Banka Botërore parashikon se çmimet e naftës por edhe ato të ushqimeve në tregjet globale do të vazhdojnë të ulen më tej gjatë këtij vitit.
Në raportin e fundit mbi prespektivën e tregjeve, banka parashikon se çmimet e energjisë do të bien mesatarsisht me 25 për qind në 2016-n krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa ato të të artikujve bujqësorw do të rrudhen me 1.4 për qind.
Rënia e gjerë e çmimeve në tregjet botërore po udhëhiqet nga nafta, e cila aktualisht kuotohet rreth 30 dollarë për fuçi, që është niveli më i ulët nga 2003-shi.
Sipas bankës, çmimi i arit të zi pritet që gjatë muajve në vijim të rekuperohet disi krahasuar me nivelet aktuale, por si mesatare vjetore ai do të jetë dukshëm më i ulët se viti i kaluar.
Rënia e çmimit të naftës është duke ndikuar zinxhir gati gjithë produktet e tjera, veçanërisht ato bujqësore. Sipas BB, çmimi i shportës së artikujve ushqimorw u ul mesatarisht me 15 për qind vitin e kaluar dhe pritet të bjerë edhe këtë vit me mbi 2 për qind.
Ekspertët e Bankës Botërore thonë se shkaku kryesor i rënies së çmimeve është prodhimi i lartë dhe rritja e dobët ekonomikë në vendet në zhvillim.
Veçanërisht ngadalësimi i ekonomisë kineze, një nga konsumatorët më të mëdhenj në botë të naftës dhe ushqimeve, ka ulur kërkesën në treg për këto produkte dhe rrjedhimisht edhe çmimet e tyre.
Parashikimet për rënien e çmimeve në arenën globale paralajmërojnë se ato do të mbeten të përmbajtura edhe në tregun e brendshëm.
Në katër vitet e fundit, inflacioni në vend ka qenë gjithmonë poshtë objektivit të Bankës së Shqipërisë, i ndikuar nga rritja e ulët e ekonomisë por edhe rënia e çmimeve për mallrat e importit.
/ Top Channel