Çfarë shkoi keq? Pikëpyetje mbi aftësitë e shërbimeve të zbulimit të Izraelit pas sulmit të Hamasit

IzraeliPalestinezët në Gaza, nuk janë asnjëherë shumë larg syve të Izraelit.
Dronë mbikqyrës ngrihen vazhdimisht në qiell. Kufiri, i sigurisë së lartë, ështe i mbushur me kamera dhe roje sigurie.

Agjencitë e shërbimeve të zbulimit mbështeten tek burimet dhe aftësitë teknologjike në gjetjen e një sërë informacionesh.

Por duket se Izraeli “i kishte sytë mbyllur” gjatë sulmit të befasishëm të grupit militant Hamas, që rrëzoi barrierat kufitare të Izraelit dhe dërgoi atje qindra militantë për të kryer sulmet që lanë të vrarë qindra njerëz dhe e çuan rajonin drejt konfliktit.

Për dekada me radhë, për shkak të arritjeve të forta, shërbimet inteligjente izraelite kanë fituar lavdinë e të qenit të pamposhtur.

Izraeli ka parandaluar komplote të thurura në Bregun Perëndimor, pretendohet se ka kapur militantë të Hamasit në Dubai dhe është akuzuar për vrasjen e shkencëtarëve bërthamorë iranianë, pikërisht në zemër të Iranit. Edhe kur përpjekjet e tyre kanë qenë të pasuksesshme, agjenci si Mossad, Shin Bet dhe shërbimet zbuluese ushtarake kanë arritur të ruajnë këtë “lavdi mistike”.

Por sulmi i fundjavës, gjatë një festë të madhe hebraike, që e zuri në befasi Izraelin, i vë në dyshim këto aftësi dhe ngre pikëpyetje rreth gatishmërisë së vendit përballë një armiku më të dobët, por të vendosur. Mbi 48 orë më vonë, militantët e Hamasit vazhduan të luftonin forcat izraelite brenda territorit izraelit dhe dhjetëra izraelitë ishin zënë robër nga Hamasi në Gaza.

Është një dështim i madh,” thotë Yaakov Amidror, ish-këshilltar i sigurisë kombëtare i kryeministrit Benjamin Netanyahu. “Ky operacion vërtet dëshmon se aftësitë e shërbimeve zbuluese në Gaza nuk ishin të mira”.

Zoti Amidror nuk pranoi të ofronte një shpjegim mbi dështimin, tha se mësimet duhet të nxirren pasi situata të qetësohet.

Kundër Admiral Daniel Hagari, zëdhënësi kryesor i ushtrisë, pranoi se ushtria duhet t’i japë popullit një shpjegim. Por ai tha se koha për këtë nuk është tani. “Së pari, luftojmë, pastaj hetojmë”, tha ai.

Disa thonë se është shumë herët që përgjegjësia të bjerë vetëm mbi shërbimet e zbulimit. Ata vënë në dukje se për shkak të një vale dhune në Bregun Perëndimor, disa burime ushtarake u zhvendosën atje, ndërsa përmendin edhe kaosin politik që shoqëron Izraelin, lidhur me hapat e qeverisë së ekstremit të djathtë të kryeministrit Netanyahu për ndryshime në sistemin e drejtësisë.

Plani i diskutueshëm ka kërcënuar forcën bashkuese të ushtrisë së fuqishme të vendit.

Por, mungesa e të dhënave mbi planin e Hamasit pritet të paraqesë vetëm një nga shkaqet që çuan në sulmin më vdekjeprurës ndaj Izraelit, për dekada të tëra.

Izraeli tërhoqi trupa dhe banorë nga vendstrehimet në Gaza në 2005. Por edhe pasi Hamasi pushtoi Gazën në vitin 2007, Izraeli dukej se ruante avantazhin e tij, duke përdorur burimet njerëzore dhe ato teknologjike.

Izraeli pretendonte se dinte vendndodhjet e sakta të udhëheqjes së Hamasit dhe dukej se e vërtetonte këtë nëpërmjet vrasjes së drejtuesve militantë në sulmet ushtarake, ndonjëherë ndërsa ata ishin në gjumë.

Izraeli ka ditur të godasë tunelet nëntokësore të përdorura nga Hamasi për lëvizjen e luftëtarëve dhe kalimin e armëve, duke shkatërruar kilometra të tëra kalimesh të fshehta.

Pavarësisht këtyre aftësive, Hamasi ishte në gjendje ta mbante planin e tij të fshehtë. Sulmi i egër, i cili ka të ngjarë të ketë marrë muaj të tërë planifikimi dhe stërvitjeje të përpiktë dhe që përfshinte edhe bashkërendimin midis grupeve të shumta militante, dukej se nuk u kap nga aparatet e shërbimeve izraelite të zbulimit.

Amir Avivi, një gjeneral izraelit në pension, tha se në mungesë të bazave brenda

Gazës, shërbimet e sigurisë izraelite kanë filluar të mbështeten gjithnjë e më shumë tek mjetet teknologjike për të siguruar informacion. Sipas tij militantët në Gaza kanë gjetur mënyra për t’iu shmangur teknikave teknologjike, duke i dhënë Izraelit një pamje jo të plotë të qëllimeve të tyre.

“Pala tjetër mësoi se si të përballej me aftësitë tona mbizotëruese teknologjike dhe ndaloi përdorimin e teknologjisë që mund ta ekspozonte”, tha zoti Avivi. Ai është president dhe themelues i Forumit të Mbrojtjes dhe Sigurisë së Izraelit, një grup ish-komandantësh ushtarakë.

“Ata janë kthyer në Epokën e Gurit,” tha ai, duke shpjeguar se militantët nuk po përdornin telefona apo kompjutera dhe po thurnin planin në dhoma veçanërisht të mbrojtura nga mbikëqyrja teknologjike ose duke vepruar nën tokë .

Institucionet izraelite të sigurisë, e kanë parë vitet e fundit Hamasin si një palë shumë të interesuar për qeverisje, që kërkon të zhvillojë ekonominë e Gazës dhe të përmirësojë standardin e jetesës së 2.3 milionë banorëve të Gazës.

Zoti Avivi dhe të tjerët thonë se e vërteta është se Hamasi, i cili bën thirrje për shkatërrimin e Izraelit, e sheh akoma këtë synim, si përparësi.

Në vitet e fundit, Izraeli ka lejuar afro 18,000 punëtorë palestinezë nga Gaza të punojnë në Izrael, ku mund të fitojnë një pagë rreth 10 herë më të lartë se në rajonin e varfër.

Institucionet e sigurisë e shihnin këtë si një mënyrë për të ruajtur qetësinë relative.

“Praktikisht, qindra, për mos thënë mijëra burra të Hamasit janë përgatitur për muaj të tërë për këtë sulm të befasishëm, pa u zbuluar”, shkroi Amos Harel, një analist mbi çështjet e mbrojtjes, në gazetën e përditshme izraelite “Haaretz”. “Rezultatet janë katastrofike”.

Aleatët që ndajnë të dhëna me Izraelin thanë se agjencitë e sigurisë kishin gabuar në leximin e situatës.

Një zyrtar i shërbimeve egjiptiane të zbulimit tha se Egjipti, vend që shërben shpesh si ndërmjetës mes Izraelit dhe Hamasit, kishte folur vazhdimisht me izraelitët për “diçka të madhe”, por pa dhënë më shumë detaje.

Ai tha se zyrtarët izraelitë u përqëndruan në Bregun Perëndimor dhe nënvlerësuan rrezikun që paraqiste Gaza.

“Ne i patëm paralajmëruar se situata mund të shpërthente së shpejti dhe do të ishte një shpërthim i madh. Por ata i nënvlerësuan paralajmërimet tona”, tha zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti për agjencinë e lajmeve “Associated Press” pasi nuk ishte i autorizuar të fliste për mediat mbi përmbajtjen e ndjeshme të të dhënave të shërbimeve inteligjente.

Izraeli është përqëndruar tek plani i kryeministrit Nentanyahu për reformim të gjyqësorit, plan që ka shkaktuar përçarje në vend.

Zoti Netanjahu është paralajmëruar në mënyrë të vazhdueshme nga shefat e mbrojtjes dhe një sërë ish drejtuesish të agjencive të shërbimeve të zbulimit, që ky plan, po dëmtonte forcën bashkuese të shërbimeve sekrete të vendit.

Martin Indyk, i cili ka shërbyer si i dërguar i posaçëm në bisedimet mes izraelitëve dhe palestinezëve gjatë administratës së Presidentit Obama, tha se ndarjet e brendshme lidhur me ndryshimet ligjore ishin një faktor që ndikuan në kapjen në befasi të Izraelit.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>