Gjatë kohës se planifikimit të sulmit ata ishin në Beograd dhe janë marrë vesh me paramilitarin e njohur Aleksandar Sindjelic, i cili ka pranuar se sipas urdhrit të tyre ai ka rekrutuar njerëzit të cilët është dashur të mblidhen para Kuvendit, te shkaktojnë kaos, dhe dhunshëm të hyjnë në këtë institucion, të hapin zjarr naj publikut dhe më pas të likuidojnë kryeministrin e atëhershëm Djukanovic.
Moska mohoi çdo lloj përfshirjeje në komplot dhe partitë opozitare malazeze kanë thënë se ai ishte fabrikuar, duke akuzuar Gjukanoviçin se kishte përdorur shërbimet e sigurisë për të zgjeruar pushtetin e tij prej çerek shekulli.
Si pasojë e dyshimeve për implikim në këtë ngjarje, dy deputetëve të opozitës proserbe, iu hoq këtë javë imuniteti dhe prokurori publik paralajmëroi se ditëve të ardhshme do të ndiqen penalisht.
Javët e ardhshme pritet ekstradimi i dy shtetasve serb Nemanja Ristic dhe Predrag Bogicevic, të cilët akuzohet se kanë qenë të përfshirë në përgatitjen e sulmit terrorist.
E pyetur për artikullin në gazetën Telegraph, Ministria e Jashtme britanike përmes një zëdhënëseje tha se Mali i Zi duhet të kryejë një proces gjyqësor kompetent, transparent dhe të vërë para drejtësisë të të dyshuarve për goditjen.
“Nëse kjo bëhet me sukses, do të ishte një hap madhor në bindjen e komunitetit n ndërkombëtar për një përparim të vërtetë në reformën për shtet ligjor në Mal të Zi dhe plotësimin e standardeve të NATO-s dhe Bashkimit Evropian”, tha ajo.
Kreu i agjencisë kryesore të zbulimit të brendshëm në Britani tha në nëntor se Rusia po përpiqej gjithnjë e më me më shumë agresivitet të impononte politikën e saj të jashtme, përfshirë përmes sulmeve kibernetike dhe spiunazhit, duke paraqitur një kërcënim në rritje ndaj Britanisë dhe pjesës tjetër të Evropës.
Moska e ka mohuar një gjë të tillë dhe e ka sfiduar Britaninë që ta mbështesë akuzën me prova konkrete.
Në të kaluarën Moska ka kritikuar ashpër hyrjen e Malit të Zi në NATO, dhe ka kërcënuar ish republikën jugosllave në mënyrë të hapur nëpërmjet zyrtarëve rusë, që të mos bashkohet me NATO-n.
Nderkohe, analistet vlerësojnë se Kremlini po e sheh veten të rrethuar nga një NATO që po zgjerohet, si dhe kishte shpresuar se do ta siguronte për vete qasjen në portin e njohur të Adriatikut, ne Tivarin e Malit te Zi. (voa)