Kompania Apple nuk po dorëzohet ndaj sfidës në gjykatë për të ndihmuar FBI-në për të hapur telefonin e njërit prej autorëve të vrasjeve në San Benardino të Kalifornisë dhjetorin e kaluar. Kompania Apple thotë se FBI i ka kërkuar që të hapë dhjetëra iPhone gjatë pesë muajve të fundit, duke përforcuar argumentat e saj se kërkesa e tanishme e FBI-së do të hapte rrugën për kërkesa të tjera.
Prokurorja e Përgjithshme e Shteteve të Bashkuara Loretta Lynch i tha një komisioni të Kongresit të mërkurën se ka një precedent për të mbështetur kërkesen nga qeveria.
“Është një parim i vjetër i sistemit tonë të drejtësisë se nëse një gjykatës i pavarur gjen arsye për të besuar se një objekt përmban prova të një krimi, atëherë ky gjykatës mund të autorizojë qeverinë të zhvillojë kërkime të kufizuara për ato prova. Dhe nëse qeveria ka nevojë për ndihmën e palëve të treta për këtë gjë, gjykatësit në mbarë vendin dhe në Gjykatën e Lartë kanë thënë se palët e treta duhet të ndihmojnë në bazë të mundësive që kanë.”
Deri tani, kompania Apple ka refuzuar të bashkëpunojë. Shefi i saj Tim Cook thotë se FBI-ja po kërkon atë që ai e quan “një derë e pasme kundrejt masave të sigurisë së kompanisë” dhe që vë në rrezik sigurinë për përdoruesit e iPhonëve.
Kompania Apple ka deri të premten afat për të kundërshtuar ligjërisht kërkesen e qeverisë ndërsa një seancë dëgjimore është caktuar me datën 22 mars. (voa)