Një pjesë e konsiderueshme e botës u përball të premten me probleme madhore të shkaktuara nga një avari kibernetike që preku kompanitë dhe firmat e pothuajse të gjitha fushave të industrisë, duke bllokuar fluturimet, veprimtarinë e bankave, spitalet dhe shumë kompani mediatike.
Në thelb të problemit qëndron përditësimi i gabuar i një aplikacioni nga kompania e sigurisë kompjuterike “CrowdStrike” që ofron programe për shumë kompani në mbarë botën.
Si ndodhi problemi i komunikimit të premten?
Kompania “CrowdStrike” filloi përditësimin e një prej programeve të sigurisë të quajtur “Falcon”. Përmes një deklarate lidhur me situatën e krijuar, kompania tha se defekti u zbulua në përditësimin e “një elementi që përdoret në sistemet Windows” dhe se programet Mac dhe Linux nuk u preken.
Por për shkak se shumë kompani i përdorin programet e firmës “CrowdStrike” për nevojat e sigurisë për sistemin operues “Windows” pasojat e këtij problemi teknik kanë pasur ndikim të gjerë në pothuajse të gjithë botën.
Defekti shkaktoi probleme nëpër aeroportet e Shteteve të Bashkuara, Evropë dhe Azi gjatë periudhës tejet të ngarkuar të verës. Bankat në Afrikën e Jugut dhe Zelandën e re njoftuan për ndërprerje që ndikojnë tek pagesat dhe shërbimet në internet. Disa kanale televizive, kryesisht në Australi, nuk ishin në gjendje të transmetonin për orë të tëra.
Disa spitale kishin probleme me sistemet e shërbimit për pacientët, duke shkaktuar vonesa dhe anulime. Ekranet gjigande në sheshin e famshëm “Times Square” të Nju Jorkut u bllokuan. Ekspertët theksojnë se avaritë e së premtes theksojnë varësisë e shumë kompanive në të gjithë botën nga një program që ofrohet vetëm nga disa firma.
Firma CrowdStrike
CrowdStrike është një kompani amerikane për sigurinë kibernetike që ofron programe kompjuterike për kompanitë e të gjitha industrive në mbarë botën. Firma e konsideron veten si ofruesi më i përparuar në botë i teknologjisë së sigurisë me bazë në sistemet “cloud”. Firma me bazë në Austrin të Teksasit e filloi veprimtarinë në vitin 2012.
voa