Clinton, Trump fitues në zgjedhjet e Super së Martës

Kandidatja demokrate për president Hillary Clinton ka fituar në 5 shtete jugore, sipas parashikimeve të medias, duke mundur rivalin  saj, Bernie Sanders, në zgjedhjet e Super të Martës, në ditën më të rëndësishme të votimeve paraprake.

Ish Sekretarja e Shtetit Clinton, parashikohet të ketë fituar në  shtetet Alabama, Arkansa, Xhorxhia, Tenësi dhe  Virxhinia, si dhe në Teksas, sipas anketave në mbyllje të votimeve në këto shtete. Deri tani kandidati Sanders, i etiketuar si socialist demokrat, pritet të ketë fituar vetëm në shtetin e tij, Vermont.

Në kampin republikan, biznesmeni republikan, Donald Trump, parashikohet të ketë fituar në Alabama, Xhorxhia, Masaçusets, Tenësi dhe Virxhina, duke çimentuar më tej statusin e tij si kandidat republikan për president.

Senatori nga Teksasi Ted Cruz ka fituar në shtetin e tij si dhe në Oklahoma.

Trump dhe Clinton priteshin të fitonin në parapraket e Super të Martës, gjatë të cilave do të përcaktohen një-e-katërta e votave të nevojshme për të fituar emërimin nga partitë përkatëse si kandidatë për president.

Duke folur para një grupi të madh përkrahësish në shtetin e tij të Vermontit, Sanders tingëlloi optimist.

“Kjo fushatë, siç mund ta dini ju të gjithë, nuk është thjesht për të zgjedhur një president, por për të transformuar Amerikën. Ajo është për ta bërë vendin tonë një vend të madh, ashtu siç ai ka mundësi të bëhet.

Duhet ta ndalojmë Trump-in. Ndoshta nuk do t’ia arrijmë, por nuk dua ta shoh Trump-in në garë“, thotë një votuese. “Më pëlqen Kasich, ai është më pak ideologjik se gjithë të tjerët.”

Anketat

Super e Marta është dita më e rëndësishme e zgjedhjeve paraprake amerikane, kur përcaktohen 25 për qind e delegatëve që kandidatët duhet të sigurojnë për të fituar emërimin e partisë si kandidat për president.

Anketat lënë të kuptohet se Donald Trump, miliarderi republikan, mund të fitojë në 10 nga 11 shtetet në votimet  e së martës.

Pretendenti tjetër republikan, Senatori i Floridës Marco Rubio, synon të sigurojë fitoren e tij të parë në një shtet.

Në kampin demokrat, Clinton kryeson në anketa ndaj rivalit Sanders, në shumicën e 11 shteteve.

Gjatë ditës së djeshme, Trump i bëri thirrje rivalit  Rubio të tërhiqej nga gara në se nuk arrinte të fitonte në një shtet të vetëm.

Rubio vazhdoi ta godiste kandidatin Trump, duke theksuar se “Trump përfaqëson një rrezik real për të ardhmen e partisë dhe të vendit”.

Rubio ka thënë se do të qëndrojë në garë deri në kuvendin e partisë në muajin korrik, kur vendoset kandidati zyrtar dhe shpreson të fitojë në shtetin e tij të Floridas, gjatë zgjedhjeve paraprake më 15 mars, ku sipas rregullave të votimit në këtë shtet, fituesi i merr të gjitha votat.

Zgjedhjet presidenciale

Duke shpresuar të jenë kandidatët zyrtarë, që do të përballen në zgjedhjet e 8 nëntorit, Trump dhe Clinton kanë filluar të shkëmbejë akuza ndaj njeri tjetrit qysh tani.

Trump tha gjatë një takimi në Ohajo se, “Clinton nuk ka as fuqinë as vendosmërinë të jetë presidente”.

Clinton tha se Trump, me komentet e tij të shpeshta negative ndaj kundërshtarëve dhe ndaj kolegëve të tij republikanë, “po zhvillon një fushatë të bazuar në fyerje”, të papranueshme për një fushatë presidenciale.

Sipas një ankete të fundit të rrjetit NBC, të martën, Trump gëzon  40 për qind mbështetje mes votuesve të regjistruar si republikanë, Rubio gëzon 21 për qind dhe Cruz 18 për qind.

Në frontin demokrat, sipas të njejtës anketë, Clinton gëzon 51 për qind, ndaj 41 për qind të kandidatit Sanders.

Cruz paralajmëroi se “treni i Trump-it” nuk mund të ndalet në se ai arrin fitore të madhe të martën. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>