Në dhjetor 2017, vetëm pak javë para se miliona qytetarë rusë të bëheshin gati ta festonin Vitin e Ri – një ndër festat më të dashura të vendit – agjencia kryesore e inteligjencës ruse njoftoi se e kishte parandaluar një komplot të Shtetit Islamik për të vrarë vizitorët në vendet më të rëndësishme në qytetin e dytë më të madh rus, Shën Petersburg.
Derisa kjo nuk ishte hera e parë që Shërbimi Federal i Sigurisë kishte pretenduar se e kishte parandaluar një sulm terrorist, njoftimi ishte i pazakontë për shkak se ajo e pranonte se nga kush e kishte marrë informatën: Shtetet e Bashkuara.
Madje Kremlini shkoi aq larg saqë tregoi se presidenti Vladimir Putin, një ish-oficer i KGB-së, e falënderoi personalisht presidentin e atëhershëm amerikan, Donald Trump. Një muaj më vonë, drejtorët e tre agjencive kryesore ruse të inteligjencës dhe agjencitë e spiunazhit, e vizituan Uashingtonin, një ndodhi tejet e pazakontë.
Një gjë e ngjashme ndodhi vetëm dy vjet më vonë.
Kjo mund të ketë qenë pika më e lartë e shkëmbimit të informatave mes SHBA-së dhe Rusisë.
Gjashtë vjet më vonë, në fillim të marsit, një paralajmërim për një sulm të “pashmangshëm” terrorist iu bë agjencive ruse të inteligjencës. Madje Ambasada amerikane në Moskë doli publikisht dhe i paralajmëroi qytetarët amerikanë.
Ky paralajmërim papritmas e zemëroi Kremlinin.
Gjatë një takimi më 19 mars me zyrtarët e sigurisë, Putini e pranoi se Rusia e kishte marrë një informatë – po e shpërfilli atë duke e cilësuar si “propagandë të pastër” dhe “shantazh për ta frikësuar dhe destabilizuar shoqërinë tonë”.
Tri ditë më vonë, më shumë se 140 njerëz në sallën e koncerteve Crocus afër Moskës u vranë nga disa burra të cilët shtinë me armë zjarri ndaj pjesëmarrësve në koncert dhe pastaj ia vunë zjarrin ndërtesës.
Ky ishte sulmi më i rëndë terrorist në Rusi në dy dekadat e fundit.
Për disa ish-oficerë të inteligjencës amerikane, faji për bashkëpunim të dobët bie plotësisht mbi supet e Moskës: shërbimet ruse të sigurisë e shohin shkëmbimin e informatave mbi të gjitha si mundësi për përfitime politike dhe strategjike, thonë ata.
Shërbimet ruse të inteligjencës “nuk janë të interesuara për bashkëpunim, por përdorin angazhime të tilla për të zhvilluar informata dhe për të ngacmuar”, tha Douglas London, një oficer i lartë në pension i CIA-s, i cili ishte përfshirë në shkëmbimin e informatave në dhjetor 2017.
“Mashtrohesh nëse mendosh se suksesi në Shën Petersburg është tregues i gjendjes së marrëdhënieve mes [agjencive] të inteligjencës”, tha ai për Radion Evropa e Lirë.
Dyshime, pikëpyetje dhe zakone të vjetra
Pas rënies së Bashkimit Sovjetik, Moska dhe Uashingtoni kërkuan ta gjejnë një mënyrë të re për të shkëmbyer informata në një sërë fushash: terrorizëm, trafikim me njerëz dhe drogë, krime kibernetike dhe aktivitete të tjera të jashtëligjshme.
Përpjekjet për këtë u shtuan shumë pas 11 shtatorit 2011, kur ndodhën sulmet terroriste në Shtetet e Bashkuara.
Putini u bë lideri i parë që i telefonoi Shtëpisë së Bardhë dhe i ofroi ndihmë për atë që Shtetet e Bashkuara e cilësuan si “luftë globale kundër terrorizmit”.
Por, për disa zyrtarë dhe oficerë rusë, heqja e zakoneve të vjetra ishte gjë e vështirë, posaçërisht për ata në ushtri dhe agjencitë e sigurisë. Kjo vlente edhe për Putinin, një veteran i KGB-së i cili e udhëhoqi Shërbimin Federal të Sigurisë, i njohur si FSB, para se të bëhej president.
Kjo ishte plotësisht e vërtetë kur bëhej fjalë për ekstremistët islamikë. Për agjitatorët e Kremlinit, lufta në Çeçeni, ku radikalët islamikë nga Lindja e Mesme fituan bastion në vitet ’90, ishte pikënisja.
Për Kremlinin ishte e dhimbshme kur disa liderë politikë çeçenë, dhe madje militantë, kërkuan strehim në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropë.
Moska i cilësonte ata si terroristë. Uashingtoni jo bash.
Rusia u godit nga një sërë sulmesh terroriste dhe vetëvrasëse në vitet 2000. Sulmi më i rëndë ndodhi në shtator 2004, kur sulmuesit çeçenë dhe ingushë e kapën një shkollë fillore në qytetin verior, Beslan, ku i mbajtën peng për gati tre ditë më shumë se 1.100 njerëz, derisa ndodhi tentimi i dështuar për t’i shpëtuar pengjet.
Më shumë se 330 njerëz vdiqën, shumica e të cilëve fëmijë.
Deri kur ndodhi sulmi në sallën e koncerteve Crocus më 22 mars, ai ishte sulmi më vdekjeprurës gjatë presidencës së Putinit – dhe Putini sugjeroi se Perëndimi ka faj pjesërisht.
Një dekadë pas sulmit në Beslan, zyrtarët e inteligjencës amerikane u ankuan për një mungesë bashkëpunimi me homologët rusë gjatë përgatitjeve për Lojërat Olimpike në Soçi më 2014.
Më vonë, Moska e pranoi se SHBA-ja dhe vendet e tjera perëndimore e ndihmuan t’i parandalojë sulmet.
Më 2011, FSB-ja u dha informatë FBI-së dhe CIA-s për Tamerlan Tsarnaev, një burrë i lindur në Çeçeni, i cili, së bashku me vëllain e vet Dzhokhar dhe pjesën tjetër të familjes, morën azil në Shtetet e Bashkuara në vitet 2000.
FSB-ja paralajmëroi se Tsarnaev e kishte përqafuar islamin radikal dhe druhej se ai planifikoi të kthehej në Rusi për t’iu bashkuar një grupi militant.
Dy vjet më vonë, Tamerlan dhe Dzhokhar i shpërthyen dy bomba gjatë Maratonës së Bostonit, duke i vrarë tre njerëz dhe duke i plagosur 281. Një hetim tremujor i FBI-së për të kaluarën e tyre, i nxitur nga informata ruse, nuk gjeti asnjë lidhje me terrorizmin.
Një raport nga inspektori i përgjithshëm i Departamentit të Drejtësisë gjeti mangësi në mënyrën se si agjencitë amerikane e trajtuan informatën ruse, por gjithashtu theksoi se FSB-ja dështoi t’i përgjigjej një kërkese pasuese të amerikanëve.
FSB-ja dikur bashkëpunonte rregullisht me FBI-në për çështjet e krimeve kibernetike. Kjo dështoi më 2016, kur oficerët e njësitit kibernetik të FSB-së u arrestuan dhe u akuzuan për tradhti. Mediat ruse raportuan se oficerët e FSB-së u arrestuan për shkak se punonin me SHBA-në.
Sjellje tejet befasuese
Shërbimet inteligjente ruse dhe amerikane veprojnë me sisteme të ndryshme të vlerave, gjë që e vështirëson tej mase bashkëpunimin, tha Steven Hall, i cili u pensionua më 2015 pasi kryente operacione rreth Rusisë në CIA.
Rusët e shohin shkëmbimin e informatave si një “kali të Trojës” kohë pas kohe, tha ai në një raport nga viti 2017 për Carnegie Endowment for International Peace.
“Rusia e kupton qasjen tonë perëndimore, optimiste për shkëmbim informatash, dhe do ta përdorë atë ashtu siç Putini e sheh përparësi për të, në një mënyrë që Shtetet e Bashkuara dhe Perëndimi do ta shohin si tejet befasuese”, tha ai.
Kishte raste kur palët bashkëpunonin në një rast caktuar dhe papritmas, pala ruse e ndalte shkëmbimin e informatave.
Sulmi në sallën e koncerteve Crocus
Në dhjetor 2016, zyrtarët amerikanë i dëbuan dhjetëra diplomatë rusë, shumica e të cilëve besohej se ishin zyrtarë të inteligjencës që punonin gjoja si diplomatë, si dhe i mbyllën dy prona ruse të njiheshin si objekte për mbledhjen e informatave. Rusia u hakmor për këtë.
Më vonë, zyrtarët amerikanë erdhën në përfundim se inteligjenca ruse, me pajtimin e Putinit, ishte përfshirë në një fushatë të madhe për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016.
Tensionet që po ziheshin për kohë të gjatë rreth Ukrainës shpërthyen plotësisht kur Rusia e nisi pushtimin e shtetit fqinj në shkurt 2022, duke i prishur marrëdhëniet dypalëshe. Shtetet e Bashkuara e shtuar shkëmbimin e informatave me Kievin, disa prej të cilave janë përdorur për t’i sulmuar forcat ruse.
Tre javë më parë, më 7 mars, Ambasada amerikane në Rusi e bëri një paralajmërim për mundësinë e një sulmi “të pashmangshëm” brenda 48 orëve. Një ditë më herët, sipas New York Times, një zyrtar i CIA-s në Moskë ua kaloi autoriteteve ruse një paralajmërim, bashkë me hollësi se IS-K, dega e Shtetit Islamik, ishte organizatori.
Sulmi në sallën e koncerteve Crocus ndodhi dy javë më vonë, më 22 mars. Shteti Islamik e mori përgjegjësinë, ndërsa katër burrat të cilat Rusia i akuzon për kryerjen e sulmit, janë nga Taxhikistani, njëri prej vendeve të Azisë Qendrore qytetarët e të cilit i kanë forcuar radhët e IS-K-së prej se u formua në Afganistan më 2014.
E rëndësishme për zyrtarët rusë ishte se paralajmërimi publik nga Ambasada amerikane u bë një javë para zgjedhjeve presidenciale në Rusi, në të cilat Kremlini ishte i vendosur për një dalje të lartë në zgjedhje për të ndihmuar në portretizimin e një mbështetjeje të madhe për Putinin.
“Mendoj se amerikanët qartazi e dhanë paralajmërimin në mirëbesim”, tha Mark Galeotti, një ekspert britanik për çështjet e agjencive ruse të sigurisë.
“Mendoj se [Putini] u zemëruar dhe mendoi se ky ishte, në fakt, një tentim nga amerikanët për t’i frikësuar rusët para zgjedhjeve”, tha ai.
Pas sulmit, Putini dhe drejtori i FSB-së, Aleksandr Bortnikov, bashkë me zyrtarë të tjerë, kanë vazhduar të ngulin këmbë se Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara kanë gisht, me gjithë mungesën e dëshmive.
Bortnikov e pranoi paralajmërimin e inteligjencës amerikane, por e nënvlerësoi atë si të “natyrës së përgjithshme”.
“Ne reaguam ndaj asaj informate, natyrisht, dhe ndërmorëm masa të duhura”, tha ai më 26 mars.
Inteligjenca dhe dezinformimi
Shtetet e Bashkuara mbase vendosën ta bëjnë publik kërcënimin këtë herë, sepse ishte i pashmangshëm dhe Uashingtoni nuk kishte mjaftueshëm hollësi të cilat do t’ua mundësonin shërbimeve ruse ta parandalonin sulmin, tha London.
Një urdhër ekzekutiv nga vitit 2015 u kërkon agjencive amerikane të inteligjencës të shkëmbejnë paralajmërime për sulmet e mundshme terroriste me vendet e tjera, madje edhe nëse ato vende janë armiqësore si, Rusia apo Irani.
Më 4 janar, 95 njerëz u vranë nga dy sulme vetëvrasëse me bomba në qytetin iranian Kerman, për të cilin përgjegjësinë e mori Shteti Islamik.
Tre jave më vonë, zyrtarët amerikanë thanë se e kishin paralajmëruar paraprakisht Iranin për një sulm të mundshëm nga Shteti Islamik brenda Iranit.
Teherani nuk e pranoi publikisht apo konfirmoi paralajmërimin e SHBA-së.
Një telash tjetër që e ka minuar shkëmbimin e informatave mes agjencive amerikane dhe ruse, siç thanë zyrtarët amerikanë, është gatishmëria e Rusisë për ta mbushur informacionin me propagandë apo me dezinformata.
Rusia e ka shtyrë narrativen se Shtetet e Bashkuara e krijuan Shtetin Islamik si pretekst për ta vazhduar praninë e tyre në Lindjen e Mesme, tha London. Këtij pretendimi i kanë bërë jehonë mediat e kontrolluara nga shteti në Iran dhe madje ai është përqafuar edhe nga disa oficerë të spiunazhit pakistanez.
Si shenjë se ekziston njëfarë shkëmbimi i informatave të klasifikuara, Ministria e Brendshme e Rusisë njoftoi më 28 mars ekstradimin nga Shtetet e Bashkuara të një burri rus, i cili është akuzuar se e ka abuzuar vajzën e vet në Florida, ku ai jetonte.
Ai u arrestua nga autoritetet amerikane dhe u ekstradua në Rusi “falë ndërveprimeve mes agjencive për sundimin e ligjit të Federatës së Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara”.
rel